Sonte në Air Albania, duke nisur nga ora 20:00, Partizani synon të përfundojë punën e nisur një javë më parë në Estoni kundër Nome Kalju-s. Të kuqtë duan kualifikimin pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë kualifikuese të Conference League, por Skënder Gega duhet ti bëjë llogaritë pa Albers Kekon të dëmtuar, ndërsa në dyshim është Oresti Rifa.
“Këtë ndeshje i kemi mundësitë që ato gabime që kemi bërë ndeshjen e parë mos ti përsërisim. Shtohet entuziazmi, mbëhstetja, ndërsa arma jonë është loja në grup. Plus duhet të japim më shumë nga vetja jonë. Unë them se do japim 100% dhe do të marrim kualifikimin,”-u shpreh Skënder Gega, trajner i Partizanit.
Më e vështirë do të jetë për Vllazninë. Shkodranët prej të martës kanë udhëtuar në Letoni, me qëllim përmbysjen e humbjes 0-1 që pësuan në Shqipëri kundër Daugavpils.
“Duke ditur rezultatin e ndeshjes së parë, mënyrës se si shkoi loja, kundërshtarin e njohim më mirë dhe janë marrë masat. Ekipi është gati dhe e kemi të qartë. Kemi ardhur me misionin për të fituar këtë ndeshje dhe për të kaluar në turin tjetër,”-tha Bekim Balaj, kapiten i Vllaznisë.
Për ndeshjen që nis në orën 17:00 UEFA ka caktuar arbitra çek.
“Një arbitrim siç ishte në Elbasan nuk do donim ta kishim edhe këtu. Fokusi dhe vëmendja është në fushën e lojës. Bëjmë më të mirën, pasi arbitrimi është çështje tjetër që nuk na përket ne,”-u shpreh kapiteni i Vllaznisë.
Njëjtë si Partizani, edhe Vllaznia, referuar koeficientëve, konsiderohen të favorizuar për ti fituar ndeshjen e tyre në Evropë dhe për të kaluar në turin e dytë të Conference League.
Komente
