Foto ilustruese

Jeta e re e Shqipërisë

11 Gusht 2022, 09:47| Përditesimi: 11 Gusht 2022, 09:50

  • Share

Data do të shënonte 21 qershor 2021.  Një maket i atij i cili do të jetë porti i ardhshëm i Durrësit – ai turistik – u shfaq për herë të parë për publikun. Kompania implementuese e projektit, do të ishte një ndër më të mëdhatë në botë për vizionet e tilla, Emaar Group. Një emër i shumëpërfolur ndër zhvilluesit më të mëdhenj të koncepteve turistike, me drejtues sipërmarrësin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar. Ky i fundit, përgjegjës i drejtpërdrejtë për rikonceptimin e Dubait, përmes projekteve si “Dubai Mall”, “Marina Bay”, apo edhe kullën më të lartë në botë të ndërtuar deri më sot, Burj Khalifa. Një gjenerator i vërtetë i ndryshimeve jetësore, për një vend i cili mbështetet tek turizmi.

I njëjtë do të jetë edhe fati i Shqipërisë, sipas kryeministrit Edi Rama, pasi një vit më vonë, më 10 gusht 2022, një memorandum bashkëpunimi u nënshkrua ndërmjet “Eagle Hills Real Estate Development”, përfaqësuar nga zhvilluesi Mohamed Alabbar dhe “Albanian Seaports Development Company”, për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina”.

Në fjalë të thjeshta? Porti i madh turistik në gjithë Mesdheun, me vlerë mbi 2 miliardë euro investime. “Me këtë projekt, fillon jeta e re e Shqipërisë”, do të ishin fjalët konkrete të Ramës, duke sjellë në vëmendje shembuj rajonalë si ai i Malit të Zi me portin turistik, i cili ka revolucionarizuar dhe rijetësuar ekonominë malazeze, duke e rritur pagën mesatare në më të lartën në rajon, vetëm falë atij projekti, i cili përballë portit të Durrësit, ngjan tërësisht modest.

Bota, shembuj të tillë ndryshimi, i ka parë edhe më herët. Barcelona, është edhe qyteti me rastin të tipik të ndryshimit rrënjësor të sjellë nga një zhvillim i tillë. I njohur si Port Vell, porta hyrëse detare për në Barcelonë, ku kryheshin shkëmbimet e mallrave dhe të mirave, njihej si i tillë që prej shekullit të IV-ët para Krishtit. Kjo hapësirë hyrëse mbeti si e tillë deri në vitet 90’.

Mirëpo, me rritjen e turizmit dhe me kërkesat më të larta për ankorime të ashtuquajtura “të luksit”, u pa nevoja për një ndryshim. Ndaj, vendimi që u mor, ishte ai i ndërtimit të një porti të ri tregtar dhe rijetësimit të Port Vell, në një port turistik, mikpritës i jahteve. Sot, Marina Port Vell në Barcelonë, është ndër portet turistike më të mëdhenj në Mesdhe dhe atraksioni turistik që vetë zhvillimi i tij sjell, është shumëfish më i madh se sa përpara 20 vjetësh. Marina Port Vell e ka ridimensionuar ekonominë e Barcelonës dhe ka përmirësuar ndjeshëm stilin e jetës dhe mirëqenien e banorëve të qytetit të madh katalan. Thënë kjo, projekti “Durrës Yachts and Marina”, të cilin Alabbar po e sjell në Shqipëri, është edhe më i madh se sa ai i Marina Port Vell në Barcelonë.

Ndaj, duke marrë parasysh që Durrësi është një qytet me rreth 300 mijë banorë, teksa Barcelona me 1.62 milionë, është pak të thuhet se ndryshimi aty, do të jetë rrënjësor. Nuk ndalet gjithçka tek porti turistik gjithsesi. Me vendosjen në dispozicion të hapësirës në dorë të Alabbar-it, nevoja do të lindë për një port të ri tregtar dhe një i tillë, do të vendoset në Porto Romano. Pikërisht aty, do të jetë edhe pika kyçe e larmishmërisë ekonomike për Shqipërinë në vetvete, por edhe për fqinjët. Arsyeja, është dinamika që do të krijojë një linjë hekurudhore e përmendur historikisht, ajo Tiranë-Prishtinë. Mbi këtë të fundit, projekti është i qartë dhe një kompani holandeze, Royal Haskoning, e ka marrë përsipër, duke përfshirë edhe implementimin e projektit ambicioz të Portit të Thatë në Prishtinë. Kjo do ta kthejë binomin Tiranë-Prishtinë, në segmentin më dinamik të tregtisë dhe ekonomisë në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë zhvillim substancial edhe gjithë rajonit, përmes kalimit të thjeshtuar tregtar.

Për më tepër, shifrat e turizmit në Shqipëri janë rritur eksponencialisht vit pas viti. Vetëm gjatë verës 2022, mbi 1.6 milionë të huaj kanë hyrë në Shqipëri për arsye turistike. Këtu, pa llogaritur personat me pasaporta të Kosovës apo Shqipërisë, pasi me ta, shifra thuajse dyfishohet vetëm për sezonin veror. Hapje tërësore e kufijve për Shqipërinë, e cila potencialisht pikë kufitare me kontrolle policore strikte do të ketë vetëm atë me Greqinë në jug në pak vjet, do të jetë lehtësia e radhës. Nën nismën “Open Balkan”, korridoret e hyrje-daljes mes tre shteteve, do të jenë të hequra, me krijimin e linjave të gjelbra edhe për qytetarët, pasi për tregtarët, ka filluar tashmë.

Me Kosovën fqinje, kufiri është tashmë një formalitet, pasi kontrollet janë hequr tërësisht për sezonet verore dhe fundjavat, ku implementimi i plotë i hapjes tërësore të kufirit, pa asnjë kontroll policor, do të jetë aktiv në pak kohë. Me Malin e Zi, po ashtu kufijtë janë thuajse një formalitet dhe ndërtimi i urës së re, e cila do të lidhë Velipojën me Ulqinin, do të thjeshtojë edhe më shumë lëvizjen dhe do të hapë më tej korridorin ballkanik. Aspekti i fundit, është edhe ai i një trinomi shqiptarie, i cili lidhet me unazën e madhe Tiranë-Prishtinë-Shkup, ku pjesa më e madhe e projektit, është e implementuar.

Një korridor i tillë, do t’i lidhë edhe më thjeshtë shqiptarët dhe do të mundësoj vitalizim ekonomik të tre vendeve. Kështu, jo vetëm prej Durrës Yachts and Marina, por në tërësi, projektet më madhore shqiptare për këtë dhjetëvjeçar po marrin jetë dhe janë gati ti japin jetë Shqipërisë. Një jetë të re…me sa duket!

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?