Javët e fundit kanë qenë tepër pozitive për disa sulmues shqiptar të cilët u lanë jashtë nga trajneri i kombëtares Edy reja për ndeshjet vendimtare të nëntorit, që vlenin kualifikimin në Botëror.
Rey Manaj pas paraqitjeve të mira këtë fundjavë gjeti rrugën e rrjetës me Spezian, duke realizuar edhe golin e parë personal në Seria A. Sulmuesi ka qenë i besuari i italianit, por kundër Anglisë dhe Andorës mbeti jashtë. Padyshim të gjithë e dinë situatën e Brojës, i cili pavarësisht se ç’ndodh me kombëtaren po shkëlqen edhe në kampionatin më të fortë të botës si Premier League. 20-vjeçari mrekulloi këtë fundjavë me realizimin kur kaloi në avantazh Southampton.
Padiskutim që mbresa tejet pozitive ka lënë edhe Giacomo Vrioni. Futbollisti në pronësi të Juventusit ka realizuar 9 gola deri më tani në kampionatin austriak me Tirol, por ftesa e kombëtares gjithmonë i ka munguar. Në këtë listë nuk mund të lihen Florian Kamberi, i cili ka realizuar 4 gola deri më tani në Angli apo edhe Taulant Seferi, golashënuesi i Superligës me Tiranën deri më tani.