Jo vetëm Shehi, edhe Halili pranon supermarcinë e Besiktas: Çunat e Tiranës patën dëshirë të madhe, por nuk mjafton

4 Gusht 2023, 12:57| Përditesimi: 4 Gusht 2023, 13:51

  • Share

Pati shumë shpresë dhe raste sidomos në pjesën e parë, por Tirana u detyrua ti thoshtë mirupafshim Kupave të Europës, pasi u mposht edhe në ndeshjen e dytë kundër Besiktas. Në ‘Air Albania’ ndeshja e kthimit për turin e dytë përfundoi 0-2, por ajo nisi me 14 minuta vonesë për shkak të përplasjes së tifozërive në shkallët e stadiumit. Ishin miqtë nga Turqia që provokuan vendasit dhe për rrjedhojë në Air Albania u krijua një kaos, që u shpërbë vetëm falë ndërhyrjes së policisë.

Sherri i la vendin futbollit, që në 45 minutat e para foli totalisht për Tiranën, por pa mundur të gjejë golin. Në pjesën e dytë mjaftoi një episod sporadik që Besiktas të kalonte në avantazh me Amartey, ndërsa më vonë realizoi edhe Aboubakar. Për rrjedhojë Tirana eliminohet me rezultatin e përgjithshëm 5-1 nga turi i dytë i Conference League.

“Çunat kanë qenë shumë të impenjuar, dëshirën e kanë patur shumë të madhe për ta kaluar këtë tur, por kuptohet që diferencat bënë të tyren. Besiktas është një klub me buxhet shumë të fuqishëm, një klub i madh me shumë eksperiencë. Megjithatë në të ardhmen duhet të kemi pak më shumë kujdes,”-u shpreh Refik Halili, president i Tiranës.

“Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë, por me kundërshtarë të tillë mund të mposhtesh me gjysmë rasti. E bënë këtë duke fituar ndeshjen, por me atë që çunat bënë dhe derdhën djersë jam krenar për to,”-tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Përveç eliminimit Tirana pati shumë lëndime të lojtarëve në këtë ndeshje. Portieri Selmani pësoi thyerje në këmbë, ndërsa për shkak dëmtimi lanë fushën Deliu dhe Lushkja. Megjithatë pavarësisht eliminimit bardheblutë nënkampionë të Shqipërisë fituan jo pak nga kjo përballje me Besiktas, pasi 300 mijë euro erdhën nga të drejtat televizive dhe një shumë tjetër nga biletat. Pa llogaritur këtu edhe shpërblimet nga UEFA.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?