Festivali i Filmit Tribeca, që çel siparin më 4 qershor këtë vit në Njiu Jork, do të hapet me premierën botërore të dokumentarit mbi jetën e muzikantit të madh amerikan, Billy Joel.
Dokumentari “Billy Joel. And So It Goes”, në shqip “Billi Joel, dhe kështu vazhdon” është një eksplorim në jetën dhe muzikën e kantautorit, duke përfshirë mënyrën se si dashuria, humbja dhe betejat personale që artisti ka përjetuar kanë nxitur shkrimin e këngëve të tij.
Shfaqen për herë të parë filmime personale të artistit, fotografi familjare si dhe intervista ekskluzive.
Billy Joel, sot 75 vjeçar, është këngëtar, pianist dhe kompozitor amerikan, i njohur për baladat e tij të muzikës pop. Albumi i tij i parë, “Piano Man” (1973), përfshin edhe këngën e tij hit me të njëjtin titull, që është bazuar nga përvoja personale e artistit në një piano bar.
Përzierjet e ritmeve soul, pop dhe rock ndihen në albumet pasuese të Joel, të cilat u vlerësuan nga kritikët.
Fitues i çmimit “Grammy” dhe me qindra performanca skenike e plot vlerësime të tjera, Joel lançoi gjatë 2024-ës, këngën e tij të re pop, e para pas shumë vitesh, “Turn the Lights Back On”, ose në shqip “Ndizni përsëri dritat”.
Me histori personale të trazuara, lidhje të shumta dashurie, varësi nga alkooli e tentativa për vetëvrasje, jeta e Joel nuk ka qenë aspak e thjeshtë dhe përbën një subjekt të vërtetë filmik.
Sipas Jane Rosenthal, bashkëthemeluese dhe CEO e festivalit Tribeca dhe Tribeca Enterprises, Billy Joel është një nga ata artistë, që i ka dhënë e vijon t’i japë Nju Jorkut zemrën dhe shpirtin e tij.
Ndërsa regjisorja dhe producentja e filmit, Susan Lacy shprehet se ajo dhe bashkëregjisorja, Jessica Levin janë të emocionuara që dokumentari është zgjedhur të hapë Festivalin e Tribeca-s.
“Billy Joel: And So It Goes” drejtohet dhe prodhohet nga fituesit e Çmimit Emmy, Susan Lacy dhe Jessica Levin dhe do të transmetohet në HBO këtë verë.
Komente
