Visar Zhiti

Jo Kosova në Hagë, por Haga në Kosovë…

13 Nëntor 2020, 11:50| Përditesimi: 13 Nëntor 2020, 12:00

  • Share

Çuarja në Gjykatën e Hagës tani e disa  prej krerëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të vendit ballkanik, me histori dramatike, të shkëputur nga dheu amë nga Fuqitë e Mëdha dikur, por që mblodhi botën e përparuar, Europën e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n, që, si të thuash, bëri luftën e parë morale për të drejtat e njeriut, për shpëtuar një popull që po e vrisnin dhe ç’mbetej prej tij po e shkulnin nga trojet e tyre dhe kur ky vend u çlirua dhe u shpall Republika e Kosovës, më e reja në botë, e ata, krerët e UÇK-së zunë postet të larta drejtuese, ministra, kryeministra, kryetarë Parlamenti, Presidentë, 20 vjet pas luftës arrestohen dhe Haga i marr me avionin e saj për t’i gjykuar për krime lufte, më shumë se sa një akt drejtësie, duket si një aksion i rëndë revanshi, goditje e asaj Lufte Çlirimtare, sfidë e aleancës EuroAtlantike, prishje të ekuilibrave politikë në rajon dhe me gjerë dhe alarm për një luftë të re të makinerisë ushtarake serbe, në përkujdesin e aleatit të saj të vjetër, Moskës.

Kështu duket. Shqetësimi është i madh. Intelektualë, shkrimtarë, klerikë, gazetarët patjetër, edhe politikanët e lartë, që zakonisht në ngjarjet kritike kursehen në qëndrime dhe në të folur, por presin, ndërkaq edhe personalitete të huaja, amerikanë, etj., dhanë në media opinionet e tyre, një pjesë, më e madhja besoj, duket se është kundër marrjes ashtu në Gjykatën Speciale të Hagës, ndërsa një pjesë tjetër shprehen se duhen gjykuar, kushdo qofshin, nëse kanë bërë krime lufte e më pas ndaj robërve apo civilëve dhe rivalëve të tyre politikë. Drejtësia duhet patjetër. Ne si popull jemi të vonuar në këtë drejtim. E befas, si në shumë çështje e kriza politike, që vijnë më së shumti prej atyre ekonomike e morale, befas rrëmbehemi e dalim edhe kundër vetes dhe përfitojnë të tjerët, sidomos kundërshtarët, thënë troç, se jemi në Ballkan, armiqtë e kombit tonë.Gjykata Speciale e Hagës u krijua me miratim nga Kosova vetë, nga Parlamenti i saj, me nxitjen dhe mbështetjen nga “Ndërkombëtarët”, nga OKB-ja dhe drejtësia e madhe duhet të veprojë me drejtësi të lartë.

Të gjykojë patjetër krimin, ta ndëshkojë te cilido qoftë, që ka kryer krimin, por jo dhe popullin nga ata kanë dalë, as vendin e tyre e luftën e tyre për liri. Krimi ndodhi në Kosovë. Shtetëror nga ana e Serbisë. I hatashëm për sytë e botës. Kombëtar. Goditej kështu një tjetër komb, gjenocidi i urryer. Madje, bënin si të krishterë kundër një vendi, sipas tyre mysliman, me një fondamentalizëm që e sponsorizonin po vetë ata. Kur dihet që shqiptarët ishin të krishterët e parë në Ballkan dhe manastiret dhe kishat e mbetura, sipas historianëve, ishin të vendësve, pastaj u konvertuan si të ardhacakëve sllavë etj., etj., dhe sunduesi serb para 20 vjetësh, me Hitlerin e fundit në Ballkan, Millosheviçin, pasi i kishte shkelur të drejtat si popull shqiptarëve në Kosovë, të trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, teksa bashkëjetonin në perandorinë e vogël dhe artificiale të Jugosllavisë, i dogji dhe e i vrau barbarisht.

Plaçkiti dhe përdhunoi. Dhe falë përvojës së tyre shtetërore, diplomacisë dhe aleancave, propagandës dhe botimeve, investimeve gjithandej, tani kanë marrë rolin e viktimës dhe në vend të tyre gjykohet viktima më shumë. Dhe në vendin e viktimave nxisin krimin, politik, fetar, ordiner dhe e shpërndajnë këtë imazh. Unë them se ka dy aspekte me rëndësi situata e tanishme. E para: nuk duhet të shkojë në asnjë mënyrë Kosova në Hagë, por Haga mund dhe duhet të shkojë në Kosovë, – dhe kjo e dyta është e dyta. Që s’janë njëjta gjë. Shqiptarët luftuan për liritë dhe të drejtat e tyre si komb dhe njerëz në trojet e tyre, te pragu i shtëpive të tyre, që ua dogjën dhe u vranë familjarët, pleq e fëmijë e u përdhunuan gra e vajza, një turp i ndyrë e çnjerëzor.

Gjykata e Hagës duhet të thërrasë në Hagë kriminelët serbë që bënë krimet në popull tjetër, ndër shqiptarë. Me kujdes dhe siguri të plotë, duke i veçuar nga populli dhe intelektualët e saj, jo ata shovinistë, se serbët janë dhe një popull i emancipuar, me kulturë dhe dije. Dhe në qoftë se duhet ndihmuar Kosova, shteti i saj i ri, i brishtë, i kollajnëpërkëmbur, por që ka, në fund të fundit, një popull dinjitoz, fjalëpakë, të urtë dhe trim, me intelektualë të nivelit europian, me artistë të njohur nëpër botë, po aq sa serbët, në mos më shumë sot, nëse duhet luftuar korrupsioni dhe krimi në Kosovë, që janë, por dhe që sponsorizohen nga përreth, drejtësia duhet të veprojë e fortë, e ashpër, por brenda në Kosovë. Pra, të vijë Haga aty, se nuk mund të çohet liria e Kosovës, ëndrra e Kosovës, simboli botëror i Kosovës në bankën e të akuzuarve në tjetër vend. Bota s’mund të dalë kundër botës. Prandaj, edhe qëndrimi i krerëve të UÇK-së ishte aq dinjitoz, amblematik, prekës, se merrnin fuqinë nga lufta e drejtë, trimërore e tyre, nga bekimi i popullit të tyre dhe mirëkuptimi i botës së përparuar.

Gjykatësit dukeshin të vëmendshëm, madje të hipnotizuar, që përpara tyre s’kishin kriminelët, por heronjtë. Në Kosovë e dinë më mirë se kush janë. Dhe nëse drejtues të luftës së Kosovës kanë prishur paqen, ka akuza për ta, natyrisht të gjykohen nga drejtësia e popullit të tyre, edhe me ndihmën e atyre që erdhën për ta çliruar Kosovën. Dhe gjyqi të bëhet në Prishtinë. Degradimi dhe rënia në paqe nëse janë aq kriminale, gjithsesi duhen ndarë nga lavdia e luftës, pa u cenuar ajo meritë heroike. Kosova nuk mund të shkojë në Hagë.

Që Drejtësia e Hagës të mos duket sikur ka në sirtarin e saj dosjen e përgatitur nga Serbia, nga zyrat e atyre që bënë gjenocidin më kriminal mbas Luftës së Dytë Botërore. Presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte ministër i propagandës së makinerisë së luftës së çmendur të Millosheviçit, ‘Kasapit të Ballkanit’, kur ata digjnin dhe vrisnin Kosovën, ndërsa Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i sapodorëhequr për të shkuar në gjyqin e Hagës, luftonte për të mbrojtur popullin e tij nga ata, që janë të qetë, por shqetësojnë të tjerët, sidomos Kosovën.

Edhe qeveria shqiptare, politikanët e saj të lartë, pozitë dhe opozitë, diplomatët, duhet të kenë patjetër parasysh në marrëdhëniet me Serbinë historinë dhe aktualitetin, krimet shtetërore dhe prapaskenat e dëmshme të tyre, rrjetin agjenturor etj., dhe të guxojnë jo vetëm të duan marrëdhënie të mira, të domosdoshme patjetër, por të mbajnë qëndrime serioze ndaj shtetit serb, ende të papenduar, jo vetëm anti-Kosovë, por dhe antieuropian dhe anti-Aleancës Atlantike, një shtet ballkanas që po kërkon revansh duke u armatosur rishtas nga Rusia e Putinit.Përvoja e Enver Hoxhës me Titon mbetet katastrofale për kombin tonë. Ne vazhdojmë të jemi të ndarë prej saj dhe humbës me një permanencë dëshpëruese. Kur Kosova është shqiptare dhe Shqipëria pa Kosovën, ashtu siç nuk ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Natyrisht, të bashkuara në Bashkimin Europian. Në aleancë dhe besnikëri me mikun jetik të kombit tonë, SHBA-në. Në Hagë më parë duhet të ishin Vuçiçët. Se ndryshe do të duhet një Hagë për Hagën. /Panoramaonline

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sadedin Çeliku: 13/11/2020 16:18

    e pamundur ta perballoje madje edhe vende te zhvilluara jane vene ne veshtiresi te medha.Kjo eshte arsyeja qe pothuajse i gjithe globi perjashtuar Kina dhe ndonje vend tjeter,kane rene ne recension.Kini parasysh se ne te gjitha keto vende eshte rritur shume dhe pertej parashikimeve borxhi.Edhe tek ne borxhi publik ka vajtur pertej 82% TE PPB dhe nuk kane ku dalin fondet.Gjykos se qeveria deri tani e ka kryer detyren mrekullisht.Gjate veres u punua me intensitet dhe ja dolen qe numri i shtreterve te shkoje rreth 600 qe ne rapport me popullsine dhe perhapjen e virusit jemi per tu levduar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?