Vallëzim, këngë kineze dhe shfaqje nga artistë kinezë dhe shqiptarë solli mbrëmja e djeshme në sallën e Universitetit të Arteve në koncertin e tretë të Javës Kulturore Kineze. Për ambasadoren e Kinës në Shqipëri, bashkëpunimi kulturor ka qenë ndër vite urë e rëndësishme midis Kinës dhe Shqipërisë, ndërkohë që të dy popujt gëzojnë miqësi tradicionale shumë të thellë e bashkëpunime të mira në shumë fusha, sidomos në turizëm. Një fushë që ambasadorja e sheh si të rëndësishme, është ajo e kinematografisë.
“Në vitet ’60-’70 të shekullit të kaluar, filmat shqiptarë ishin shumë popullorë në Kinë, si për shembull “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “I teti në bronz” etj. Edhe artistët shqiptarë ishin shumë popullorë dhe në ditët e sotme, shumë prej nesh i kujtojnë këta filma shqiptarë. Sa i përket “Ngadhënjim mbi vdekjen” kemi bërë përmirësim digjital dhe qëllimi është që audienca mes dy vendeve ta kujtojë këtë film klasik.”, - thotë për "Report TV" ambasadorja Pang Chunxue.
Synimi është që në të ardhmen do të ketë më tepër bashkëpunim mes kineastëve të dy vendeve dhe realizimi i një filmi të ri.
“Tani në Shqipëri bashkëpunojnë dhe jetojnë qindra kinezë, kryesisht në Tiranë dhe mendoj që ata jetojnë dhe punojnë këtu me lumturi. Disa familje kineze, disa fëmijë kinezë kanë studiuar në shkollë këtu dhe mund të flasin shumë mirë shqip, gjë e cila tregon që jeta dhe puna e tyre këtu është e bukur. Integrimi shumë i mirë i kinezëve në shoqërinë shqiptare është simbol shumë i mirë për shkëmbim miqësor mes dy popujve.”, -vijon Chunxue.
Në kuadër të Javës Kulturore Kineze, këtë të premte, në Tiranë do të mbahet Festivali i ushqimit kinez.
Komente
