Lulzim Basha dje në protestën e opozitës

Jepi Bashës atë që i takon Bashës!

27 Maj 2018, 10:15| Përditesimi: 27 Maj 2018, 10:20

  • Share

Ka një tendencë nga të vetët, për ta akuzuar Lulzim Bashën se ishte protagonist në shuarjen e revoltës së demokratëve përpara ministrisë së Brendshme. Për të gjykuar nëse bëri mirë apo keq, duhet t’i marrim me radhë situatat që rrodhën, që nga parapërgatitja e protestës e deri tek mbërritja e saj në dyert e ministrisë.

Ka një paqartësi në lidhje me shkakun që e detyroi Lulzim Bashën për të ndërmarrë aksionin opozitar për të protestuar. Shkaku është çështja “Xhafaj”, por këtu ndalemi në dy momente.

Së pari, kemi dënimin e të vëllait të ministrit nga autoritet gjyqësore italiane. Një dënim që dihej botërisht këtu e shumë vite më parë dhe që përfundimisht ishte mbyllur si proces në vitin 2012. Këtu në Shqipëri, për këtë dënim, Agron Xhafajn e kanë trajtuar si një lider të trafikut të drogës duke e mbivlerësuar, kurse në Itali, pasi e kanë mbajtur veç një muaj në qeli, e kanë nxjerrë dhe e kanë dëbuar nga Italia, për të mos e kërkuar më edhe pasi ka marrë dënimin.

Italia nuk është nga ato shtete indiferente që bosët e mëdhenj të drogës i anashkalon. Fakti që nuk e kanë kërkuar asnjëherë tregon parëndësinë që ai kishte për shtetin italian. Për aq vite sa është dënuar Agron Xhafaj në Itali, në Shqipëri janë dënuar individë që u janë gjetur në xhep vetëm 50 gramë hashash. Me këtë nuk dua të justifikoj veprimin e Agronit, por dua që të mos bëhet politikë duke e mbivendosur atë si kokën e mafias së drogës. Kjo është e tepërt dhe abuzive dhe nuk përbën kauzë politike për të ngritur njerëzit në protestë.

Së dyti, kemi audio-përgjimin e Babales dhe më pas video-dëshmitë kontradiktore të dy protagonistëve, dëshmitarit “X” (Albert Veliu) dhe gazetarit “Y” (Jetmir Olldashi). Dita- ditës kemi një shfryrje të kësaj kauze që deshi të ngrinte opozita, sepse pjesa dërrmuese e opinionit publik nuk e besoi materialin e shërbyer nga selia e SHQUP-it. Tashmë që kjo çështje ka marrë udhën e zbardhjes nga organet e drejtësisë dhe kur jemi përpara një sfide që vetë ministri Xhafaj i ka bërë Lulzim Bashës ku angazhohet publikisht që, ose njëri, ose tjetri, të largohet nga politika nëse audio-përgjimi del i vërtetë apo fals, është pa asnjë kuptim që mbi këtë tymnajë të ndërtosh kauza politike që shkojnë deri në përmbysje qeverish.

Në kushtet kur mungojnë pikërisht kushtet që të çojnë në formulimin e kauzës frymëzuese për revoltë popullore, Lulm Basha kërkoi që edhe në mungesë të saj, të hedhë hapin për të organizuar një protestë. Flamuri antidrogë, në kuptimin e përgjithshëm të fenomenit, që Partia Demokratike ka rrëmbyer dhe po e tund fort, nuk është shumë korrekt nga pikëpamja e precedentëve të ngjashëm që kjo parti ka toleruar me vetëdije (edhe Basha si ministër) përgjatë gjithë viteve që ka qeverisur. Megjithatë, në politikë është e drejta e çdo partie të bëjë hipokriten. Është populli pastaj që ia pranon ose jo hipokrizinë.

Gjithsesi, çfarëdolloj kauze që opozita ngre e që bëhet shkak për të protestuar është e justifikuar për sa kohë nuk ngrihet mbi shpifjen dhe trillimin mbi të cilin është ngritur.

Kur kauza është e vërtetë, është e besueshme dhe nuk ka nevojë fare të organizosh protestues nga rrethet, që kanë edhe kosto financiare, por të mjaftojnë 1 milionë banorët e Tiranës që ta tronditësh nga themelet qeverinë.

Kur kauza është e rreme, jo vetëm që të duhen protestues nga rrethet, por edhe grupe huliganësh për të provokuar situata dhune me qëllim pasjen e një shkaku për të përligjur dhunën tënde.

