Kronikë

Jo më noterë me provim, një vit shkollë e dy praktikë! Sadushi për Report tv: Vetting rekrutimeve të reja! Nga janari 2022, identifikim biometrik te noteri

23 Shtator 2021, 18:58| Përditesimi: 23 Shtator 2021, 20:48

  • Share

Duke nisur nga Janari i vitit 2022 tek noteri identifikimi do të jetë biometrik dhe nënshkrimi elektronik. Në një intervistë për ReportTv kryetarja e dhomës së noterive Mimoza Sadushi thotë se aplikimi teknologjisë do të përmirësoj shërbimet.

'Kjo procedurë do të jetë e lidhur nëpërmjet sistemit që ne kemi krijuar dhe çdo zyrë noteriale do të ketë këtë aparaturën e gishtit. Mendojmë që ndoshta nga janari të gjitha zyrat noteriale do të jenë të pajisura me aparaturën.'- tha Sadushi.

Ndalur tek licensimet e noterëve, Sadushi sqaron se për herë të parë nuk ka më një provim të vetëm por ata që dëshirojnë duhet të ndjekin shkollën.

'Me përfundimin e vitit shkollor do të jepet një provim tjetër për njohuritë që ka marrë në shkollë. Pas kryerjes së një stazhi 2-vjeçar pranë një zyre noteriale, pra tashmë me ligjin e ri ky stazh është detyrues që duhet të bëhet vetëm parë një zyre noteriale, do të jepet përsëri një provim tjetër dhe më pas kandidati do të marrë titullin zëvendësnoter. Me titullin zëvendësnoter ai mund të punojë pranë një zyre noteriale për aq kohë sa do të krijohet një vend vakant për të marrë direkt titullin noter.' deklaroi Sadushi.

E për rekrutimet e reja, Sadushi tha se një komision bënë „vettingut“ e kandidatëve.

'Përpara se të futesh në këtë shkollë, edhe ata kandidatë që janë futur patjetër që kanë kaluar në një filtër. Pra, vetë qendra ka krijuar një komision, i cili bëri verifikimin e të gjithë dokumentacionit dhe filtra të cilët do të kalohen edhe më vonë dhe do të jetë pastaj, më vonë, Ministria e Drejtësisë e cila do të bëjë verifikime të tjera përpara se personit t’i jepet titulli.'-tha Sadushi.

Sadushi sqaroi se kanë një bashkëveprim edhe me zyrën e parandalimit e pastrimit të parave.

'Jemi në fazën që po bëjmë edhe një ndërveprim për sa i përket sistemit me këtë drejtori, pra më tepër për të lehtësuar edhe noterët, por mendoj që edhe noterët si rezultat edhe i këtyre trajnimeve dhe të gjitha këtyre kontakteve të vazhdueshme që kemi pasur me këtë drejtori, janë ndërgjegjësuar. Pra, edhe ata besoj që problemet që mund të jenë pasur, vijnë duke u thjeshtuar.'-u shpreh Sadushi.

Ndërsa tre vite pas ndryshimeve ligjore që sollën risinë e zv.noterit dhe shkollës, duhet që Gjykata Kushtetuese të shprehet më 14 tetor pasi unioni noterëve e cilëson ligjin si një shkelje.

INTERVISTA E PLOTË

Për herë të parë Shqipëria ka hapur shkollën e noterëve, një shkollë e cila do t’u japë mundësi noterëve që të kenë një formim juridik të plotë. Çfarë duhet për t’u bërë noter? Si bëhesh noter? Si është situata aktuale e noterëve? Cilat janë problemet e tyre dhe kur do të nisë nënshkrimi elektronik dhe identifikimi elektronik i çdo personi që paraqitet në zyrën noteriale. Ne do të kemi një intervistë me kryetaren e Dhomës Kombëtare të Noterisë, zonjën Mimoza Sadushi.

Zonja Sadushi, faleminderit për këtë mundësi. Më lejoni t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë. Pak më parë na thatë që 455 noterë publikë janë në shërbim në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Si paraqitet situata e shërbimit noterial edhe me ndrydhimet ligjore, të cilat prej vitesh janë në fuqi?

Unë mund t’ju them që të gjitha bashkitë në territorin e Republikës së Shqipërisë janë të kompletuara me noterë, pra ofrohet shërbimi noterial. Numri i noterëve ka ardhur duke u zvogëluar sepse kemi qenë 470 dhe aktualisht jemi 455. Sipas një studimi që është bërë, ky numër duhet të jetë më i vogël, pra është numër i madh në krahasim me popullsinë në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë mendojmë që pjesa më e madhe e noterëve mbulohen mirë me punë, duke parë volumin e punës sidomos në rrethet e mëdha. Por, vetë hyrja në fuqi e Ligjit për Noterinë ka kërkuar që të njihet edhe institucioni i zëvendësnoterit, të cilin ne mendojmë që shumë shpejt do ta vëmë në efiçencë me fillimin edhe të Shkollës së Noterisë.

Në fakt shkolla është hapur për herë të parë. Ka pasur interes, ka pasur kërkesë për të qenë pjesë e kësaj shkolle dhe si funksionon kjo shkollë, si do të funksionojë?

Patjetër që ka pasur interes. Ka pasur rreth 77 persona që konkurruan për të marrë pjesë në shkollë. Para disa ditësh ne zhvilluam edhe provimin, në datën 11 shtator dhe nga të gjithë kandidatët rezultuan fitues 10 persona, të cilët do të jenë edhe kandidatët e parë që do të marrin pjesë në Shkollën e Noterisë. Shkolla e Noterisë do të jetë pranë ambienteve të Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe do të jetë pra, një periudhë 1-vjeçare viti shkollor, 9 muaj. Në përfundim të këtij viti shkollor,  të gjithë kandidatët do të japin përsëri një provim tjetër për njohuritë që ata kanë marrë gjatë këtij viti shkollor.

Pra, nëse deri para pak kohësh noter bëheshe me një formim juridik dhe me një provim për licensim, sot kemi një procedurë tjetër, duhet të kalosh shkollës së pari, për të marrë statusin e zëvendësnoterit dhe më pas atë të noterit?

Po, është e vërtetë. Më përpara ka qenë më e thjeshtë procedura për t’u bërë noter, pra vetëm me një provim që bëhej merrje licensën e noterit. Sot kjo procedurë mund të them se është më e vështirë, por për të gjithë ata që duan realisht të bëhen noterë, mendoj që është një procedurë e domosdoshme. Pra, fillon me një provim të parë për t’u futur në shkollë, pra jo kushdo mund të futet në shkollë. Fillon me një provim të parë, pra vetëm 10 kandidatë marrin pjesë në vitin shkollor, i cili të paktën sipas parashikimeve që ka Ligji për Noterinë, është që mund të bëhet një herë në 3 vite pra, pas një studimi që bëhet nga Dhoma Kombëtare dhe Ministria e Drejtësisë, çdo 3 vite përcaktohet sa është nevoja për t’u bërë zëvendësnoterë. Me përfundimin e vitit shkollor do të jepet një provim tjetër për njohuritë që ka marrë në shkollë. Pas kryerjes së një stazhi 2-vjeçar pranë një zyre noteriale, pra tashmë me ligjin e ri ky stazh është detyrues që duhet të bëhet vetëm praë një zyre noteriale, do të jepet përsëri një provim tjetër dhe më pas kandidati do të marrë titullin zëvendësnoter. Me titullin zëvendësnoter ai mund të punojë pranë një zyre noteriale për aq kohë sa do të krijohet një vend vakant për të marrë direkt titullin noter.

Zonja Sadushi, kjo shkollë është një shkollë publike, është një shkollë kundrejt pagesës? Dhe më lejoni t’ju bëj një pyetje pak më teknike. Kemi paur procesin e Vetting-ut në struktura si në Gjyqësor, në Prokurori, në Polici, këta që do të kandidojnë për zëvendësnoterë, do të kalojnë një filtër për integritetin moral të pakën, kontaktet me botën e krimit dhe pasurinë, sepse anën profesionale ata do ta mësojnë përgjatë shkollës.

Po, patjetër. Unë mund t’ju them se ne, pranë Dhomës Kombëtare kemi krijuar Qendrën e Trajnimit të Noterëve, e cila përfshin edhe Shkollën e Noterëve dhe përpara se të futesh në këtë shkollë, edhe ata kandidatë që janë futur patjetër që kanë kaluar në një filtër. Pra, vetë qendra ka krijuar një komision, i cili bëri verifikimin e të gjithë dokumentacionit dhe filtra të cilët do të kalohen edhe më vonë dhe do të jetë pastaj, më vonë, Ministria e Drejtësisë e cila do të bëjë verifikime të tjera përpara se personit t’i jepet titulli.

Teksa ishte ministre zonja Gjonaj pati edhe një vendim, një periudhë u pengua hapja e licensimeve për shkak se nuk ishte e nevojshme. Kur pritet licensimi i ri ose ristrukturimi i hartës noteriale në 61 bashkitë e vendit?

Po, është e vërtetë. Përgjatë periudhës që ishte zonja Gjonaj nuk u bënë provime për noterë, ndoshta edhe për faktin që ne ishim në periudhën që po miratonim ligjin e ri. Pas hyrjes së ligjit të ri në fuqi u bënë rreth 22 akte nënligjore, të cilat edhe ato ishin të lidhura me të gjitha këto procedura. Pastaj më pas krijuam qendrën e trajnimit sepse janë një sërë procedurash që i kërkon vetë ligji, kështu që krijuam edhe qendrën dhe tani, kur ne ishim gati për të bërë këtë provim, filluam dhe shumë shpejt do të fillojë edhe shkolla.

Është pritur shumë që të ishim në pjesën e dixhitalizimit siç ka ndodhur në shumë shërbime, por ende ndodh p.sh., që në zyrat e noterisë firmoset me laps ndoshta jo, por me stilolaps. Nuk kemi atë identifikimin biometrik që u fol dikur. Ka një plan Dhoma Kombëtare e Noterisë për ta përfunduar këtë proces kaq të rëndësishëm? Nëse unë firmos, firmos unë, nuk mund të firmosë dikush në emrin tim ose të ketë një mundësi tjetërsimi firme.

Po, është e vërtetë që ne kemi bërë një marrëveshje me Kompaninë ALEAT për aparaturat e gjurmës së gishtit. Kemi kohë që e kemi bërë, por kemi pritur ndërtimin e sistemit tonë të cilin ne e kemi filluar dhe kjo procedurë do të jetë e lidhur nëpërmjet sistemit që ne kemi krijuar dhe çdo zyrë noteriale do të ketë këtë aparaturën e gishtit. Mendojmë që ndoshta nga janari të gjitha zyrat noteriale do të jenë të pajisura me aparaturën.

Pra që nga janari 2022 do të jemi me nënshkrim elektronik dhe identifikim biometrik?

Identifikim biometrik, ndërsa për nënshkrimin elektronik mendoj që do ta kemi më përpara, për arsye se ne jemi gati me AKSHI-n për të filluar nënshkrimin elektronik, por mendoj që zyrat noteriale nënshkrimin elektronik do ta përdorin për të gjitha aplikimet që do të bëjnë me zyrën e regjistrimit, pra për t’u çuar dokumenti, pra kontrata që është hartuar pranë një zyre noteriale, për t’u dërguar elektronikisht pranë zyrës së Regjistrimit, jo më të dërgohet në akt-kopje ose mund të dërgohet në një periudhë të mëvonshme, por të paktën të mos pengohet i gjithë procesi i një transaksioni. Kështu që shumë shpejt do të fillojmë dhe me nënshkrimin elektronik.

Është formësuar kultura e qytetarëve që për një transaksion, për një marrëdhënie juridike për ta bërë atë të njohur ligjërisht, të paraqiten te noteri apo është ende diçka, shihet si e largët, si e pakuptueshme. P.sh., në 10 transaksione janë të 10-a me vulën e noterit apo nga edhe nga ato p.sh., procesi i Vetting-ut ka pasur shumë që kemi bërë një marrëveshje me dorë, kemi bërë një marrëveshje mes palëve. Keni ju një mesazh për qytetarët që të jenë të mbrojtur edhe nga ligji në çdo marrëdhënie civile, marrëdhënie kontraktuale?

Është e vërtetë që ka pasur edhe akte të tilla. Zakonisht kjo ka të bëjë me ato akte që Kodi Civil i parashikon që jo domosdoshmërisht mund të bëhen përpara noterit, siç mund të jenë kontratat e sipërmarrjeve, kontratat e porosisë dhe ndoshta kjo ka sjellë edhe atë informalitetin për sa u përket këtyre procedurave. Por, për sa u përket akteve noteriale, pra çdo akt që bëhet te noteri, qytetarët tashmë janë të ndërgjegjësuar që për çdo akt duhet të paraqitet se s’bën përpara noterit. Problemin e sjellin vetëm ato akte, të cilat nuk kërkojnë detyrimisht bërjen e një akti noterial.

