Jo të gjithë e kanë parë, perlat e fshehura në Kukësin ‘e harruar’ nga harta e turizmit! Qyteti i bekuar nga natyra e historia që po mrekullon turistët e huaj

9 Korrik 2023, 11:02| Përditesimi: 9 Korrik 2023, 11:10

  • Share

Thuhet, por jo të gjithë e kanë parë, se Kukësit natyra dhe historia i kanë falur gjithçka.

Reliev i shumëllojshëm

Histori

Lumë – Liqen

Hiking – Hipizëm

Shpella karstike

Mosnjohja e këtyre bukurive dhe kurioziteve e kanë shndërruar sot Kukësin në një perlë të fshehur për turistët e huaj, vendas, madje edhe për vetë kuksianët.

Destinacioni i parë turistik është qyteti i nëndheshëm.

Është pothuajse i vetmi që u serviret grupeve turistike nga  agjencitë e turizmit.

Frika nga ndonjë sulm i mundshëm e detyroi shtetin komunist të Enver Hoxhës, të ndërtonte paralelisht me Kukësin e ri, një qytet të nëndheshëm që rrallëkush e di se ekziston.

Qyteti i nëndheshëm është 2.4 kilometra , aq sa është edhe shtrirja e qytetit sipër. Ai ndodhet më shumë se 30 metra nën atë ekzistuesin dhe ka një kapacitet prej 30 mijë banorësh. Me shkallët në formë rrethore që nuk kanë të mbaruar në zbritje si dhe kryqëzime e tunele si një labirint.

Ka 5 hyrje të vendosura në lagje dhe në qendër të tij janë institucionet, e në momentet e një alarmi për sulm, i gjithë Kukësi do të kishte mundësi të mbrohej nga qyteti i nëndheshëm, i tëri i  ndërtuar në beton e i fortifikuar për t’u bërë ballë shpërthimeve atomike.

Në Kukësin e nëntokës, poshtë këmbëve të qytetarëve të saj janë të vendosura, spitali, materniteti, furra e bukës, shtypshkronja, ujësjellësi, komiteti ekzekutiv, ai i partisë, sallë e madhe për mitingje apo takime me popullin, burgu, hetuesia si dhe komiteti i partisë.

Për Kukësin nëntokësor është shpenzuar me miliarda lekë e punuar gati 20 vite.

Deri në vitin 1991 qyteti i nëndheshëm është ruajtur dhe mirëmbajtur nga strukturat shtetërore, ndërsa pas saj nisi degradimi.

Në qytetin e nëntokës mungon ndriçimi e ka dëme të konsiderueshme.

Të apasionuar pas historisë së të kaluarës dhe qyteteve që ende ruajnë gjurmë të trashëguara të sistemit komunist, këta turistë të huaj kanë udhëtuar nga Gjermania për të vizituar Shqipërinë dhe qytetet e ndërtuara në periudhën ish komuniste.

 Kukësi është ndalesa e tyre e parë, ku veç arkitekturës së ngjashme me modelet e qyteteve të bllokut të Gjermaninë Lindore dhe vendeve komuniste ajo që i tërheq vizitorët gjermanë në këtë qytet është mikëpritja e shqiptarëve.

Janë për herë të parë dhe kanë krijuar përshtypjet e tyre e tyre.

“Mikëpritja është ajo që na ka bërë pështypje në vendin tuaj”, shprehet një turiste gjermane.

 “Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për Kukësin është hera e parë për ne.  Edhe tek ne kur vendi ynë, Gjermania Lindore u hap kur ne krahasuam sistemet ne pamë që vendi ishte rrënuar ashtu si Shqipëria ishte rrënuar pas sistemit komunist”, thotë një turiste tjetër.

“Pasi dëgjuam historinë mbi qytetin e vjetër të Kukësit, që u përmbyt dhe të riut  ne dalluam menjëherë që është një qytet i bërë me histori të re, me rrugë të bëra. Është pak si qyteti ynë në Bavari, pasi është një qytet i rrethuar nga malet”, shprehet një turist tjetër.

Përtej qytetit, natyra e larmishme e Kukësit është ndalesa e duhur për të apasionuarit pas turizmit të aventurës.

Më i njohuri është Shtegu i ngjyrave, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik. Ai kalon nga bjeshkët e Çajës së Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Për shkuar atje duhet përshkuar fillimisht rruga gjarpërore të “Grykës së Vanave” që ofron një pamje befasuese plot me ujëvara e kanionë të vegjël. I thellë dhe i ngushtë, i zënë në fund nga shtrati i lumit Luma, ai ndan shpatet e thikta të Gjallicës dhe Koretnikut. Të shumtë janë turistët që ndalojnë për foto tek “Ura e të Dashuruarve”.

Nga qyteti i Kukësit deri në fshatin Novosej duhen 40 minuta udhëtim me makinë. Mungesa e investimeve në infrastrukturë nuk I bën të lehta ndërmarrjet turistike.

