Nga protesta e opozitës në Hungari

Kosova & Rajoni

Jo vetëm në Beograd, edhe opozita hungareze organizon protestë masive kundër Orbanit

15 Mars, 22:58| Përditesimi: 15 Mars, 23:04

  • Share

Rreth 50 mijë protestues zbritën në kryeqytet në ditën kombëtare të Hungarisë për të mbështetur Peter Magyar, i cili kishte qenë më herët njeri i brendshëm i qeverisë, tanimë i kthyer në udhëheqës të kampit anti-Orbán.

Magyar u tha mbështetësve të tij se “ka ardhur koha” për partinë e tij Tisza, e cila kryeson ndaj partisë së kryeministrit – Fidesz – në shumicën e sondazheve të opinionit përpara zgjedhjeve në 2026, raportoi Reuters.

Nënkryetari i Tisza-s, Zoltán Tarr tha se lëvizja e tij u përball me sfida të rëndësishme operacionale nën qeverinë aktuale, e cila është akuzuar për minimin e lirisë së shtypit dhe frenimin e demokracisë.

“Sfida më e madhe është se qeveria e Orban-it po bën gjithçka në fuqinë e saj për të kontrolluar dhe kufizuar disi aktivitetet tona”, pohoi Tarr.

“Ata gjithashtu ndjekin njerëz që thonë hapur se duan ndryshim dhe thonë se do të donin t’i përkisnin lëvizjes Tisza. Kjo është një nga sfidat më të mëdha, sepse padyshim secili është i shqetësuar për ekzistencën e tij ose të saj dhe kjo qeveri është shumë e veçantë në ndjekjen e njerëzve një nga një, duke i veçuar ata”.

Ai shtoi se “propaganda” shtetërore po përhapte gënjeshtra për opozitën.

“Ata vazhdimisht krijojnë histori që nuk janë të vërteta, por që janë në gjendje t’i çojnë njerëzit në një drejtim tjetër, [ata] i mashtrojnë ata duke përhapur gënjeshtra për ne”, tha ai.

Magyar dhe partia e tij do të nisin një sondazh popullor mbi 12 çështje kyçe ekonomike dhe politike për t’u dhënë qytetarëve një zë në platformën politike të lëvizjes në prag të votimit të vitit të ardhshëm.

Eurodeputeti 43-vjeçar është zotuar gjithashtu se do ta bëjë Hungarinë pjesë të një Evrope të fortë, në kontrast me euroskepticizmin e Orban-it, i cili e ka parë atë të përplaset rregullisht me politikanët në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane.

Duke folur në një tubim të veçantë të shtunën, 61-vjeçari Orbán tha se ishte koha për të eliminuar atë që ai e quajti një “ushtri në hije” e OJQ-ve, gazetarëve, gjyqtarëve dhe politikanëve që marrin pagesa nga jashtë.

Ai ka njoftuar tashmë planet për të goditur organizatat e financuara nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) – e cila tani po shpërbëhet nga Trump – dhe miliarderin e lindur në Budapest, George Soros, një mbështetës i kauzave liberale. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 16/03/2025 04:54

    Popujt po zgjohen,po u vjen fundi autokrateve lindore.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?