Pas Sergio Busquets, një tjetër legjendë e Barcelonës dhe lojtar i Inter Miamit, Jordi Alba, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist. Mbrojtësi spanjoll, Jordi Alba (36 vjeç) njoftoi vendimin përmes një videoje emocionale të publikuar në rrjetet e tij sociale, ku falënderoi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e udhëtimit të tij sportiv.
“E mora këtë vendim me bindje dhe lumturi, sepse ndiej se kam ecur në këtë rrugë me gjithë pasionin që munda. Dhe tani, është koha të nis një rrugë të re. Futbolli më ka dhënë gjithçka”, u shpreh Jordi Alba në mesazhin e tij.
Në fjalët e lamtumirës, 36-vjeçari falenderoi klubet ku ka luajtur gjatë karrierës; Atletico Centro Hospitalense, Cornella, Nastic de Tarragona, Valencia, Barcelona, kombëtaren spanjolle dhe së fundmi Inter Miamin.
“Ju më mësuat se fanella jo vetëm ndihet, por edhe jetohet. Faleminderit babait tim, familjes sime, stafit, trajnerëve, shokëve të skuadrës dhe rivalëve të mi. Faleminderit të gjithëve”, shtoi ai me emocione.
Alba largohet nga futbolli pas një karriere të jashtëzakonshme, ku ka fituar gjithçka në nivel klubesh dhe kombëtaresh. La Liga, Champions League, Euro 2012 dhe trofe të tjerë që e bëjnë atë një nga mbrojtësit më të suksesshëm të dekadës së fundit.
Me tërheqjen e tij, mbyllet një tjetër kapitull i artë i “gjeneratës së Barcelonës”, që dikur sundoi futbollin botëror nën drejtimin e Pep Guardiolës dhe më pas të Luis Enriques.
Komente
