Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli për 'Klan' pas ndeshjes që Shqipëria barazoi 1-1 në Letoni. I zhgënjyer braziliani që e quan një hap pas. Sipas tij pjesa e parë ishte e "falur" për kundërshtarin. Kjo një kritikë direkte për kuqezinjtë.
"Është penalltia e parë që kemi pësuar në këto 2 vite e gjysmë. Kemi gabuar. Strakosha ka bërë një pritje të jashtëzakonshme. Bëmë një gol, por më pas kemi gabuar. Futbolli nuk të fal. Në pjesën e parë kemi gabuar shumë, sidomos në qarkullimin e topit nga ekipi kundërshtar.
Jemi përmirësuar më shumë në pjesën e dytë, por nuk mjaftoi. Duhet të futemi në fushë me një qendrim ndryshe, me një përqendrim më të madh, pasi futbolli është 90 minuta. Gabimet më të mëdha kanë qenë në pjesën e parë, kemi shpërdoruar 45 minuta.
Duhet të dimë të shkojmë drejt atij objektivi që kemi vendosur. Objektivi ishte që të fitonim. Kemi merituar diçka më shumë edhe me Serbinë, por kur arbitri thotë “kaq”, atëherë marrim vetëm një pikë dhe kaq. Mëkat që shpërdoruam 45 minuta.
45 minuta janë një kohë shumë e gjatë për të pritur, si në jetë, ashtu edhe në futboll. Edhe nëse je Brazili, apo Italia, nuk fiton dot nëse nuk bën atë që duhet bërë në fushë, pavarësisht nëse je favorit në letër.
Sigurisht që ishte një hap pas nga ndeshja me Serbinë, sidomos në 45 minutat e para. Kur kemi vendosur një objektiv nuk mund të presim. Jeta nuk të fal, ashtu edhe futbolli. Qasja ishte e gabuar", tha Sylvinho.
Lajmi kryesor:
Botërori 2026/ Goli na kthehet në 'gogol', Shqipëria barazon 1-1 në Letoni falë Strakoshës dhe autogolit! Zbehet ëndrra amerikane për Kombëtaren
S.Dh/ReportTv.al
