Armando Broja do jetë mungesa tjetër e madhe e Shqipërisë në përballjen e së premtes kundër Anglisë. Sulmuesi i talentuar është dëmtuar, duke iu shtuar mungesave të tjera si Gjimshiti, Abrashi dhe Ivan Balliu. Pavarësisht kësaj mesfushori Qazim Laçi beson se kuqezinjtë mund t’ia dalin për një rezultat pozitiv në Londër.
“Të luash me ekipin e Anglisë, do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e vështirë, por edhe ne do të përgatitemi shumë mirë, të marrim një rezultat pozitiv dhe e kemi treguar veten tonë në të gjitha ndeshjet që kemi bërë,”-shprehet Qazim Laçi, futbollist i Kombëtares.
Për mbrojtësin Frederik Veseli ëndrra për t’u kualifikuar në Botëror nuk është shuar, ai beson ende te mrekullia.
“Atmosfera është e mirë deri tani dhe për mrekulli besojmë çdo herë. Më tepër se mrekulli është një ëndërr, kemi dhe pak shanse dhe do të japim maksimumin tonë. Na ka mbetur edhe pak peng ndeshja me Poloninë, ku kemi pasur vërtetë mundësinë për të marrë të paktën një pikë sepse e kemi treguar veten në fushë,”-deklaron Frederik Veseli, futbollist i Kombëtares.
Pas ndeshjes me Anglinë të premten, kombëtarja do të luajë sfidën e fundit në grupin kualifkuese të Botërorit kundër Andorës të hënën në ‘Air Albania’.