Edmond Rrushi ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se drejtimin e AKU-së pritet ta marrë Olsi Komici, aktualisht Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Olsi Komici është diplomuar “Jurist” në vitin 1998 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2004 ai mori të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit. Komici ka një eksperiencë të gjatë profesionale në administratën shtetërore në pozicione të ndryshme pune, si jurist, ekspert ligjor, audit, e deri në nivele drejtuese.
Ka një eksperiencë rreth 7-vjeçare në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zyra të ndryshme vendore dhe në atë qwndrore. Gjithashtu, në vitet 2005 – 2006 ka punuar si jurist pranë Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe ka ushtruar detyrën e kryetarit të komanduar të Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ish-Pronarëve, qarku Tiranë.
Më tej, Komici ka punuar për një periudhë 7-vjeçare në fushën e kredive të këqija, në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, ku ka mbajtur detyra të ndryshme, përfshirë edhe postin e zv.drejtorit të përgjithshëm.
Për dy vjet, Komici ka punuar në Kryeministri si ekspert ligjor, anëtar i Task-Forcës “Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrën e tjetërsimit të pronës së paluajtshme shtetërore në zonën Vlorë-Sarandë“. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit në periudhën maj 2016 – maj 2017 dhe pas kësaj ka kryer detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t, deri në mandatimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Rrushi, ish-deputet i PL-së, u emërua drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), më 30 tetor 2023, pas dorëheqjes së Jeta Dedës nga kjo detyrë.
Lajmi në përditësim...