‘Jemi me një këmbë në Europë’, Olsi Rama: Hoxha të ardhmen do e ketë te Partizani

15 Qershor 2020, 10:59| Përditesimi: 15 Qershor 2020, 11:02

  • Share

Drejtori i Partizanit Olsi Rama pas ndeshjes me Luftëtarin ku të kuqtë shpartalluan 8-1 gjirokastritët ka folur për mediat duke prekur disa çështje si periudha e keqe e skuadrës, objektivi për sezonin, por edhe për rinovimet. Mbi të gjitha për kapitenin Alban Hoxha, për të cilin flitet se pas 7 sezonesh mund të kalojë te Tirana, rivali më i madh i Partizanit.

“Luajtëm të përqendruar, luajtëm që në fillim të vendosur, edhe morëm një fitore të merituar. Deri tani është një sezon zhgënjyes për ne. E filluam mirë me fitimin e Superkupës dhe nuk kemi ecur ashtu siç duhet të ecnim në fazën e tretë dhe të katërt. Do të bëjmë çmos në ndeshjet që vijnë, për të arritur rezultatet maksimale.”

Europa: “Kemi 41 pikë tani dhe jemi me një këmbë në Europë. Por duhet të mendojmë gjithmonë ndeshjen e radhës. Ndeshjet janë të ngarkuar psikologjikisht, lojtarët vijnë nga një sezon atipik, ku kanë qëndruar afro 2 muaj në shtëpi. Që të gjesh përsëri një sezon të mirë si skuadër, do të duhet një kohë më e gjatë. Duhet të vlerësojmë çdo ndeshje që mos përzihemi në ujërat e pista. Synimi jonë është ndeshja e radhës, që është ajo me Flamurtarin.”

Rinovimet: “Për rinovimet sigurisht që kemi menduar, po punojmë me stafin teknik. Kemi menduar për të gjithë lojtarët që kemi në skuadër. I kemi folur hapur të gjitha gjërat si në një familje. U kemi thënë pakënaqësitë dhe detyrat që duhet të kenë. Që të gjithë e dinë, që këto ndeshje janë ndeshje që duhet të tregojnë edhe vlerat morale, që të meritojnë të jenë pjesë e rindërtimit të Partizanit.”

Alban Hoxha: “Albani është lojtari më i vjetër i ekipit. Pa diskutim është pjesë e planeve tona për të vazhduar më tej. U kam thënë lojtarëve që kanë kontratë që edhe për ata 2 muajt e ardhshme janë vendimtarë për të ardhmen. Janë marrëdhënie burrnore. Duke u bazuar jo vetëm te kontrata, por edhe te respekti reciprok. Alban Hoxhën unë e kam parë edhe të Kombëtarja, te Tirana nuk e di. Unë mendoj që Alban Hoxha të ardhmen do e ketë te Partizani.”

 

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?