Më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje pak teknike. Ju bashkëpunoni shpesh, thuajse në mënyrë të përditshme edhe me Agjencinë e Pastrimit të Parave. Ka një fluks paraje që ka një pikëpyetje teksa kalon edhe nëpërmjet llogarive tuaja si zyra publike për t’u kryer transaksione? Si është situata në krahasim me një dekadë më parë, disa vite më parë?

Jo, ne kemi goxha bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, madje kemi bërë edhe shumë trajnime të përbashkëta. Jemi në fazën që po bëjmë edhe një ndërveprim për sa i përket sistemit me këtë drejtori, pra më tepër për të lehtësuar edhe noterët, por mendoj që edhe noterët si rezultat edhe i këtyre trajnimeve dhe të gjitha këtyre kontakteve të vazhdueshme që kemi pasur me këtë drejtori, janë ndërgjegjësuar. Pra, edhe ata besoj që problemet që mund të jenë pasur, vijnë duke u thjeshtuar.

Ju tashmë keni një sistem online, në kohë reale. Teksa çdo noter publik hap zyrën në mëngjes ka një sistem që bashkëvepron edhe me institucione shtetërore. Si funksionon? Ka përmirësim? Ka krijuar probleme ky sistem i menaxhuar nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë?

Jo, sistemi dhe ky ka qenë edhe synimi në fakt i Dhomës Kombëtare, që sistemi të lehtësojë punën e noterit. Tani noterët nëpërmjet sistemit aplikojnë në Gjendjen Civile, marrin të gjithë informacionin që u duhet, bëjnë të gjitha aplikimet elektronikisht në Kadastër, pra paktet noteriale që ata kryejnë. Synojmë që të bëjmë edhe procedura të tjera, gjithmonë për të lehtësuar punën e noterit. Jemi në fazën që po vendosim përfundimisht ndërveprimin midis sistemit që ne kemi krijuar dhe Regjistrit Noterial Shqiptar, pra që noterët të lehtësohen në punën e tyre, pra të hedhin vetëm një herë aktet noteriale dhe jo të vazhdojnë të hedhin sa te regjistri noterial dhe sa te sistemi. Kuptohet që sistemi lehtëson noterin edhe për sa u përket identiteteve që merr, të klientëve të tij, sepse në qoftë se ti do të hedhësh identitetin e ka të gatshëm kur të vijë herë tjetër, aq më tepër me ato synime që ne kemi, që do të bëjmë identifikimin biometrik, që edhe noterët vetë do të jenë më të garantuar. Do të sjellë edhe atë lehtësimin tjetër sepse ndodh shpeshherë që në hartimin e një akti noterial, mund të qëllojë që dikush të vijë më vonë sesa vjen një palë tjetër, të paktën sistemi do të lërë gjurmë që qytetari është paraqitur në zyrën noteriale në këtë orë dhe në këtë minutë.

Pyetja e fundit, ju nuk jeni direkt e përfshirë në këtë proces, por pas pak ditësh këtë ligj për sa i përket noterisë do ta kemi në Gjykatën Kushtetuese. Ka diçka që nuk shkon? Duhet riparë apo do të jetë gjykata ajo që do të vendosë certifikimin apo jo të këtij legjislacioni me të cilin ju tashmë operoni?

Në Gjykatën Kushtetuese kjo është një çështje që është çuar nga Unioni i Noterëve, jo Dhoma Kombëtare e Noterisë. Dhoma Kombëtare e Noterisë është palë e tretë, palë që do të paraqitet në atë seancë. Është mendimi dhe e drejta e tyre që të kundërshtojnë pjesë nga ligji apo nga vendimi i Këshillit të Ministrave. mendoj që do të jetë gjykata ajo që do të vendosë sepse pasi do të dëgjojë të gjitha palët, qoftë Ministrinë e Drejtësisë, qoftë Këshillin e Ministrave, qoftë Dhomën Kombëtare, qoftë edhe Unionin e Noterëve. 

 

Intervista e plotë

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ramazan: 31/07/2024 21:43

    A do keni Mundesi te jepni ca licenca per noter ne Angli se ne Angli nuk ka noter dhe sidomos nga keto noter qe paguakan 200000 euro per licenc se ketu u dashka ryshfet per çdo gje, me nje fjale nuk jam krenar qe jam shqiptar

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?