Alec Baldwin

Bota

Jeta dhe kohët e errëta të aktorit Alec Baldwin që vrau fotografen gjatë xhirimeve

22 Tetor 2021, 19:22| Përditesimi: 22 Tetor 2021, 19:27

  • Share

Një karakter jo i thjeshtë

Ai nuk është i famshëm për personazhin më të thjeshtë në botë. Alec Baldwin, aktor, humorist, absolutisht i zhdërvjellët në xhirime, e ka kombinuar gjithmonë karrierën e tij me anekdota për jetën private që flasin për një temperament të tij jo të qetë. Krizat e tij të zemërimit mbushën faqet e gazetave dhe revistave, veçanërisht disa vite më parë: në vitin 1995, për shembull, ai sulmoi një paparac që kishte fotografuar gruan e tij, Kim Basinger dhe vajzën e tyre, Irlandën. Në tetor 2021, ndërsa mbante një pistoletë duke menduar që nuk ishte e mbushur, ai vrau aksidentalisht drejtoren e fotografisë së “Rust”, Halyna Hutchins.

Arrestimi për një sherr

Një tjetër episod që lë të kuptohet për mungesën e qetësisë dhe diplomacisë që e dallon Baldwin ka ndodhur në vitin 2014, kur ai u arrestua për një mosmarrëveshje me policinë. Arsyeja? Ai u ndalua duke ecur me biçikletë në drejtimin e gabuar në Nju Jork, ku jeton. Siç duket një gjë e tillë nuk i ka pëlqyer.

Divorci nga Kim Basinger

Një tjetër kapitull i dhimbshëm dhe i ndërlikuar në jetën e aktorit lidhet me divorcin e tij nga Kim Basinger, me të cilën ai ishte i martuar nga viti 1993 deri në vitin 2002. Fundi padyshim i turbullt i marrëdhënies ka dhënë material në favor të shtypit (Basinger e kishte krahasuar ish-burrin e saj me Sadam Huseinin, për shembull) si dhe një betejë të gjatë dhe shumë të vështirë ligjore, gjatë së cilës Baldwin gjithashtu duhej të luftonte për të qenë në gjendje të vazhdonte të shihte dhe takonte vajzën.

Arrestimi në 2018

Në vitin 2018, një tjetër krizë zemërimi rezultoi në një arrestim. Këtë herë arsyeja ishte një mosmarrëveshje për një parking, gjithashtu në Nju Jork: aktori në atë rast duhej t’i përgjigjej akuzës për sulm në gjykatë. Gjithçka ndodhi në një parking të West Village, ku një burrë 49-vjeçar rrëmbeu një vend parkimi që një anëtar i familjes Baldwin po mbante të zënë për të parkuar Cadillac Escalade të aktorit. Baldwin nuk e kishte pritur mirë këtë gjë: 49-vjeçari më pas shkoi në spital me dhimbje në nofullën e tij, por aktori e kishte mohuar ta kishte goditur me grusht.

Krizat depresive

Një kapitull tjetër i fazave të errëta të Baldwin është ai i lidhur me krizat e tij depresive. Në vitet ’90, janë krizat depresive ato që e çuan atë të abuzonte me alkoolin dhe drogat e tjera. Mirëpo kohët e fundit e kishin shtyrë të shpallte se donte të tërhiqej nga skena, si i kënaqur me punën e tij: “Karriera ime është një dështim i plotë. Qëllimi i një aktori është të luajë role të paharrueshme, të afta për të zvarritur historinë e filmit. Nuk e kam pasur kurrë këtë kënaqësi”. Kjo pavarësisht se është ndër interpretuesit më të kërkuar dhe të gjithanshëm.

Jeta e re dhe gruaja e re Hilaria Lynn Thomas

Gjithçka dukej se kishte ndryshuar për mirë, për Baldwin, me takimin e dashurisë së tij të re, instruktores Hilaria Lynn Thomas. Pas një viti fejesë, ai u martua me të më 30 qershor 2012, në Katedralen e Shën Patrikut në Nju Jork. Më 23 gusht 2013 ata u bënë prindër të një vajze të vogël të quajtur Carmen Gabriela dhe më 17 qershor 2015 u lindi edhe një djalë, Rafael. Çifti pati fëmijën e tyre të tretë, Leonardo Àngel Charles, më 12 shtator 2016. Fëmijën e tyre të katërt e patën në maj 2018, Romeo Alejandro David dhe më pas dy të tjerë: Eduardo, i cili lindi shtatorin e kaluar dhe e fundit është vajza Lucia. Aktori ka falënderuar shpesh gruan e tij që e ka “shpëtuar” nga vetja, duke i dhënë një ekuilibër të ri.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?