Presidenti i SHBA, Joe Biden ka shkuar në Mbretërinë e Bashkuar para mbajtjes së samitit të NATO-s në Lituani, i cili vjen pasi disa aleatë vunë në dyshim vendimin e tij për të dërguar bomba thërrmuese në Ukrainë.
Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja janë ndër ata që shprehën shqetësimin për furnizimin me bomba thërrmuese, të cilat janë gjerësisht të ndaluara për shkak të rrezikut që ato paraqesin për civilët. SHBA thotë se ato janë të nevojshme sepse rezervat e armëve të Ukrainës po pakësohen.
Biden do të takohet me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak. Ata pritet të diskutojnë çështje të ndryshme, duke përfshirë luftën në Ukrainë. Po ashtu, Biden do të takohet gjithashtu me mbretin Charles për herë të parë që nga kurorëzimi i mbretit.
Sunak nuk e ka kritikuar drejtpërdrejt homologun e tij amerikan pas njoftimit për furnizimin e Ukrainës bomba thërrmuese, por të shtunën ai tha se Britania e Madhe ishte një nga 123 vendet që ka nënshkruar në Konventën për Municionet Thërrmuese, e cila ndalon prodhimin, grumbullimin, përdorimin dhe transferimin e armëve.
Megjithatë, aleatët e tjerë të SHBA-së kanë shkuar më tej. Vendi partner i NATO-s, Zelanda e Re tha të dielën se municionet mund të shkaktojnë "dëme të mëdha për njerëzit e pafajshëm".
SHBA thotë se ka marrë garanci me shkrim nga Kievi se trupat ukrainase nuk do të përdorin armët në Rusi apo në zonat urbane.
Vendimi për furnizimin me bomba thërrmuese vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile.