'Jeta juaj vlen', trajneri shqiptar në Kinë tregon incidentin kur harroi kokoren: S'më vunë gjoba, qëllimi i tyre ndërgjegjësimi

10 Maj 2022, 12:58| Përditesimi: 10 Maj 2022, 13:03

  • Share

Ergys Luga, një trajner futbolli në Kinë ka treguar për Report Tv sesi policia në Guangzhou qytetin ku jeton, ka për qëllim jo të ndëshkojë me gjobë shkelësit e rregullave të qarkullimit, por të ndërgjegjësojë.

I ftuar në "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Andi Kapxhiu, trajneri tregoi një incident kur kishte harruar kokoren e motorit në shtëpi. Policët vullnetarë të qytetit iu afruan, por në vend që t'i vinin një gjobë, i dhanë një pankartë  në dorë ku shkruhej "Zbatoni rregullat e qarkullimit dhe vendosni rripin e sigurimit, vendosni kokoren. Jeta juaj vlen".

"Unë kam një motor dhe kisha harruar kokoren. Ata nuk ishin policë, ishin vullnetarë, u pyeta "ku e ke kokoren", i thash kam bërë gabim i pyeta sa është masa administrative, por më tha do rrish 30 minuta dhe do mbash këtë pankartë. 'Zbatoni rregullat e qarkullimit dhe vendosni rripin e sigurimit, vendosni kokoren. Jeta juaj vlen'. Ishte sensibilizuese.", tha ai.

Sipas tij arsyeja që një gjë e tillë nuk mund të praktikohet në vendin tonë është sepse qytetarët shqiptarë nuk janë kaq të ndërgjegjësuar ndaj zbatimit të rregullave. 

"Në Shqipëri kjo është pritur me paradoksalitet, por jo vetëm masat administrative janë ato që ndërgjegjësojnë qytetarët. Asnjë shqiptar, asnjë drejtues mjeti nuk do t'i bindej urdhrit e një vullnetari i cili ka dalë për të sensibilizuar shoferët.", tha ai.  

Luga është miku i Arjan Konomit, i cili disa ditë më parë u përplas nga një automjet teksa po kalonte në vizat e bardha me bashkëshorten dhe foshnjën e tyre vetëm 3-muajshe.

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?