Edhe pse ishte miratuar në parim më parë, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka rikthyer çështjen e taksës për naftën që përdorin jahtet. Ditën e sotme ky Komision ka propozuar që taksa për karburantin që përdorin jahtet të mos jetë 65 lekë por 40 lekë për litër, propozim që po diskutohet te Komisioni i Ekonomisë, i cili po shqyrton paketën fiskale të vitit 2022, ku përveç uljes së taksës propozohet që ky taksim të zbatohet vetëm për mjetet lundruese me destinacion jashtë ujërave territoriale. Pra mjetet lundruese me qëllime turistike që qarkullojnë brenda ujërave të vendit nuk do paguajnë taksë.
“Taksa e lëndës djegëse e përdorur si karburant për mjetet lundruese për qëllime turistike dhe argëtimi, me distinacion jashtë ujërave territoriale është 40 lekë litri”, u shpreh Shalsi duke lexuar propozimin e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.
Mjetet lundruese kanë qenë të privilegjuara deri më tani dhe nuk kanë paguar taksa sepse janë të përjashtuara. Sipas përllogaritjeve të bëra nga financat thuhet se këto mjete janë furnizuar me 18 mijë tonë karburant në vit, ose rreth 21 milionë litra karburant. Me taksën 65 lekë të propozuar nga financat arka e shtetit do të përfitonte 1.350 miliardë lekë në vit.
Braçe ka lexuar në Komisionin e Ekonomisë relacionin për ndryshimin e ligjit të TVSH-së, në vitin 2014 kur u bë kompensimi i TVSH-së 20% në blerje dhe 20% në shitje, ku thuhej se kjo skemë inkurajon rritjen e sektorit. Sipas deputetit si pasojë e barazimit të TVSH në 2014 u rrit formalizimi dhe numri i fermerëve. Me këtë argument thotë se ky ndryshim i propozuar këtë vit vjen si pasojë e paaftësisë së administratës për të bërë rimbursimin korrekt të fermerëve.
“Kam ardhur me votat e njerëzve që duhet të merrni kompensim, dhe tani këta njerëz të penalizohen sepse administrata është e paaftë të siguroj që kompensimi i TVSH të shkoj tek fermeri, e kam të papranueshme, pse kjo skemë ndodh edhe tek birra dhe tek ndërtimi. Është e tepërt të sillet argumenti që nuk e ka përfituar fermeri. Me këtë paketë nuk zgjidhet problemi i bujkut”, tha Braçe.
Ish zëvendëskryeministri tha ndër të tjera se nga skemat kombëtare nuk kanë përfituar të gjithë fermerët, për këtë arsye Braçe propozoi rimbursim direkt nëpërmjet një skeme tjetër.
“Nga skema e naftës jo të gjithë përfituan, sepse pjesa dërmuese nuk e besoi sepse njerëzit nuk besojnë tek skemat mbështetëse, sepse ato janë kush aplikon i pari merr i pari. Vajti lista tek 4800, ai 4801 nuk përfiton më. Kaq përfituan këtë vit, për krerë lopësh, apo koshere bletësh. Po ne nuk kemi kaq fermerë, pasi kaq i kam vetëm unë në Lushnjë dhe Divjakë. Do bëj garë unë me Vullnetin, kur hyra unë të aplikoja atje ishin 500 veta që kishin aplikuar nga Selenica. Unë kam hall të bëj prodhim, të ushqej fëmijët e mi dhe mbaj ekonominë gjallë, unë nuk kam hall të bëj gara. Barazimi i skemës i jep mundësi të gjithëve të përfitojnë. Hallin e fermerit keni ju? Ato komponentët në faturën e TVSH-së, atë pjesën e TVSH-së që llogarisni tek autofaturimi të mos e paguaj grumbulluesi, ta paguaj shteti në momenti që fermeri me autofaturën që i ka dhënë grumbulluesi të paraqitet tek Ministria e Bujqësisë apo tek tatime dhe kalojani në llogarinë bankare. Edhe skema është e barabartë dhe lekët shkojnë tek fermeri. Pse duhet të aplikoj unë në muajin prill dhe ti marr lekët në muajin nëntor nga skemat mbështetëse kur fare kollaj me autofaturë paraqitem tek zyra dhe marr subvencionin”, tha Braçe.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe propozon të TVSH për ndërtesat në zonat rezidenciale dhe ato në bregdet. Sipas deputetit të PS, përjashtimi i këtyre ndërtesave nga TVSH-ja po dëmton turizmin dhe de-natyron mjedisin. Sipas tij nga ndërtimet në zonat periferike po zhduket koncepti i fshatit. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha këto propozime do të përfshihen në ligjin e ri që do të bëhet për taksimin e pasurive. Braçe pati një debat edhe me kreun e Komisionit të Ekonomisë, Eduart Shalsi.
