Zëvendëspresidenti i SHBA, JD Vance ka deklaruar se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë së shpejti. Në një intervistë për Fox News, ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të ndihmojnë Rusinë dhe Ukrainën që të gjejnë një kompromis të përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit që po zgjat prej më shumë se tre vitesh.
Deklarata e JD Vance vjen menjëherë pasi Uashingtoni nënshkroi një marrëveshje me Kievin për ndarjen e fitimeve nga mineralet e rralla të Ukrainës, në këmbim të ndihmës së ardhshme të sigurisë nga SHBA.
"Sigurisht që ukrainasit janë të zemëruar që janë pushtuar. Por a do të vazhdojmë të humbasim mijëra e mijëra ushtarë për disa milje territor?", tha ai, ndërsa mbrojti qasjen e Trump ndaj luftës, duke theksuar nevojën për një marrëveshjeje paqeje.
Trump deklaroi këtë javë se Ukraina mund të jetë e gatshme të dorëzojë Krimenë, të pushtuar nga Rusia në vitin 2024, për të arritur një marrëveshje armëpushimi. Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se kontrolli rus mbi gadishullin është i papranueshëm sipas kushtetutës ukrainase.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në një intervistë për Fox News, tha se është i nevojshëm një përparim i rëndësishëm në konflikt, përndryshe Trump do të detyrohet të vendosë se sa vëmendje duhet t’i kushtojë këtij konflikti.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin ka shpallur një armëpushim tre-ditor nga data 8 maj, për të përkuar me përvjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Si kundërpërgjigje, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, ka kërkuar një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor.
Komente
