Skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana, nis sonte në orën 19:30 aventurën e Champions League në Luksenburg kundër Dudelange. Te bardheblutë mbizotëron një atmosferë shumë optimiste, pasi ëndrra e madhe është për të kaluar sa më shumë raunde, duke i dhënë vazhdimësi asaj që është bërë një sezon në Superligë.
“Besoj se jemi gati edhe pse kemi disa shqetësime të vogla për shkak se Taulant Seferi dhe Totre kanë shfaqur disa probleme. Të shohim nëse do jenë në fushë apo jo,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Shorti i turit të parë kualifikues ishte zemergjërë me Tiranën pasi kishte rivalë shumë të fortë, por vitet e fundit skuadrat nga Luksenburgu kanë investuar shumë në futboll, aq më shumë Dudelange.
“Çdo skuadër kampione ka element shumë të rëndësishëm në skuadër. Për rrjedhojë na mbetet ne për ta interpretuar, por në Champions vlejnë shumë detajet, situate. Dhe nga një situatë që ti nuk e vlerëson sa ç’duhet atëherë mund të ndëshkohesh,”-deklaroi Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Në përballjen e parë trajneri Shehi merakun më të madh ka përshtatjen me stadiumin e Dudelange, pasi përmasat e tij janë më të vogla se fushat normale, ndërsa edhe kapaciteti nuk shkon më shumë se 2600 tifozë.
“Unë mendoj se nuk është në standartet e Championsit fusha, pasi është shumë e ngushtë. Nuk i ka përmasat e duhura ose normale, por kjo fushë është dhe duhet të përshtatemi sa më shpejt,”-tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Së bashku me Tiranën në Luksenburg kanë udhëtuar edhe një numër i konsiderueshëm tifozësh, ndërsa klubi ka vendosur edhe premio në rast se kalohet turi i parë.