Familja Berisha-Malltezi

'Jemi thjesht një familje e shtresës së mesme, me kulla, vila, madje dhe rrugën tonë'

5 Shkurt, 19:53| Përditesimi: 5 Shkurt, 19:57

  • Share

Në artikullin e mëparshëm argumentova se dallimi themelor mes të majtës dhe të djathtës në Shqipërinë e tranzicionit është mes një ligjërimit modernizues dhe elitist që përfaqësohet nga e PS-ja dhe një ligjërimi thellësisht anti-elitist që përfaqësohet nga PD-ja.

Sipas kësaj llogjike PS-ja legjitimohet si një forcë që prodhon elitat modernizuese për të cilat ka nevojë Shqipëria. PD-ja nga ana tjetër, dhe sidomos ligjërimi berishist që e ka dominuar, është legjitimuar gjatë gjithë tranzicionit si forca politike që denoncon korrupsionin dhe arrogancën e elitave socialiste duke kanalizuar kështu mllefin popullor me keq-qeverisjen dhe padrejtësitë e shumta të shoqërisë shqiptare. Të dyja projektet e mësipërme sot janë në krizë pasi hendeku mes asaj që ofrojnë dhe asaj që artikulojnë është bërë gjithnjë e më i pakalueshëm.

Kriza është më e qartë në kampin opozitar, qoftë në lëvizjen berishiste që e dominon atë, qoftë në PD-në zyrtare që Basha e udhëheq në distancë me kohë të pjesëshme, pasi ende nuk dihet punësimi i tij me kohë të plotë. Hendeku mes ligjërimit dhe realitetit berishist kurrë nuk ka qenë më i thellë se sot, çka nuk e lejon atë të kanalizojë zemërimin e shumicës së elektoratit me arrogancën dhe korrupsionin e elitës qeverisëse socialiste.

Berishizmi sot e ka gjithnjë e më të vështirë të artikulojë ligjërimin anti-elitist, sidomos pas hetimit të privatizimit të sport-klub Partizanit nga ana e SPAK. Pavarësisht se si përfundon çështja e hapur nga SPAK në gjykatë, ku si Berisha, si dhëndrri i tij mund të shpallen të pafajshëm, hetimi nxorri në pah pasurinë e konsiderueshmë të familjes Berisha. Ajo tashmë i përket asaj pakice të pasuruar në pushtet që berishizmi e denoncon pafund.

Përpjekjet e tyre për të deklaruar se “jemi thjesht një familje e shtresës së mesme” tingëllojnë absurde përballë kullave të ndërtuara në Tiranë, apartamenteve në Bllok, dhe vilave në Gjirin e Lalëzit. Një politikan që tashmë ka edhe rrugicën e tij në një nga zonat më ekskluzive të bllokut nuk është shumë i besueshëm në denoncimin e elitës.

Natyrisht që nuk është krim për një politikan të jetë i pasur, apo që familjarët e tij të pasurohen, madje edhe gjatë pushtetit të tij. Problemi është se nuk mund ti përkasësh kësaj kategorie dhe njëkohësisht të denoncosh pasurimin e elitës në pushtet përballë varfërimit të popullit.

Sikurse thonë amerikanët “tortën nuk mund ta kesh dhe ta hash njëkohësisht”. Në rastin konkret, është e qartë se Berisha dhe familja e tij e hëngrën tortën anti-elitiste. Ndaj sot e kanë të vështirë të denoncojnë bllokmenët e rinj nga apartamentet e tyre luksoze në bllok.

Për këtë arësye hetimi i pasurive të familjes Berisha nga SPAK përbën një nga goditjet politike më të mëdha për berishizmin, edhe pse është nga shkeljet më të parëndësishme që ka bërë Berisha në tre dekada tranzicion. Ligjërimi anti-elitë politikisht e justifikon lehtë vrasjen makabre të 21 janarit si mbrojtje ndaj puçit të elitave të degraduara socialiste. Ama ndërtimi i kullave në Tiranë dhe i vilave luksoze në Gjirin e Lalëzit vështirë se mund të përligjen si përballje me elitën e degraduar socialiste.

Nuk është rastësi rënia drastike e mbështetjes për Berishën gjatë heqjes së imunitetit dhe arrestimit të tij për çështjen e sport-klub Partizanit. Natyrisht që rënia elektorale e berishizmit ka një sërë arësyesh të tjera, ndër të cilat përplasja me SHBA-të është themelore. Megjithatë dobësia e protestës demokrate gjatë arrestimit të Berishës është surprizuese për një politkan që mori qindra mijëra vota në zgjedhjet e fundit lokale, pa pasur vulë dhe logo.

Beteja me SPAK nuk e mobilizon elektoratin berishist sepse fut në krizë ligjërimin anti-elitë nëpërmjet të cilit berishizmi ka kanalizuar mllefin e elektoratit demokrat me elitat socialiste, shpesh arrogante, përcmçmuese dhe paragjykuese ndaj tij. Përplasja mes Berishës dhe Ramës tashmë shfaqet si një sherr brenda bllokut më shumë se sa një përplasje mes elitës socialiste dhe popullit të dhunuar demokrat.

Ky i fundit doli dhe protestoi kur “policia e Edi Ramës” vrau një qytetar të thjeshtë si Klodian Rasha në vitin 2020. Ngjarje të tilla nxisin reagimin social sepse simbolizojnë dhunimin e qytetarit të thjeshtë, sidomos atij verior dhe periferik, nga elita arrogante socialiste. Ama është e vështirë për këtë popullatë të dalë në mbrojtje të pasurive të familjes Berisha, edhe kur këto sulmohen në mënyrë të padrejtë nga “i degjeneruari Rama”.

