Laçi po përfaqëson deri më tani më denjësisht skuadrat shqiptare në Kupat e Europës. Kurbinasit marrin pjesë në turin e dytë të Conference League, pasi fillimisht eliminuan Iskrën e Malit të Zi. Kundërshatri aktual është Petrocub-i i Moldavisë, me të cilën Laçi barazoi 0-0 në ndeshjen e parë në transfertë.
“Patjetër që kemi bërë gjysmën e punës, por është ndeshja e kthimit dhe do jashtëzakonisht vigjilencë, përgatitje, për ta kaluar me sukses. Jemi normalisht favorit, por do jetë një ndeshje jo e lehtë për t’u interpretuar,”-u shpreh Shpëtim Duro, trajner i Laçit.
Në intervistën për Report TV Shpëtim Duro nuk e përmendi si objektiv kualifikimin në grupet e Conference League, por preferoi të qëndronte me këmbë në tokë.
“Nuk mund të shkojmë aq larg. Unë sinqerisht them jam i përqëndruar te ndeshja e ditës së enjte që të përsërisim suksesin e vitit të kaluar, që do ishte një sukses i jashtëzakonshëm i Laçit. Nëqoftëse do kalojmë atëherë do mendojmë për kundërshtarin e rradhës,”-deklaroi Shpëtim Duro, trajner i Laçit.
Duro si trajner me shumë eksperiencë u ndal edhe te skuadra e tjera shqiptare që morën pjesë këtë sezon në Kupat e Europës. Ai pohoi se nuk e priste eliminimin e Partizanit në Conference League, por edhe të Tiranës në Champions.
“Partizani dhe Tirana kam mendimin se kishin kundërshtar të kalueshëm, por duhet interpretim i dy ndeshjeve për të kaluar. Duhet të shrytëzosh edhe mundësitë e ndeshjes së parë. Ishin dy eliminime që nuk e prisja. Ndërsa barazimi i Vllaznisë me Kraiovës iu përshtat nivelit të ndeshjes,”-tha Shpëtim Duro, trajner i Laçit.