John Thune, mik i Federatës Vatra në krye të Senatit Amerikan për 4 vite: Çështja shqiptare do të ketë një zë të fortë

14 Nëntor, 13:02| Përditesimi: 14 Nëntor, 15:38

  • Share

Republikanët e Senatit amerikan e kanë emëruar John Thunen për ta udhëhequr këtë institucion vitin e ardhshëm,duke e zgjedhur një njeri që e njeh shumë mirë institucionin dhe duke i luftuar trysnitë nga mbështetësit e Donald Trumpit për ta zgjedhur një person besnik ndaj presidentit të zgjedhur.

Ai thuhet se e njeh mirë institucionin, ndërsa cilësohet si një mik i shqiptarëve.

“Çështja shqiptare në Senatin Amerikan do të ketë një zë të fortë atje”, thuhet në reagimin e federatës panamerikane Vatra.

Emërimi i senatorit të Dakotës së Jugut është shenjë që Senati mund ta ruajë njëfarë pavarësie nga Trumpi vitin e ardhshëm, kur republikanët do t’i kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dy dhomat e Kongresit.

Republikanët do t’i kenë të paktën 52 vende në Senatin me 100 ulëse dhe pritet ta kenë një shumicë të ngushtë edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, sipas parashikimeve të mërkurën.

Në një konferencë për shtyp, Thune tha se do të synojë t’i konfirmojë shpejt të nominuarit e Trumpit dhe të punojë për ta ndihmuar atë t’i ultë shpenzimet dhe ta forcojë sigurinë në kufi.

"Mezi presim ta rimarrim shumicën dhe të fillojmë të punojmë me kolegët tanë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta realizuar agjendën e presidentit Trump", tha ai.

Evropa e Lire shkruan se Thune tha se nuk do ta ulë pragun tradicional prej 60 votash në Senat, i cili është i nevojshëm për t’i kaluar shumicën e legjislacioneve, gjë që nënkupton se do të nevojitet mbështetja nga demokratët për pjesën më të madhe të kohës.

Thune, 63 vjeç, shihet si një individ me temperament të qetë dhe si një ligjvënës me përvojë, që ka marrëdhënie të ngushta me shumë nga republikanët e tjerë.

Ai aktualisht shërben si numri 2 i republikanëve në senat. Ai u zgjodh për herë të parë në Senat në vitin 2004.

Thune fitoi kundër senatorit John Cornyn të Teksasit, një tjetër veteran, duke marrë 29 kundrejt 24 sa i fitoi Cornyn.

Rick Scott nga Florida, një aleat i ngushtë i Trumpit, i cili u përkrah nga persona të fuqishëm nga jashtë, si miliarderi Elon Musk dhe komentatori konservator Sean Hannity, u eliminua në rundin e parë të votimit.

Disa nga mbështetësit më të zëshëm të Trumpit kishin shprehur shqetësim se Thune dhe Cornyn, të cilët kishin punuar ngushtë me McConnell, mund të mos ishin partnerë të besueshëm në qeverisje.

Scott, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2018, është konservator i ashpër që ka shërbyer dy mandate si guvernator i Floridës.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?