Një rrugë me gropa dhe e amortizuar të çon për në portën hyrëse të shtegut të ngjyrave. Në anë të saj shtrihen brigjet e lumit të Reçicës dhe livadhet e Novosejt me lule shumëngjyrëshe.

Nga këtu, eksploruesit e natyrës vazhdojnë ngjitjen përreth 7 orë në këmbë drejt shtegut të ngjyrave, i cili  kalon nëpër Parkun Natyror Korab-Koritnik. Shtegu i Ngjyrave është një emër i vendosur nga banorët dhe ngjyrat ndryshojnë gjatë stinëve duke i dhënë një pamje spektakolare kësaj lëndine alpine me liqenin e Novosejit në prehër të Malit të Kallabakut.

Pamjet mahnitëse që ofron kjo zonë i gjejmë të reklamuara edhe në faqen me rreth 25 milionë ndjekës në Instagram, ‘Beautifuldestinacion”.

‘Ky peizazh befasues tregon bukurinë natyrore dhe qetësinë që ofron Shqipëria. Nga kodrat e gjelbëruara te kuajt madhështor, është ikja perfekte nga ngutja dhe nxitimi i jetës së përditshme.’- shkruan faqja e njohur në Instagram.

Kjo nuk është hera e parë, që në Shtegun e Ngjyrave në Kukës filmohen momente të veçanta si ky. Ata që e kanë parë nga afër e dinë që t’i shohësh e prekësh nga afër janë një magji të dashuruarit e natyrës.

Por Segin dhe Mikean, kushtet e motit nuk i favorizuan per te ndjekur Shtegun e Ngjyrave, megjithate na tregojnë se kaluan një fundjavë të mrekullueshme ne zonën e Novosejt dhe parkun e aventurave të Shishtavecit.

“Kishim mison të shkonim tek shtegu i ngjyrave por fakteqësisht nuk e pamë dot se na kapi një stuhi shiu”, tha Mikeas.

Ata janë motër e vëlla nga Tirana që vizitojnë për herë të parë bjeshkët e Shishtavecit. Të impresionuar nga natyra e bukur, fëmijët rrëfejnë aventurat e tyre mes maleve.

“Kemi prenotuar fundjavën në Novosejë, por kur po ngjisnim malin pamë Shishtavecin që është fshat pak i veçuar dhe thamë pse të mos vizitojmë dhe Shishtavecin?!”, tha Segi.

Segi e Mikeas janë në këtë udhëtim bashkë me prindërit e tyre dhe një grup shoqëror të përbërë nga 4 familje.  Ata tregojnë se kanë zgjedhur turizmin e aventurës, me alpinizmin, ngjitjen në mal në një ndër vendet më përrallore në vend.

“Ajri i pastër, këtu ka jetë gjallëri, ka lule, gjen cfarëdo vecse do pak investim.

Vijmë nga Tirana dhe vendosëm të kalojmë dy netë në Novosej dhe Shishtanvec. Jam e mahnitur me natyrën, ajrin e pastër, bëmë aventurë, u nisëm për në shtegun e ngjyrave, por nuk ia dolëm për shkak të motit”, shprehen turistët.

Investimet nuk shkojnë paralel me bukuritë natyre të zonës. Rrugët rurale janë të paasfaltuara, ndërprerja e energjisë për shkak të rrjetit të amortizuar, janë disa nga problematikat. Po kështu numri i bujtinave është i vogël në Shishtavec dhe ende me shërbime të pamjaftueshme.

“Duhet investim më shumë në pjesën e rrugëve rurale, jo vetem me fuoristrada, të vijnë njerëzit me vetura apo me biçikleta të vizitojnë Shishtavecin.

“Ka mungesë të sinjaleve (shenjimi i shtigjeve malore). Shërbimi nuk është në nivele të pritshme nga bujtinat e restorantet”.

“I sugjeroj të gjithtë të shohin bjeshkët! Por pjesa më e keqe, është pjesa e investimit dhe e menaxhimit”, vijuan ata.

Hiking dhe hipizmi janë disa nga sportet që bashkojnë të apasionuarit e natyrës në Shishtavec dhe Novosej, ndër vendet më premtuese për zhvillimin e turizmit alpin në Kukës.

Verilindja e vendit është e pasur me larmi shpellash të cilat pak njihen dhe nga vendasit. Fare pranë qytetit të Kukësit, në Përbreg gjenden 16 shpella karstike.

Ndodhen në pjesën veriore dhe jugore të lumit “Luma” dhe përbëjnë një ansambël natyror fantastik.

Përballë tyre në faqen jugore të malit të Gjallicës, janë edhe disa pozicione artilerie të kalibrit të rëndë me vendstrehime tërësisht funksionale.

“Veç kureshtjes arkitektonike këto shpella ruajnë histori të kohëve të ndryshme deri në kohën e socializmit” shprehet Xhevit Dafku, ish komandat artilerisë.

