E vërteta është se askush nuk ka bërë një marrëveshje të vërtetë me Trumpin. BE-ja ndodhet përpara një udhëkryqi: të zgjedhë mes “modelit kinez” dhe “modelit britanik”. Kjo është një nga reflektimet e bëra gjatë mbledhjes emergjente të Coreper-it (Komiteti i 27 ambasadorëve). Dhe përpara se të ndjekë njërën prej këtyre dy rrugëve, Bashkimi Evropian po vendos në lojë të gjitha kundërmasat, përfshirë edhe parapërgatitjen e paketës së dytë të tarifave doganore prej mbi 70 miliardë euro.
Qeveritë i kanë dhënë kështu mbështetje presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, e cila përpara mbledhjes së ambasadorëve kishte dhënë drejtimin: “Shtetet e Bashkuara – ka deklaruar ajo – na kanë dërguar një letër me masa që do të hynin në fuqi në mungesë të një zgjidhjeje të negociuar, dhe për këtë arsye do të zgjasim pezullimin e kundërmasave tona deri në fillim të gushtit. Ne preferojmë një zgjidhje të negociuar, por do të vazhdojmë të përgatitemi për kundërmasa”.
Por nuk kanë munguar diskutimet se si të vijohet. Linjë e ashpër apo linjë e butë. Dhe zgjedhja – është një nga reflektimet që ka dalë nga Coreper – bazohet tani mbi një supozim që presidenti amerikan po e fsheh: që asnjë vend nuk i ka pranuar kërkesat e tij. Nga Kina në Japoni, nga India në Brazil. “Modeli kinez” do të thotë t’i përgjigjesh “sy për sy, dhëmb për dhëmb”. Të pranosh përplasjen. Sepse – dhe kjo është linja e propozuar nga Franca dhe Spanja – Manjati kupton vetëm gjuhën e forcës. Dhe përballë atyre që përdorin të njëjtat metoda si ai, zakonisht tërhiqet. Jo vetëm kaq. Nëse presidenti amerikan do të gjendej në gusht në një situatë izolimi në lidhje me tregtinë globale, tregjet do të reagonin. Dhe në mënyrë të pashmangshme ekonomia amerikane do të ndiente pasojat. Sidomos qëndrueshmëria e borxhit publik amerikan do të vihej nën presion.
Për këtë arsye, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, e konsideron thelbësor arritjen e marrëveshjeve për import-eksport me gjigantët aziatikë: Indinë dhe Kinën. Por edhe me partnerë si Vietnami dhe Indonezia (me të cilët është arritur dje një marrëveshje e tregtisë së lirë). Misioni në Pekin më 24 korrik merr kështu një rëndësi të shtuar. Të arrihet një marrëveshje pragmatike me Xi Jinping do të thotë të kufizohen “çapkënllëqet” e Trumpit. Dhe të kompensohen pothuajse tërësisht humbjet nga shkëmbimet me Kinën.
“Modeli britanik”, përkundrazi, nënkupton të mbash një pozicion të butë në pritje që Shtëpia e Bardhë të kuptojë se ka ndjekur një rrugë të gabuar. Të pranosh humbje të konsiderueshme dhe të kërkosh mundësi të tjera diku tjetër. Me vetëdijen, sidoqoftë, se problemi thjesht shtyhet në kohë, nuk zgjidhet. Këto janë dy linja që janë përplasur qartë në mbledhjen e djeshme të Coreper-it. Tentativat gjermane – të dështuara – për të arritur një pakt “dypalësh” me SHBA-në vetëm për industrinë automobilistike, vazhdojnë të peshojnë në diskutimet mes 27 vendeve. BMW dhe Mercedes, një muaj më parë, provuan të anashkalonin negociatat evropiane dhe të gjithë qeveritë e tjera të BE-së e kujtojnë këtë gjë. Dhe kancelari Merz i trembet më së shumti një skenari të keq për industrinë eksportuese gjermane: “Duhet të shmangim që këto tarifa të hyjnë në fuqi”.
Për momentin, pra, Brukseli do të vazhdojë të negociojë deri më 1 gusht. Do të pezullojë tarifat që do të hynin në fuqi sot. Një paketë prej 21 miliardë. Por po sot, Komisioneri për Tregtinë, Maros Sefcovic, do t’ua prezantojë homologëve të tij se Europa ka gati një tjetër paketë prej 70 miliardësh. Dhe se pa një marrëveshje, edhe kjo do të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm.
Ideja më e përhapur është se Shtetet e Bashkuara kanë vënë në lojë, me letrën e dy ditëve më parë, taktikën e zakonshme negociuese të Trumpit, “jo e rregullt dhe e paparashikueshme”, e cila synon të rrisë presionin mbi partnerët tregtarë. BE-ja nuk dëshiron të procedojë me një “hakmarrje të menjëhershme”, por të vendosë mbi tryezë të gjitha mundësitë. Përfshirë një taksë për gjigantët e internetit (web tax). Ndërkohë, instrumenti i mbrojtjes ndaj detyrimeve do të aktivizohej vetëm vitin e ardhshëm, nëse me të vërtetë lufta tregtare do të përshkallëzohej.
Përballë asaj që shumë nga 27 ambasadorët e kanë cilësuar “çapkënllëqet e Trumpit”, Brukseli synon ende të arrijë “marrëveshjen më të mirë të mundshme” brenda gjashtëmbëdhjetë ditëve të ardhshme. Por brenda asaj date, Bashkimi Evropian duhet të vendosë gjithashtu nëse do të ndjekë “modelin kinez” apo “modelin britanik”. Për momentin, von der Leyen ka vendosur të fitojë kohë./La Repubblica
Komente

BE nuk ka me leader por disa servile qe i sherbejne Washingtonit
Përgjigju