Braçe: Propozoj që të hiqet përjashtimi për furnizimin e ndërtesave apo i pjesëve të një ndërtese, si edhe furnizimi i tokës, në të cilën qëndron ndërtesa, përveç furnizimit të procesit të ndërtimit.
Shalsi: Faleminderit
Braçe: Ca faleminderit ca faleminderit, një herë flet ti një herë flet ajo më lini ta mbaroj. Propozoj të hiqet përjashtimi për furnizimin me tokë dhe përjashtimi për shitjen e parë. Përjashtimi të hiqet për ndërtesat rezidenciale jashtë zonave urbane dhe në zonat bregdetare. E bëj këtë propozim për arsye turistike, modeli ynë i turizmit me ndërtesa, që shiten tek individë që e përdorin vetëm një muaj për turizëm po shkatërron turizmin. Nëse duam ti japim hapësirë, duhet ti kishim dhënë hapësirë strukturave turistike, që përdoren për turizëm jo për tu shitur. Ti vëmë fre historisë që edhe po na zë tokën bregdetare, po zë edhe periferinë e Tiranës por edhe po përhapet pasivisht në çdo periferi të çdo qyteti. Po na denatyrojnë edhe fshatin, fshati natyral nuk ekziston më as në librat e shkollës.
Ibrahimaj: Sa i takon propozimit të Braçes, përgjigja jonë është që ka shumë masa që do jenë pjesë e strategjisë afatmesme. Ne jemi duke punuar për një ligj për tatimin mbi të ardhurat dhe për ligj të ri për taksimin e pasurive ku futet shitblerja e pronave. Nuk duam të bëjmë ndërhyrje të nxituara, kemi vendosur që këto taksa që prekin ndërtimin, të përfshihen në ligjin e ri.
Braçe: Shumë mirë që po e bëni të studiuar pjesën e ndërtimit, më së shumti të ndërtimit të shtrenjtë që e shet vilën 1 milionë euro. Pse nuk e mendoni kaq gjatë edhe përjashtimin e bujkut? Këtyre njerëzve u janë bërë favore, duhet ti thuhet stop furnizimit me 0 TVSH. Meqë këta marrin leje për të ndërtuar në zona rezidenciale për turizëm, duhet tua bëjmë të shtrenjtë shitjen e parë të tyre që të mos denatyrojnë lejen. E marrin lejen për turizëm dhe më pas e shesin.
TVSH-në për inputet bujqësore, deputeti i PD-së Edmond Spaho e konsideron si një lëvizje që dëmton rëndë interesat e fermerëve dhe e vë sektorin në vështirësi të madhe.
"Po vëmë në vështirësi një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, jep mbi 20% të PBB-së së vendit dhe që me të cilin jeton 40% e popullsisë. Nuk jam dakord me ministren që efekti është i vogël. Nuk bëhet fjalë për këtë po do të ulet çmimi i grumbullimit dhe i hapet rruga importit. Grumbulluesit nuk e mbledhin me çmimin e fermerëve, ndërsa bujku nuk e ul poshtë kostos. Qumështi i Serbisë është 30 lekë vjen këtu me 35 lekë, ndërsa fermerëve tanë po ju mblidhet me 40 lekë pas kësaj skeme do na mbysë serbi dhe na rroftë Ballkani i Hapur. Të gjitha këto taksa të propozuara për bujqësinë të shkojnë tek alkooli apo tek mallrat e luksit. Masat që propozoni janë fatale për bujqësinë", tha Spaho në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka reaguar kundër paketës fiskale për bujqësinë, ku shkruan se kjo është bërë pa u konsultuar me bizneset prodhuese dhe kjo do të sjellë rrënim me përmes kombëtare.
Teksa e cilësoi paketën e mbështetjes së femurëve si “tallavaja me dajre në kohë fushate elektorale të Ramës’ pasi këtë vit ai ka ulur buxhetin e bujqësisë me 2 %. Duka thotë Rama nuk ka shqetësimin e fermerëve pasi nuk i intereson nëse prodhimet e tyre hidhen rrugëve të kalben dhe mbeten pa shitur.
“Paketa fiskale 2022 për bujqësinë dhe "prezantimi- risi" që bëri dje Kryeministri Rama, përballë disa fermerëve, ka sjelle më shumë konfuzion si më parë. Me sa duket qeveria nuk ka dashur të marrë parasysh ankesat e vazhdueshme të fermerëve në lidhje me mbështetjen nga qeveria dhe mungesën e tregut për prodhimet bujqësore, pasi jo pak herë këto të fundit kanë përfunduar duke u kalbur nëpër kanale apo kanë mbetur të pashitura nëpër magazina. Mburrja e Kryeministrit Rama se punohen 250 mije hektar tokë në totalin e 660 mijë hektarëve, është për të vënë kujën. Ai tha se nuk kemi para të hedhim kuturu dhe kjo tregon sa e konsideron kryeministri ynë bujqësinë shqiptare .Kjo fjala e Kryeministrit për bujqësinë, na kujton tallavanë me dajre në një fushatë elektorale të tij. Z.Rama! Në emër të fermerit kam disa pyetje për Ju!!!!
