Deputetja e opozitës parlamentare, Fatjona Dhimitri, njëherazi dhe kryetare e Komisionit të Medias, ka akuzuar ministren e Arsimit, Besa Shahini se po rrezikon jetën e studenteve dhe familjareve të tyre me hapjen e universiteteve. Dhimitri shprehet se Shahini ka vendosur të luaj me zjarrin dhe të hap universitete që virusi të shkojë nga studentët deri tek familjarët e tyre dhe të moshuarit.
Deputetja akuzon Shahinin se është e paaftë në detyrën që ka dhe e ka treguar disa herë që është aksidentalisht drejtuese e institucionit të dijes.
Statusi i plotë i deputetes Fatjona Dhimitri
Znj. Besa Shahini e çoroditet sistemin arsimor me paaftësinë e udhëheqjes suaj! Nuk thelloheni ndonjëherë në kufijtë e logjikës sa herë që lexoni plagjiaturat e frymëzuesit tuaj shpirtëror?!
Si është e mundur që një kolltullofage e sëmurë në krye të Ministrisë më të rëndësishme në vend të ndërmarrë vendime në kundërshtim me atë çfarë na dikton gjendja e jashtëzakonshme dhe për më tepër të vihet në rrezik jeta e të rinjve shqiptarë?!
Na lodhët me strategjitë e udhëheqësit tuaj pa strategji.
Nuk ju mjaftoi mundimi psikologjik e financiar që përjetuan nxënësit, maturantët, studentët, prindërit, pedagogët me përshtatjen e platformës së mësimdhënies online?!
Mesa duket paskeni vendosur të luani me zjarrin, të hapni universitetet aty ku virusi të hedhë valle nga një bankë tek tjetra, të gjejë ngushëllim tek studentët dhe të vazhdojë rrugëtimin i qetë nëpër shtëpi tek prindërit apo tek më të moshuarit e familjes.
Përse ky ngut i juaji për të hapur universitetet, pikërisht tani që kurba e përhapjes luhatet, ndërkohë që në ato shtete për të cilat Kryeministri juaj propagandon qasjen në reforma, nuk është marrë një iniciativë të tillë?!
Jeni e gatshme të merrni përsipër përgjegjësitë për rrezikun që i kanoset jetës së të rinjve, që me frikë në zemër do t'i binden një urdhri tuajin arbitrar?!
Zonja Ministre vendimet tuaja ndodh që t’i rakordoni me ato të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi kjo e fundit ndalon grumbullimin masiv të personave në mjedise të mbyllura?! Keni bërë muhabet së bashku kohët e fundit për të qarë hallet?
Përse nuk u treguat kaq e gatshme e të vinit dorën në zemër kur studentët u ngritën në protesta për mbrojtjen e të drejtave të tyre studentore, të drejta që sot janë vetëm të formalizuara në Paktin për Universitetin por lënë për të dëshiruar në aplikimin e tyre në praktikë?!
Znj. Besa Shahini keni demonstruar disa herë që jeni aksidentalisht dhe fatkeqësisht drejtuese e udhëheqjes së institucionit të dijes. Ministria e Arsimit vazhdon të jetë totalisht e papërgatitur për një strategji të unifikuar për sa i përket mësimdhënies online apo gjetjes së çelësit të shpëtimit të vitit akademik edhe pse vazhdimisht spekuloni me digjitalizimin e arsimit, me fondet e shpërdoruara në buxhetin e shtetit, tendera korruptiv për blerjen e tabletave etj.
Studentet dhe familjet e tyre me të drejtë duhet ti kërkojnë kësaj ministre të dështuar të bëjë një përllogaritje të thjeshtë se cilat janë humbjet ekonomike, psikologjike që do të sjellë hapja e universiteteve në kohë pandemie sipas planveprimit të Rilindjes?!
Në këto ditë të vështira që bota po kalon nën pushtimin e pandemisë globale, sa herë që dilni në video e rehatuar nga shtëpia vërini gishtin kokës për të reflektuar se cilat janë zgjidhjet optimale për një proces te suksesshëm arsimor duke kursyer jetët e rinisë së vendit tonë.