Baneri i ekspozitës së Paolo Rossit

‘Jeta dhe karriera e Paolo Rossit’, ekspozitë 24 ditore në Tiranë për legjendën e futbollit! Falas për publikun

27 Janar, 14:31| Përditesimi: 27 Janar, 14:32

  • Share

Më 1 shkurt do të çelet në Tiranë ekspozita mbi jetën dhe karrierën e ish-sulmuesit të famshëm italian, Paolo Rossi, i cili me ‘axurrët’ fitoi Botërorin dhe ‘Topin e Artë’. Ekspozita do jetë konkretisht në Muzeun Kombëtar nga data 1 deri më 24 shkurt, ndërsa do jetë i hapur falas për publikun.

Në ceremoninë e inaugurimit, që do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Kombëtar më 1 shkurt duke nisur nga ora 16:00, do të jenë të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ambasadori Italian në Shqipëri, Fabrizio Buçi, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti, ish-trajneri Arrigo Sacchi, ish-futbollistët e famshëm Antonio Cabrini dhe Marco Tardelli gjithashtu dhe arbitri izraelit i finales së Botërorit 1982, Itali–Brazil, Abraham Klein.

Kjo ekpsozitë vjen në Tiranë falë bashkëpunimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, qeverisë, Fondacionit “Paolo Rossi” dhe Ambasadës Italiane në Shqipëri. Hapësirat e ekspozitës, të cilat do të përshkruajnë në mënyrë kronologjike jetën dhe karrierën e Paolo Rossit, janë realizuar falë investimeve të rëndësishme për një projekt shumë të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar përsa i përket inovacionit dhe ndërtimit të ekspozitës mbi jetën e një personazhi të fushës të sportit.

Në veçanti, ekspozita do të paraqesë nëpërmjet telajove, paneleve, stampave, banerave, flamujve, monitorëve, dokumenteve dhe fotove një rrugëtim nga debutimi e deri në përmbylljet e karrierës së legjendës italiane me mbi 500 relike unike përfshirë këtu dhe trofetë më të rëndësishëm:

Topin e Artë të vitit 1982 nga “France Football”

Trofeun e Këpucës së Artë të golashënuesit më të mirë të Botërori “Spanjë 1982”

Trofeun e Topit të Artë si lojtari më i mirë Botërorit “Spanjë 1982”

Bluzën e finales së Botërorit “Spanjë 1982”

Këpucët e tripletës në ndeshjen ndaj Brazilit

Ekspozita gjithashtu do të presë në ambientet e saj një projekt të realitetit virtual, që do t’i japë mundësinë vizitorëve të përjetojnë edhe njëherë tre golat ndaj Brazilit të ulur në tribunat e stadiumit të vjetër “Sarrià” në Barcelonë.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?