Pse buxheti i vitit 2022 është 2% më i ulët se i vitit 2021?!Pse e taksove tinëzisht prodhimin vendor Agro me 20% përmes skemës së TVSH ?!Po pse përmes kësaj skeme të duhet të taksosh afërsisht me 100 lekë (të rinj ) çdo litër qumësht dhe fruta perime të freskëta?!Pse duhet të mbështesësh importin përmes lehtësirave fiskale e gjeo-politike me hapje kufijsh?!Dhe në fund, A ishte e nevojshme ta mbyllësh prezantimin e paketës fiskale 2022 duke i thënë bujkut : - Drejtohuni tek kompanitë e sigurimeve për tu mbrojtur ndaj fatkeqësive natyrore ?!Z. Rama si deputet i këtij vendi, ju them se paketa fiskale e vitit 2022, nuk është konsultuar me bizneset prodhuese dhe ky është rrënim me pasoja e përmasa kombëtare, që prek çdo shqiptar.Ju nuk keni marrë parasysh as projekt ligjet që ne si ekip i PAA kemi dorëzuar në Parlament.Ndaj me fakte dhe shifra ju them që bujqësia shqiptare është përtej vëmendjes së qeverisë tuaj!”, shkruan Duka.
Në diskutimet për paketën fiskalë në Komisionin e Ekonomisë, kishte debate ne lidhje me Projektligjin e TVSH. Duke folur për nenin 1 që parashikon TVSH 10% për inputet bujqësore, deputeti Braçe tha se po goditet bujqësia. Ministrja e Financave Ibrahimaj iu përgjigj duke thënë se është menduar që të hiqen përjashtimet edhe për sektorin e Turizmit. Sipas saj gjithçka është bërë në koordinim me FMN-në. Braçe tha hiqni favorizimin e TVSH-së që keni bërë për hotelet me 5 yje pasi i kanë favorizuar me hapjen e kazinove.
"Nuk rriten tatimet dhe taksat kur rriten ccmimet. Nuk ka mundësi të ndodh. Ccmimet e inputeve janë në rritje. Kur ccmimet janë në rritje ju propozoni taksë që do transmetohet e plotë tek puna e bujkut. Paketë fiskale me taksa të rritura kur rriten ccmimet ma gjeni ku ndodh. Nuk fillon paketa fiskale nga sektori që ka më nevoj por tek favoret e tjera. Unë jam dakord që të hiqen të gjitha përjashtimet, por jo me këtë radhë. TVSH 6% për të gjitha furnizimet brenda furnizimet për hotelet me 5 yje, këtij segmenti ja keni vënë një favor se i keni dhënë të drejtë të hapin kazino. Nuk është një favor i vogël por është shumë i madh, atëherë propozimi im është që në nënin 1 të këtij projektligji që ndryshon nenin 49 të hiqet pika 4", tha ai.
Pika katër sipas ligjit për TVSH parashikon: “Përjashtimisht sa përcaktohet në pikën 3, të këtij neni, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar 6 % aplikohet për çdo furnizim shërbimi të ofruar brenda strukturave akomoduese “Hotel/Resort me pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”. Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e kësaj pike përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.
Braçe: Pse keni shkuar tek favori i bujqësisë dhe propozoni taksë për inputet bujqësore dhe nuk jeni marrë me favoret e tjera që janë në këtë nen, që kanë edhe më shumë para?
Spaho: Pse është zgjedhur ngarkesa e blektorëve, pse është filluar me këto dhe jo me të tjerat?
Ibrahimaj: Propozimet janë të vitit 2019, dhe janë duke u rishikuar. Sapo të finalizohet drafti me FMN do të nisim konsultimin me të gjitha palët e interesit.
Braçe: Propozimet e FMN janë me vite, pra FMN ka propozuar që e para që duhet goditur është TVSH-ja e inputet bujqësore.
Ibrahimaj: Rekomandimet janë të FMN por rendi nuk është i saj. Është propozuar edhe heqja e përjashtimeve për sektorin e turizmit, nuk u mendua e arsyeshme heqja e rimbursimin për këtë sektor pas goditjes nga pandemia.
Un them ti paguni me që po kalojn në ujrat tona.biles biles ene ato që derdhin mbetjet e hidrokarbureve në breg detin tonë duhet ti paguni.a qeveri leshi aty ju ngeli te taksa jahteve.popëëi ska me myll muajin ju mereni me miliarderët
Përgjigjuulni taksen per karburant in e makinave..se vajta 2000 leke litri...
Përgjigju