Joe Biden
Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka shpallur me emocion arritjen e një marrëveshjeje të rëndësishme për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit pas më shumë se 15 muajsh konflikti të ashpër në Gaza. Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden theksoi se kjo marrëveshje është fryt i një fushate diplomatike amerikane “të qëndrueshme dhe të kujdesshme” në bashkëpunim me Egjiptin, Katarin dhe palët përfshira.
"Pas muajsh diplomacie intensive nga SHBA-të, Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim që do të hyjë në fuqi të dielën. Ky është një hap madhor drejt ndalimit të dhunës dhe çlirimit të pengjeve, duke i ribashkuar ato me familjet e tyre," deklaroi Biden.
Presidenti rikujtoi se konturat e kësaj marrëveshjeje ishin skicuar që më 31 maj 2024 dhe kishin marrë mbështetjen unanime të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Marrëveshja, sipas tij, do të ndalojë luftimet në Gaza, do të lehtësojë ndjeshëm qasjen ndaj ndihmave humanitare për popullsinë civile palestineze dhe do të sigurojë kthimin e pengjeve pas më shumë se 15 muajsh robëri.
“Ky është një nga sukseset më të mëdha diplomatike të SHBA-ve,” shtoi Biden, duke e cilësuar marrëveshjen si një nga sfidat më të vështira të karrierës së tij. Ai shprehu gjithashtu besimin e plotë se marrëveshja do të qëndrojë e qëndrueshme dhe do të hapë një kapitull të ri për stabilitetin në rajon.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi pretendimet për meritën e ish-presidentit Trump, Biden reagoi me humor dhe qartësi: “Merita e Trump? Po bëjmë shaka?” – një deklaratë që pasqyroi vendosmërinë e tij për të mbrojtur përpjekjet e administratës aktuale.
Presidenti Biden, i cili do të largohet nga Shtëpia e Bardhë të hënën, theksoi se përfundimi i konfliktit dhe sigurimi i një armëpushimi të qëndrueshëm janë mes arritjeve më domethënëse të mandatit të tij. “Palestinezët tani do të kenë mundësinë të kthehen në shtëpitë e tyre në të gjitha zonat e Gazës,” shtoi ai, duke i quajtur këto hapa si fillimin e një të ardhmeje më të ndritur për rajonin.
Lajmi kryesor:
Marrëveshje Hamas-Izrael pas 467 ditësh luftë! Shtëpia e Bardhë e konfirmon! Katari: Armëpushim që nga e diela! Festë në Gaza (VIDEO)
K.M/ReportTv.al