Prokurorja afgane, Moshtari Danesh

Jeta e prokurores afgane, në rrezik nën sundimin taliban: Po vuajmë nga varfëria, jetojmë në mjerim

13 Janar 2022, 20:00
  • Share

Moshtari Danesh kapërceu shumë barriera për të realizuar ëndrrën e saj që të bëhej prokurore në Afganistan. Kur ishte fëmijë, ajo ishte infektuar me virusin e polimelitetit, që e la atë me aftësi të kufizuara.

Por, pasi vendosi një këmbë protetike dhe me ndihmën e patericave, ajo ndoqi shkollimin dhe më pas shkoi në universitet dhe u diplomua në drejtimin juridik.

Danesh po ashtu u desh që të tejkalonte diskriminimin gjinor në shtetin konservator të dominuar nga burrat, ku gratë përballen me pengesa të mëdha për t’u shkolluar dhe punësuar.

Pesë vjet më parë, të gjitha këto sfida që i kaloi iu shpërblyen pasi fitoi postin e prokurores në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Më herët gjatë vitit të kaluar, ajo u promovua që të mbikëqyrte rastet që përfshinin dhunën ndaj grave, një çështje që ajo e ka për zemër.

Por, ëndrra e Daneshit shpejt u kthye në makth kur talibanët rrëzuan Qeverinë afgane të njohur ndërkombëtarisht dhe morën pushtetin në muajin gusht.

Gjatë pesë muajve të fundit, grupi militant ka hequr shumë të drejta për gratë dhe vajzat, të drejta këto që ishin fituar pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që më 2001, që rrëzoi nga pushteti regjimin taliban.

Talibanët ua kanë ndaluar shumicës së grave që të kthehen në vendet e tyre të punës. Shumica e vajzave po ashtu nuk mund të vijojnë shkollën e mesme dhe ky grup militant ka vendosur kufizime të ashpra sa i përket lëvizjes, por edhe dukjes së grave.

Disa ditë pasi talibanët morën pushtetin, Danesh humbi vendin e saj të punës në kryeqytetin afgan, Kabul. Që atëherë ajo ka mbetur pa punë dhe po ka vështirësi që ta mbajë familjen.

“Kemi disa muaj që jetojmë në mjerim”, tha Danesh, duke shtuar se në muajt e fundit nuk ka mundur që ta paguajë qiranë. “Po vuajmë nga varfëria”.

Si shumë afganë, Danesh është prekur nga kriza shkatërruese ekonomike, që u shkaktua nga marrja e pushtetit nga talibanët dhe ndalimi i papritur i ndihmës ndërkombëtare.

“Ai qëlloi me armë drejt meje”

Por, thellimi i varfërisë nuk është brenga e saj e vetme. Prokurorët që kanë punuar në Qeverinë e rrëzuar kanë thënë se po kërcënohen nga kriminelët që ata kishin ndihmuar që të dënoheshin. Talibanët zbrazën shumicën e burgjeve të vendit gjatë pushtimit të shtetit gjatë verës.

“Prokurorët është dashur që të ndryshojnë vendbanim në mënyrë që të dënuarit, që talibanët i liruan, të mos mund të na gjenin”, tha Danesh. “Tani ne jemi duke jetuar përgjithmonë të fshehur, madje edhe familjet tona nuk mund të lëvizin lirshëm”.

Disa prokurorë, gjykatës dhe avokatë janë vrarë gjatë muajve të fundit. Të tjerët janë sulmuar apo kërcënuar.

Shtetet perëndimore kanë evakuuar nga Afganistani dhe u kanë dhënë azil qindra punonjësve të gjyqësorit. Por, për mijëra të tjerë që vazhdojnë të jenë të bllokuar në Afganistan, veçanërisht gratë, e ardhmja është e zymtë.

Fatana Mohammadi, avokate, muajin e kaluar u sulmua në mes të ditës në shtëpinë e saj në Kabul nga një burrë i paidentifikuar.

“Ai qëlloi me armë drejt meje një herë, por unë arrita që t’i shmangesha plumbit duke hedhur një batanije mbi të”, tha Mohammadi. “Pas kësaj, atij iu bllokua arma”.

Mohammadi tha se sulmuesi më pas e rrahu atë.

“Thirrjet e mia për ndihmë tërhoqën vëmendjen e fqinjëve të mi”, të cilët e kapën sulmuesin dhe e dorëzuan te talibanët, tha ajo.

“Ende nuk e di se kush ishte ose pse dëshironte të më vriste”, shtoi Mohammadi.

Inamullah Samagani, një zëdhënës i talibanëve, u tha gazetarëve në muajin nëntor se grupi militant nuk po shënjestronte prokurorët.

“Nuk ka trajtim arbitrar apo paragjykues të [ish] prokurorëve”, tha ai.

Talibanët shtrëngojnë kontrollin ndaj sistemit gjyqësor

Sistemi gjyqësor i Afganistanit i është nënshtruar një ndryshimi të shpejtë dhe të plotë që kur talibanët morën pushtetin.

Në nëntor, ministri taliban i Drejtësisë, Mullah Abdul Hakim, deklaroi se vetëm avokatët e miratuar nga talibanët mund të punojnë në gjykatat e tyre islamike.

Kështu, në mënyrë efektive ai hoqi licencat e punës të rreth 2,500 avokatëve dhe po ashtu u ndalua që gratë të punon në fushën e drejtësisë.

Atë muaj, dhjetëra sulmues talibanë sulmuan zyrat e Shoqatës së Pavarur të Avokatëve të Afganistanit (AIBA) në Kabul dhe urdhëruan stafin e kësaj shoqate që ta ndalonte punën. Talibanët e kanë vënë AIBA-n nën kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë, duke ia hequr pavarësinë kësaj organizate.

Këto lëvizje kanë ngritur shqetësime të mëdha lidhur me paanshmërinë dhe drejtësinë e proceseve gjyqësore nën sundimin taliban.

Vëzhguesit kanë thënë se gjykatat në hije të kryengritësve talibanë, të dominuara nga klerikët, janë transformuar në sistemin e ri gjyqësor të shtetit.

“Nuk ka asnjë tregues se talibanët po mendojnë për përfshirjen e strukturës institucionale të sistemit gjyqësor dhe ligjor të Qeverisë së mëparshme”, tha Haroun Rahimi, një profesor i Drejtësisë në Universitetin Amerikan të Afganistanit me qendër në Kabul.

“Ata e shohim atë sistem me përbuzje”, shtoi ai. “Ata do të donin që të vazhdonin atë që ata e perceptojnë si një version më islamik, më të thjesht të gjykimit që ata bënin në gjykatat e tyre në hije”, tha Rahimi.

Gjatë sundimit brutal të talibanëve në Afganistan nga viti 1996 deri më 2001, gjykatat talibane përdorën interpretimin e tyre fisnor të Ligjit të Sheriatit, për të dhënë dënime ekstreme, përfshirë ekzekutimet publike, rrahjet me kamxhik dhe amputimin e gjymtyrëve.

Që kur janë rikthyer në pushtet, talibanët kanë dhënë sinjale se do të rikthejnë disa prej metodave që kanë përdorur në të kaluarën.

Në shtator, talibanët varën katër trupa të vdekur në vinça në qytetin perëndimor të Heratit, raportuan mediat lokale dhe dëshmitarët okularë. Burrat, që u akuzuan se kishin marrë pjesë në një rrëmbim, u vranë gjatë luftimeve me talibanët./REL/

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?