Këtu qëndron kriza themelore e ligjërimit anti-elitist të Partisë Demokratike sot, qoftë ajo e Berishës apo e Bashës. Nuk duhet të harrojmë se Basha nuk ka ndonjë ligjërim politik të tijin. Opozitarizmi i tij vazhdon të jetë një kopje e zbehtë e berishizmit që gjithashtu fokusohet tek denoncimi i Ramës dhe i elitës së degraduar socialiste. Problemi me Bashën, ashtu sikurse edhe me Berishën, është se gjithnjë e më tepër perceptohet si pjesë e së njëjtës elitë që denoncon; politikanë që e përdorin pushtetin për tu pasuruar dhe jo për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
Ndaj si Berisha edhe Basha sot e kanë gjithnjë e më të vështirë të artikulojnë një opozitarizëm anti-elitisit. Ligjërimi anti-elitist e bën akoma më të pamundur krijimin e një elite politike që ofron një alternativë qeverisësëse përballë elitës të degraduar socialiste. As berishizmi, dhe aq më pak Basha, nuk kanë arritur të konosolidojnë një elitë politike në rradhët e PD-së.

Shumica e analistëve kritikojnë dhe tallen me figurat politike të Foltorës së Berishës për varfërinë papagalleske të artikulimit të tyre politik. Ama figurat politike të promovuara nga Lulëzim Basha janë akoma më skandaloze se ato të Berishës, si në artikulim edhe në aksionin (ose pasivitetin) e tyre politik. Disa mbasdite lëpijnë atë që sapo kishin pështyrë paradite, pa pritur as të thahet pështyma. Të tjerë e trajtojnë politikën si hobi, duke refuzuar të pozicionohen. Një politikan që nuk pozicionohet është po aq absurd sa një shkrimtar që nuk shkruan apo një piktor që nuk pikturon.

Dhe ky është ngërçi i dytë i projektit demokrat sot, në të gjitha copëzat e tij. Pjesërisht si pasojë e ligjërimit anti-elitist, dhe pjesërisht si pasojë e interesave mediokre të shefave, qoftë Berisha, Basha apo Bardhi, ai nuk ka arritur të krijojë një elitë politike që ofron alternativë qeverisëse ndaj socialistëve. Pa një elitë të tillë është e vështirë të prodhosh një ofertë qeverisëse.

Duhet të kujtojmë se ardhja në pushtet e PD-së në vitin 2005 nuk ishte thjesht pasojë e denoncimit të elitës së korruptuar socialiste, por edhe e krijimit të Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP) dhe e afrimit të elitave politike, mediatike, akademike dhe të shoqërisë civile. Pavarësisht degradimit të mëvonshëm, KOP-i ishte alternativa qeverisëse demokrate përballë elitës së korruptuar socialiste.

Sot asnjëra nga pjesëzat e PD-së, qoftë veçmas qoftë bashkë, nuk prodhon dot një KOP. Ndaj lufta në kampin opozitar sot është për të mbetur në opozitë dhe jo për të ardhur në pushtet. Problemi është se ngërçi i ligjërimit anti-elitist qoftë i Berishës, qoftë i Bashës, vështirëson edhe artikulimin e një opozitarizmi që nuk synon pushtetin.

E thënë ndryshe, kriza e projektit demokrat sot nuk është thjesht pamundësia për të ardhur në pushtet, por vështirësia për të mbetur në opozitë. Reduktimi i protestës opozitare nga sheshet e Tiranës tek rrugicat e ngushta të bllokut është dëshmia më e dhimbëshme e kësaj krize ekzistenciale.

Kjo krizë e thellë e projektit demokrat ka futur në krizë edhe projektin socialist. Ligjërimi elitist që mban në këmbë projektin socialist legjitimohet përballë ligjërimit anti-elitist të PD-së. Kjo e fundit kurrë nuk e ka vënë në dyshim elitizmin e socialistëve, përvecçse e ka denoncuar atë si të degraduar dhe të korruptuar. Në mungesë të ligjërimit berishist dhe zgjatimeve të tij mediatike mediokriteti i elitizmit socialist del zbuluar dhe vetë projekti fillon të kriset. Pikërisht këtë krizë të projektit socialist do shqyrtojmë në artikullin e radhës./Lexo

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 06/02/2024 13:46

    se duke pare kete foton po mendoja pse dhendrri u fut "kollovar' se prona kishte mbi 100 m2 :) se kemi pare njehere me te jatin dhe mamane e tij.. Jamarbrin

    Përgjigju
  • Asnjë gjë tjetër: 06/02/2024 09:07

    Kulla, vila, rrugë, biznese, etj .... Nuk i plasi njeriu çfarë kanë, vetëm ju të mediave që i bëni reklamë asgjësë që ata kanë që të lini popullin duke shikuar ata. Populli ju ka ba një mut e po ju ikën çfarëdo të kini ju atje.

    Përgjigju
  • Maria: 05/02/2024 20:18

    E nis artikullin me deklarimin qe e "majta" referuar PS, eshte nje elite moderniste-pra Rama dhe pupaci i tij Veliaj. Dhe nga fundi thote qe ne 2005 anti-elitistet rrezuan "modernistet" per korrupsion??!! Si duket autori mediokerr e konsideron "te majte" organizaten korruptive nen siglen PS, trashegimtare direkte e ish famkeqes PPSH dhe jo me dosido por perfaqesim brezash te polibyrose! Ndersa organizaten tjeter korruptive si reaksion i te pares, kryesisht periferike dhe fshatare nen diktatin e "kuadrit" qytetar, pra PD, na e quan te djathte. Qesharak.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?