Marash Kumbulla duket se ka lënë pas dëmtimin dhe është gati për t'u rikthyer në fushën e lojës me Romën e tij. Për situatën e mbrojtësit të Kombëtares ka folur edhe Jose Mourinho.
Portugezi ka theksuar se edhe pse kanë të dëmtuar dhe Mancinin, 23-vjeçari shqiptar kurrsesi nuk do të kthehet këtë fundjavë në fushë, për mos rrezikuar me gjurin.
I lënduar fundin e sezonit të shkuar pas një dyluftimi me Giroud, Kumbulla iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale dhe tanimë vijon të stërvitet me grupin e lojtarëve.
Sipas Mourinhos pritet që Kumbulla të jetë pjesë e ekipit në ndeshjen e javës tjetër, teksa për t'u rikthyer në fushë duket se do presim janarin e 2024.
"A është Kumbulla gati për të luajtur? Ai ka një karakter të fortë, por nuk është gati as për të qëndruar në pankinë për ndeshjen e nesërme (Europa League). Kumbulla nuk ka mundësi që të luaj nesër, por ndoshta mund t'ia dalë për të qenë i pranishëm në pankinë për ndeshjen kundër Napolit (luhet në 23 dhjetor)", ka deklaruar Mourinho.