PARIS- Vitet e fundit kanë qenë një spektakël i dhimbshëm! Akuza, ofendime, ankesa, intervista që përhapën helm për mbi 120 hekatër tokë në Douchy, në luginën e Loire, rezidenca-strehë ku ishte tërhequr për të jetuar aktori.
I heshtur dhe i dridhur, ndonjëherë i munguar pas goditjes së tij në vitin 2019, Alain Delon gjysmë i vetëdijshëm dëshmoi "kërkimin" e familjes së tij: luftën e egër midis dy djemve nga njëra anë, Anthony dhe Alain-Fabien, dhe vajzës së vetme Anouchka, e preferuara e aktorit dhe e favorizuar në pasuri.
Fëmija i parë, Anthony, erdhi në jetë në vitin 1964 nga marrëdhënia e aktorit me Nathalie Delon (emri i vërtetë Francine Canovas): në moshën 4 vjeçare prindërit e tij ishin ndarë tashmë. Anthony ka folur shpesh për mundimet e fëmijërisë së tij, në TV, në gazeta dhe në dy libra autobiografikë: një baba i paarritshëm në kulmin e karrierës së tij - "ai më dukej si një hero, një hyjni" - jo shumë i disponueshëm, i ashpër ndaj acarimeve, ndërsa nëna u bë e varur nga droga.’ Djali lë shkollën dhe futet në telashe... në moshën 17 vjeç, i armatosur, duke drejtuar një makinë të vjedhur. Ai përpiqet të kthehet në rrugën e duhur, përpiqet të jetë një sipërmarrës, por babai i tij nuk e ndihmon. Madje duket se e pengon atë. Ai e ndalon atë të përdorë të njëjtat iniciale si të tijat. Ai provon kinemanë, por babai i tij nuk e mbështet.
Vëllai i tij Alain-Fabien lindi në vitin 1994, nga lidhja e tij me modelen holandeze Rosalie Van Breemen. Por edhe ai nuk ka fat më të mirë! Ai thotë se ndihet i braktisur dhe i keqtrajtuar, pjatat që fluturojnë, xhami i thyer, "një shtëpi të të çmendurve". Është vetëm 8 vjeç kur babai i ndalon të shkojë në dasmën e nënës së tij (nga e cila ishte ndarë Alain siç edhe pritej): “Bëhu burrë”, e urdhëron. Dhe në një sekuencë të ngjashme me atë të vëllait të tij më të madh, Alain-Fabien bëhet i pasionuar pas armëve dhe lëndon pa dashje një vajzë të vogël në një festë dhe futet në telashe. Në moshën 18-vjeçare babai i tij i ndërpreu të ardhurat.
Vajza, Anouchka, lindi në vitin 1990, që gjithashtu ishte vajza e Rosalie dhe ndërsa ajo rritet, marrëdhënia e Alain me dy djemtë përkeqësohet. Vajza mbush 18 vjeç dhe babai i saj i deklaron: “Nuk i kam thënë askujt “të dua” aq sa asaj”. Për Anouchka ai hap skena filmash dhe skena teatrale, ajo është e vetmja që ka një rol (si zëvendëspresidente) në Alain Delon International Diffusion në Gjenevë. Vajza e tij është e vetmja që ai kërkon (në vitin 2019, para goditjes në tru) ta shoqërojë në ceremoninë e nderit në Festivalin e Filmit në Kanë.
Duket si vazhdim i një historie të trishtuar që nuk mbaroi në një brez: vetë Alain Delon si fëmijë u braktis nga babai i tij e më pas nëna e tij u rimartua me një kasap. 'Ndihesha i tepërt, nuk dija se çfarë do të bëhej me mua!'.
Në shtypin francez, ata që e kanë ndjekur për vite me radhë dhe janë gjithashtu të njohur me implikimet e tij psikoanalitike, shkruajnë se kjo adoleshencë e dhimbshme dhe e turbullt, e shpëtuar nga kinemaja duhet ta ketë bërë atë të konsideronte djemtë e tij si rivalë të mundshëm! Alain Delon, pas vdekjes së tij, la pas një klan të rrënuar.
Kësaj i shtohet historia rrëqethëse e djalit që nuk e njohu kurrë, Ari Boulon, djali jolegjitim i aktorit me këngëtaren Christa Päffgen, i cili vdiq në varfëri totale pas vitesh varësie ndaj heroinës më 20 maj 2023.
Epilogu i kësaj trashëgimie të dhimbshme është në një testament - mbi të cilin beteja ka nisur prej muajsh - i cili ia cakton gjysmën e pasurisë (shtëpi, vepra arti, honorare filmike) Anouchka-s dhe i lë dy meshkujt të ndajnë pjesën tjetër.
Akuza të kryqëzuara për "manipulim", fyerje të dhunshme, regjistrime të fshehura, ndërrim arbitrar i truprojave dhe ndërprerje të trajtimeve shëndetësore: një rrjet komplotesh dhe misteresh që është pamja e fundit, më e trishta e mundshme, e një perëndie të vërtetë filmi.../ Marrë nga Corriere Della Sera
Si gjithe akoret , 30 vjetet e fundit na u futen dhe politikanet, trump 3 gra, Putin pa limit, berlusconi, rama etjera
Përgjigju