Dy parodistët e Vlorës, Afrim Agalliu dhe Agron Hamo, ditët e izolimit i kanë shfrytëzuar për të krijuar një parodi për virusin Covid-19. Ata sjellin për publikun një mesazh për koronavirusin që pushtoi botë. ”Jepe besën, jepe fjalën. Të gjithë së bashku do ia dalim”.
Në një lidhje skype me Repolitx në Report TV, dy parodistët përveçse dhanë një mesazh për shqiptarët, u shprehën se mundësia e tyre për të kontribuar në këtë kohë është vetëm nëpërmjet humorit.
"Ditët e para të izolimit sikur nuk po ambientohesha dot por pasi kaluan disa ditë u mësova sepse kisha kohë që nuk rrija me familjen time duke qenë i angazhuar dhe me shfaqjet. Tashmë gjej kohë edhe për të lexuar, për të bërë fizkulturë pasi jam edhe një natyrë aktive dhe lëviz shumë gjatë ditës. Shok të ngushtë kam Afrimin dhe kam rreth 24 ditë pa e takuar pasi jemi nga Vlora dhe izolimin e kemi filluar 5 ditë më mbrapa. Parodinë e dytë do e lëmë surprizë. Unë isha mbështetësi i kësaj parodie. Artur Dhamo i madhi i muzikës e ka finalizuar dhe u bëmë një treshe e forte-tha Agron Hamo
Ndërsa për Afrim Agalliun parodisti tjetër vlonjat këshillat e ndjekura janë kura më e mirë për parandalim.
"Izolimin e kam përjetuar mirë, kam ndjekur këshillat e institucioneve kompetente pasi janë për të mirën tonë. Kjo e keqe ka dhe një të mirë pasi izolimi na bëri të kuptojmë se sa e shtrenjtë është liria. Gjithsesi jam i bindur që njerëzit përgjithësisht janë të ndërgjegjësuar dhe do e kalojmë shpejt. Realizimi i parodisë është bërë secili në shtëpinë e vet. Bazën muzikore e ka realizuar në studio maestro Dhamo. Në këto kushte është realizuar’’, tha Agalliu.