Protesta e 26 majit, ku Lulzim Basha thirri popullin opozitar për të rrëzuar ministrin e Brendshëm, ishte një kauzë e rreme që u ngrit mbi dëshminë e rreme të Babales dhe si e tillë nuk ngjiti në popull. Natyrisht, 5 mijë vetë nga e gjithë Shqipëria i mbledh edhe një shoqatë ambientaliste, e jo më partia më e madhe opozitare që i ka 400 mijë vota nga zgjedhjet e fundit.

I gjendur i braktisur nga populli në bulevard, Lulzim Basha u rrek t’i paraqesë ata si qindra mijëra protestues, duke e çuar më tej kauzën e rreme, edhe tek numri i pjesëmarrësve.

I ndodhur nën tensionin e pjesëmarrjes, Lulzim Basha e mbylli sa më shpejt të jetë e mundur fjalimin e vet dhe i orientoi protestuesit që, ashtu siç ishin, të gjithë së bashku, të shkonin tek kalorësi para Skënderbeut. Kësisoj, ai po i ftonte të shkonin tek ministria e Brendshme. Aty ai u shkëput prej të vetëve dhe iku në drejtim të selisë së PD-së. Pra, ajo masë njerëzish u lanë të lirë të bënin ç’të donin, por lideri Basha nuk mbante përgjegjësi.

Protestuesit që u orientuan për të shkuar tek ministria e Brendshme ishin dy lloje kategorish:

Të parët ishin pasivët, që shkuan aty për të dhënë me prezencën e tyre mesazhin se nuk janë dakord me Fatmir Xhafën si ministër i Brendshëm.

Të dytët ishin aktivët, grupet e të rinjve, më së shumti anëtarë të forumit rinor demokrat, që e kishin ndarë mendjen për të bërë skena dhune duke tentuar të hyjnë në ministrinë e Brendshme për ta djegur atë. Në këtë rast, unë as po fantazoj e as po thur teori konspirative. Unë thjesht bazohem jo vetëm nga ajo që pashë nëpërmjet televizorit në përpjekjen e dhunshme për të çarë gardhin e policëve që ruanin ministrinë, por bazohem tek më kryesorja, tek dëshmia që një anëtar i forumit rinor demokrat dha menjëherë pas përfundimit të protestës. I riu Gentjan Gjonaj, pjesëmarrës në protestë, i identifikuar si anëtar i FRPD-së, gjatë një interviste për TV FaxNews, u shpreh se: “Nëse Lulzim Basha nuk do kishte ardhur për të tërhequr protestuesit, ministria e Brendshme do kishte përfunduar si trau i tunelit të Kalimashit”.

Për ata që s’e dinë, e gjithë ndërtesa që u ngrit në hyrje të tunelit të Kalimashit ku do kryheshin pagesat për kalim vajtje ardhje, u dogj e u shkrumbua e tëra. Kjo do të thotë që edhe godina e ministrisë së Brendshme do të pësonte të njëjtin fat, sipas skenarit që kishin ndërtuar të rinjtë demokratë.

Në historinë e këtyre 28 viteve demokraci, ka qëlluar që ka rënë dhe është djegur edhe godina e kryeministrisë më 14 shtator 1998. Por, në këto 28 vite, godina e ministrisë së Brendshme nuk është prekur e as tentuar të preket as në vitin 1990, as në 1991-shin, as në 1997-ën, as në 1998-ën, e as në 2011-ën. Godinat e ministrisë së Brendshme e asaj të Mbrojtjes, pa mohuar rëndësinë e të tjerave, janë godina simbol që në çdo shtet të botës, ai që tenton t’i godasë dhe t’i djegë, në finale ka marrë plumbin dhe askush nuk e ka diskutuar më. Bëjnë përjashtim vetëm rastet kur këto godina t’i godet dhe t’i shemb NATO me bombardim, për Shqipëria nuk ndodhet në ato kushte që u ndodh Serbia.

Kur përligj plumbin për ata që do tentonin t’i vinin flakën ministrisë së Brendshme, nuk dua të bëj hipokritin kur akuzoj Sali Berishën dhe Lulzim Bashën si përgjegjësit kryesorë të vrasjeve më 21 janar. Për parantezë, theksoj se më 21 janar 2011 pati rezistencë të dhunshme nga protestuesit, por assesi tendencë për të mësyrë kryeministrinë. Shikojini pamjet në YouTube, momentin kur Garda hedh atë gazin mbytës që detyroi kordonin e policisë të braktiste rrethimin e kryeministrisë e të merrte arratinë.

