Jo vetëm për të dytën, bankat kërkuan kolateral edhe për garancinë e parë sovrane

9 Qershor 2020, 18:00| Përditesimi: 9 Qershor 2020, 18:24

  • Share

Biznesi ka kritika ndaj bankave të nivelit të dytë. Disa sipërmarrje thanë për Report tv se bankat e nivelit të dytë u kanë kërkuar kolateral edhe për paketën e parë kur sipërmarrjet paguan punonjësit dhe shteti doli garant për këto kredi në vlerën 100% pa normë interesi. Ndërkohë biznesi pretendon se dy garancitë sovrane në vlerën e 26 miliardë lekë për të mbështetur bizneset për pagat e punonjësve dhe për rimëkëmbjen e sipërmarrjeve nuk janë të mjaftueshme.

Sipërmarrjet shqiptare janë në pritje të një garancie të tretë e orientuar në sektorët më të goditur. Bërja e analizës së riskut, kërkimi i kolateralit si dhe kriteri për të mos qenë kredimarrës me probleme janë bërë pengesë për vijueshmërinë normale të garancisë së parë sovrane, e cila është bërë publike më 7 prill 2020, dhe që nga hyrja në fuqi e deri më tani është aprovuar vetëm për 462 biznese, në vlerën e 7.7 miliardë lekë.

Ndërsa për garancinë e dytë në vlerën e 150 milionë dollarëve, bizneset kanë kritika për mos-mbulimin e plotë nga shteti. Ministrja e Financave Anila Denaj tha se javën e kaluar u firmos marrëveshja me bankat e nivelit të dytë, të cilat do të kërkojnë kolateral për 40% të kredisë.

Ne kemi vënë në dispozicion të bizneseve që nëpërmjet bankave të marrin kredi për kapital ku 60% të saj e kemi mbuluar ne. Të gjithë bankat për garancinë e dytë po aplikojnë për procedurat pas firmosje së marrëveshjes javën e kaluar, dhe për ata biznese që kanë një ecuri të mirë me bankat ajo e aprovon menjëherë automatikisht rimbursimin. Me garancinë e dytë do të kemi nevojë për analizë financiare nga bankat, por duke pasur garant shtetin për 60% do t’ju kërkojë kolateral për 40%”, u shpreh Denaj.

Burime nga shoqatat e bizneseve dhe dhomat e tregtisë thonë se vendosja e kritereve, të tilla si garantimi i kolateralit për 40% të kredisë që mbulohet nga banka, bërja e analizave të riskut, apo marrja për bazë e gjendjes së tyre financiare, janë pengesa që frenojnë kredimarrjen, për të përballuar situatën post-COVID.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?