Prokuroria e Milanos, në bashkëpunim me njësinë ROS të Karabinierëve, ka përfunduar hetimet ndaj dy personave që operonin kryesisht në rajonin e Lombardisë.
Këta individë, që nga fillimi i vitit 2023, dyshohet se kanë bashkëpunuar me shërbimet e inteligjencës ruse duke ofruar informacione të sensitive.
Këto përfshijnë hartimin e sistemeve të mbikëqyrjes me video në qytetet Milano dhe Romë, me vëmendje të veçantë ndaj “zonave gri,” pra atyre zonave ku nuk ka kamera sigurie apo pajisje të tjera monitoruese, si kamera në makina taksie.
Dyshohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të “korrupsionit të qytetarit nga një shtet i huaj,” me qëllime të rënda si terrorizmi dhe rrëzimi i rendit kushtetues.
Sipas një deklarate të nënshkruar nga zëvendësprokurori Eugenio Fusco, drejtues i grupit antiterrorizëm në Milano, të akuzuarit – të cilët janë shtetas italianë – mendohet se operonin nga rajoni i “Lombardisë së sipërme.”
Hetimet, të nisura në prill të vitit 2024, kanë ardhur pas një operacioni kompleks të udhëhequr nga ROS në Milano, në bashkëpunim me Seksionin e Kriptovalutave të Komandës së Karabinierëve në Romë.
Gjatë këtyre hetimeve është zbuluar se shtetas rusë kishin tentuar të rekrutonin këta individë dhe kishin komunikuar me ta përmes platformës Telegram.
Në këmbim të pagesave në kriptovaluta, të dyshuarit dyshohet se kishin mbledhur dokumente të klasifikuara, fotografi të instalimeve ushtarake dhe informacione mbi ekspertë të specializuar në teknologjinë e dronëve dhe sigurinë elektronike.
Gjatë kontrollit të kryer ndaj tyre, janë zbuluar prova që tregojnë interesin e inteligjencës ruse për hartimin e sistemeve të mbikëqyrjes në Milano dhe Romë, me fokus në zonat që nuk mbulohen nga kamerat.
Për më tepër, dy individët, ndaj të cilëve ka nisur procedura e mbylljes së hetimeve, dyshohet se i kanë propozuar disa kooperativave të taksive në Milano një plan biznesi për të instaluar falas kamera sigurie (dash cam) në automjetet e shërbimit.
Ky plan synonte që, pa dijeninë e shoferëve të taksive, të dhënat e mbledhura të menaxhoheshin nga inteligjenca ruse për qëllime të ndryshme./ La Repubblica