Demonstruesit hipën mbi mur tek rrethimi i kryeministrisë, ngrinin duart lart në shenjë triumfi, por asnjëri nuk tentoi ta kalojë, ndonëse lartësia e gardhit nuk i kalonte 50 centimetrat. Ai ishte një moment oportun ku turma mund të mësynte pa pengesë nga hyrja kryesore brenda në kryeministri, e megjithatë s’e bëri. Edhe vrasja e 4 demonstruesve ndodhi kur përpara kryeministrisë ndodheshin veç një grusht njerëzish, më se të menaxhueshëm, më së shumti sehirxhinj, ndërkohë ata që u vranë ishin disa dhjetëra metra larg gardhit në rastin e Zverit dhe Faikut, e qindra metra në rastin e Hekuranit dhe Aleksit.

Ndonëse Lulzim Basha po kryqëzohet pse u nis enkas nga selia e SHQUP-it për t’i tërhequr të rinjtë e dhunshëm, ky është një moment për ta përgëzuar atë. Megjithatë, edhe ky moment ka tri momente për ta analizuar pse ndodhi.

Së pari, duke qenë se Lulzim Basha ishte ai që i drejtoi protestuesit drejt ministrisë së Brendshme, çdo gjë që do pas rridhte mbas një situate hipotetike të mësymjes drejt ministrisë, do kishte pasoja penale të drejtpërdrejta edhe mbi vetë Lulzim Bashën.

Së dyti, Lulzim Basha do ketë marrë ndonjë ultimatum nga partnerët ndërkombëtarë, brenda a jashtë Shqipërisë, që situata po i del jashtë kontrollit tek një godinë që ata s’të falin dhe ai do të ketë pasoja për çfarë do ndodhë aty.

Së treti, Lulzim Basha ka parë që është e mjaftueshme rezistenca e protestuesve dhe ai nuk ka dashur ta rëndojë më tej situatën duke menduar se e dha sinjalin, si për qeverinë, ashtu edhe për ndërkombëtarët që, është i zoti të gjejë 300 kamikazë nëpër Shqipëri, për të bërë trazira. Me këtë ai ka dashur të përçojë mesazhin që, mos më ngisni me dorë penalisht për çfarëdolloj gjëje që kemi bërë unë, Berisha & Co në të kaluarën, pasi i kemi disa grupe të gatshme huliganësh që janë gati të sakrifikohen për ne.

Të tria këto opsione që përmenda janë të mundshme, por se cili është i vërteti vetëm Lulzim Basha e di. Gjithsesi, cilido që të jetë, ajo që bëri Lulzim Basha ishte gjëja e duhur e racionale. Në këtë rast ai u soll si një lider politik, pavarësisht se kritikët e tij kalojnë në ekstrem duke kërkuar tek ai një lider guerrilas. Këta që e akuzojnë Lulzim Bashën për veprimin e tij, janë po të njëjtën që përligjnin veprimin e Gardës së Republikës  kundër demonstruesve më 21 janar. Qoftë edhe i kompleksuar nga kjo datë, Lulzim Bashës duhet mos t‘i hahet haku duke i njohur meritën që uli tensionin në momentin e duhur. Prandaj s’na mbetet tjetër veç të themi shprehjen lapidare: “Jepi Bashës atë që i takon Bashës!”

Komento

Komente

  • Karadakliu: 28/05/2018 08:54

    Bashes, dhe jo vetem atij,por edhe Salihut,Paloks,Alibejes,Vokshit,Ristanit,Nishanit Topallit dhe srgateve te tyre,Metes,Kryemadhit,Vasilit, Mediut,Shehit, Nokes, duhet dhene ate qe meritojne, Ndeshkimin nga drejtsia per krimet,vjedhjet dhe vrasjet e kryera ndaj shqiptareve dhe Shqiperise,Vettingu eshte forma, menyra dhe mjeti adekuat,nga i cili hikun dhe frigohen si nga djalli.Andaj,te vetedishem se nuk kane pas askend, organizojne bllokim e protesta.

    Përgjigju
  • Kamaleoni: 27/05/2018 13:29

    O vllai populli yne me tvertet seshte ndonje i spikatur per inteligjence po dhe kaq i trashe sa ti serviret ky shkrim qyrrashesh me idene qe kaq kuptojne mbi te vertetat... nuk eshte...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?