Por shpellat karstike të Përbregut dhe disa shpella të tjera të Kukësit me potenciale të pasura për zhvillimin e turizmit kulturor e historik janë ende të fjetura ose të pashfrytëzuara.

“Duhet fare pak përpjekje për të shënjuar shtigjet e kalimit dhe markuar zonën si destinacion turistik pasi shpellat njihen vetëm nga banorët”- shprehet Alban Xhaferi, guidë lokale i cili së bashku më një grup të rinjsh të apasionuar pas natyrës dhe ngjitjes në male eksploruan shpellat me qëllim njohjen dhe promovimin e tyre.

Të rinjtë thonë se ky resurs i jashtëzakonshëm natyror mund të shfrytëzohet për turizmin kulturor e historik.

Shpellat karstike janë lehtësisht të aksesueshme për të apasionuarit pas natyrës dhe ngjitjeve në mal.

Shpellat kanë karakteristika të veçanta për nga vendi ku ndodhen dhe struktura tyre. Numërohen rreth 30 shpella njëra pas tjetrës në një gjatësi 2 km .

Për të shkuar tek shpellat e Përbregut nevojiten të bëhen me makinë 8 km nga qyteti i Kukësit deri në fshatin Përbreg .

Shpellat e Përbregut janë natyrale dhe gjeologjike .

Ata kanë shërbyer shumë si vendstrehime ,takime gjatë lidhjes Shqiptare të Prizrenit !

Kanë shërbyer edhe në luftën e parë botërore në kohën e betejës së dy drinave .

1913 aty janë strehuar familje nga fshati Përbreg pas sulmeve dhe gjenocidit Serb në fshat ku sot janë të vrarë , masakruar , pushkatuar 300 gra , fëmije dhe burra nga fshati Përbreg .

Mbi shpellat është një pllajë madhe për vendpushim dhe argëtim ku mund të shijohet peisazhi i bukur i malit të Gjallicës, qyteti i Kukësit dhe liqeni i Fierzës një tjetër atraksion turistik.

Janë kryesisht shqiptarët e Kosovës ata që zgjedhin t’i kalojnë fundjavat duke peshkuar në Liqenin e Kukësit.

Më shumë sesa për të zënë peshq, peshkimi duket një hobi për ta, për të kaluar ditën dhe e shohin si sport me vete.

Një pjesë të mirë të peshkut të zënë që nuk ua përmbush syrin dhe përmasat e lëshojnë sërish në liqen.

U pëlqen shumë e gjithë vija liqenore e Kukësit, por në kushtet aktuale të një situate aspak të pëlqyeshme mjedisore shprehin rezervat për ndotjen....

Tashmë Kukësi njihet edhe për tulipanin shqiptar. E gjithë zona ku rritet ky ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht është shpallur monument natyre. Tulipani i Kukësit  është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi. Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti. Në qarkun e Kukësit këto bimë endemike të rralla gjenden në malet e Gjalicës, në malet e Hekurave në Tropojë, në bregun e liqenit të Fierzës deri në Pashtrik të Hasit si dhe në Qafën e Luzhës në rrethin e Tropojës.

Të gjitha këto janë vetëm një pjesë destinacioneve turistike të Kukësit, po asnjë prej tyre nuk njihet nga fotografi londinez, Richard Burton.

Ai vendosi të vizitojë Kukësin, pasi kishte lexuar në mediat britanike për historitë e emigrantëve shqiptarë. Tashmë që ndodhet në qytezën verilindore po fikson në celuloid bukuritë natyre, sidomos lumin Drin.

“Për herë të parë e njoha Kukësin nga mediat në Angli dhe historitë e emigrantëve. Më interson ekologjia dhe rajoni i këtushëm ndaj po përpiqem të krijoj një histori për lumin Drin përmes fotografisë”

Richard Burton është fotograf i pavarur dhe punon prej 15 vitesh në Londër ka vizituar shumë vende, ndërsa Kukësin e sheh si një potencial turistik të pashfrytëzuar.

“Ka natyrë të bukur. Çdo person që kam njohur është miqësor, pPor është shumë e dukshme varfëria sidomos në fshatra. Nga bisedat me banorët kam mësuar se ka mungesë investimesh. Është e shëmtuar dhe njëherësh e turpshme se si është lënë kjo pjesë e Shqipërisë, e pazhvilluar. Nëse investohet, njerëzit këtu mund të bëhen të pasur përmes turizmit”.

Richardi bashkë me shoqëruesin Arben Kola, një guidier local, prej tre ditësh ka eksploruar zonat që përshkrohen nga lumi Drin. Po kështu është tërhequr nga historia, duke fotografuar kostumet tradicionale të grupeve folklorike. Një shans më shumë që Kukësi të njihet për historinë, relievin, liqenet, pyjet, livadhet alpine, natyrën e virgjër ku shëtisin të lirë edhe kuajt e egër.

 “Shpresoj që historinë time ta publikoj në mediat angleze”.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?