Kryetari i Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve, Selami Jenishehri, deklaroi sot në studion e Report Tv se Partia Demokratike nuk e kishte njoftuar për prezantimin e sotëm të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
I ftuar në ‘Sot, Live në Shqipëri” të moderatorit Nertil Agalliu, ish-deputeti teksa theksoi se partia e tij ka 25 mijë vota që prodhojnë 3 mandate deputetësh, deklaroi edhe se i ka kërkuar Sali Berishës përfshirjen e emrit të tij në listat e mbyllura. Në të kundërtën ai do mblidhte Kryesinë e partisë për të marrë vendim.
“S’më kishin njoftuar në prezantimin e koalicionit. Kemi prezantuar kërkesën për 1 deputet në listë të mbyllur. I kam kërkuar Berishës emrin në listën e sigurt. Luçiano Boçi na thirri në koalicion dhe për marrëveshje të aleancës. Kam gati programin dhe nuk pyes nëse Berisha nuk pranon. Meta është në listë të mbyllur, por çështjen e ka me Drejtësinë”, shprehet ai.
Më tej Jenishehri tregoi se ai kishte preferencë koalicioni me partinë e Dashamir Shehit, por Kryesia vendosi të kundërtën. I ishte ofruar edhe PS-së, me të cilën ishte më parë në koalicion, por është refuzuar, pasi mazhoranca doli e vetme. Jenishehri i cilësoi “budallenj” ata që thonë se nuk ka elektorat.
“Doja të bashkohesha me Dashamir Shehin, por kryesia vendosi për PD-në. Kam qenë në koalicion me PS-në. Ai thotë nuk do, ishim 34 parti, i kemi dalë borxhit, ne kemi ikur në koalicione të tjera. Thotë do të dalë vetëm. Nuk është e vërtetë që nuk kam mbështetës. Budallenjtë flasin kështu, ata le të vijnë te unë dhe t’i çoj te 5 zyrat e mia e të shikojnë. I jap 25 mijë vota dhe 3 deputetë PD-së.
E di kryesia për punën e listës, po nuk e pranuan, atëherë e vendos Kryesia”, përfundoi ai.
Komente
