Turiste pushtojne ishullin e Santorinit

Jemi më të bukurit apo më të shëmtuarit? Edhe në turizëm debati ynë është në ekstrem

1 Gusht, 17:13| Përditesimi: 1 Gusht, 18:16

  • Share

Nuk e di kur nisi ekzagjerimi i radhës nëse jemi më të mirët, të parët, më të bukurit, më të dëshiruarit në turizëm. Ka nisur një garë mes nesh (ekskluzivisht me njëri-tjetrin) për të treguar nëse Shqipëria është plot me turistë, apo bosh? Ashtu si çdo argument tjetër që nisim të debatojmë, për disa, nuk ka asnjëherë rrugë të mesme: Pra ose jemi më të mirët (maldivet e Europës, apo Tajlanda e Europës, apo Zvicra e Ballkanit etj.etj) ose jemi bosh fare, asnjë nuk na viziton, shezlongje bosh, çmime katastrofike, gjire bosh, rezorte katastrofike etj. etj.

Eshtë fakt se Shqipëria po vizitohet, po hapet, po përmirësohet, po eksplorohet, por që të tregojmë një entuziazëm ekstrem sikur nuk dimë se ç’bëhet në Santorinin fqinj, në Venecia, në Portofino, në Capri si në çmime, si në flukse, si në shërbime, si në bukuri, si në garën e dëshpëruar me pritje disa orëshe për të bërë një selfie nga mijëra të reja dhe të rinj, është më tepër se naive.

Eshtë gjithashtu fakt se kemi male të tëra punësh ende për të bërë, duke nisur nga pastërtia si një shërbim elementar, ku në parkun e madh të Tiranës, në rrugët e Sarandës, në derdhjet e lumenjve, ndërsa dëshiron të shijosh natyrën, ujërat e zeza njerëzore përplasen dhunshëm në shqisa duke shëmtuar gjithçka, dhe plehra të pakontrolluara vazhdojnë të jenë prezent dhe në vendet më të bukura që krenohemi çdo çast.

E ndërsa përpiqemi të gjejmë një rrugë të mesme mes fantazive me maldive e karaibe të disave dhe afganistanizimit (me gjithë respektin dhe për bukuritë e rralla natyrore të Afganistanit) të shërbimeve të disa të tjerëve, do të ishte e udhës të uleshim të gjithë me këmbë në tokë e me vëmendjen ose jashtë kangjellave apo mureve të blinduara të rezorteve të pasanikëve, ose nga dalja e “getove” të superrrezikshme që në të vërtetë në Shqipëri nuk ekzistojnë.

Në Taormina, në pjesën e lartë të qytetit antik ka hotele që për bukurinë, shërbimet, apo shtrenjtësinë, janë ekskluzivitet i pak njerëzve në botë, por rreth tyre, apo dhe në qytetëzat poshtë, çmimet janë normalë, njerëzorë, ku më lirë, ku pak më shtrenjtë se në Shqipëri. Klasifikimi i turizmit sipas shërbimeve, çmimeve, bukurive ekskluzive, është një “lojë” që bëhet prej dekadash në botën kapitaliste. Për ne duket që është një gjë e re, por globalizimi, marrja e shpejtë e informacionit dhe krahasimi i të dhënave gati në kohë reale përmes internetit, duhet të ishte një lehtësim që të paktën do të na kursente debatet e egra dhe të pakuptimta mes nesh. Por, çuditërisht, pikërisht ata që e kanë prekur edhe personalisht këtë realitet (të paktën sipas asaj që vetëpublikojnë në rrjetet sociale) duket se e ushqejnë akoma më shumë këtë sherr. Përse?

Jo shumë larg, por vetëm pak vite më parë malet e Shqipërisë ishin të pa eksplorueshme, kullat e saj më të mbyllura se kurrë, Pulja përballë ishte një ëndërr, ishujt e Greqisë të pastruar, të mirëmbajtur e riparuar nga duar shqiptare, dukeshin në realitet imagjinar. Sot shumë është ndryshe, por mos harrojmë, nuk kemi arritur ende asnjë majë. Edhe nëse dikush, personalisht e ka arritur majën e turizmit më të bukur, nuk vlen si garë. Do të jemi ndër më të mirët, kur përpara të konstatojmë se ecim harmonikë, të gjithë në respekt të rregullave, e sidomos të natyrës, që po bëhet bukuri ekskluzive e grabitqarëve me përvojë.

xy//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Baba: 02/08/2024 14:15

    Shkrim L .... Bulevadi bravo je me e mira ne bulevard

    Përgjigju
  • tani: 01/08/2024 18:42

    nuk zhvillohet turizmi me strategji,,,te dale ku te dale,,duhen plane,,projekte,,fonde te medha...dhe pune 24 ore....po kush ti beje rama,,berisha,,keta e jane nendjen per te vjedhur...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?