Kur dikush, fort i pushtetshëm, siç është sot Edi Rama, kryeministër i vendit në katër mandate, vështirë është ta shoh atë edhe si piktor. Ka një stepje njeriu, i bishtnon përkatësive politike, mund të hajë ndonjë sharje kot më kot, sepse mund të keqkuptohet në urën që lidh dy brigjet: pushtetarin e “frikshëm” dhe piktorin e pambrojtur e të cenueshëm (gjithsesi). Këtë dilemë e zgjidh njëfarsoj vetë Oltsen Gripshi në fjalën shoqëruese të librit të tij Neuroestetika e një artisti, mbi pikturën e Edi Ramës. “Ky hulumtim shkencor nuk i përket piktorit, por pikturës së tij, sepse Ai është vetë ky libër”.
Për pikturën e Edi Ramës është folur pak ose fare pak. Ndërkohë ajo është bërë tejet e njohur jo vetëm se shumë syresh i ka në zyrën e tij në kryeministri, por edhe sepse janë paraqitur në disa ekspozita nëpër botë. Imazhet e tyre shëtisin gjithandej. Sipas meje, është një pikturë “ndryshe”, një mendjeshkrepje, ose siç ai e ka thënë vetë kaq here, ato janë fryt i lodhjes dhe mërzive nëpër mbledhjet e shumta për të shkarkuar trurin e rënduar. Pra, një farë katarsisi. Figura aty thuajse eleminohet me përjashtime kur shembëllimi sjell turbull silueta njerëzish e qeniesh mes ndërthurje vijash, njollash, ngjyrash, kompozimesh. Në fakt të gjitha ato janë botë e përfytyrimit, e ëndrrës, e sendërgjive, lojë e mendjes, e ndjenjës dhe e syrit.
“Piktura e Edi Ramës mishëron materien ekzistencialiste si pararendëse të imagjinatës së përbërë nga kohë-hapësira… është plazma e psikologjisë së kohës përmes membranës abstraksioniste-lirike në nënvetëdijën e një artisti”, e përkufizon Oltseni. Përtej ngarkesës që ka mënyra e të shprehurit dhe analizat që ai u bën imazheve piktorike të Ramës, autori i këtij libri kërkon një shpjegim teorik estetik. Dhe atë e lidh me psikikën e imazhit fenomenologjik, me neuroestetikën dhe estetikën semiologjike, me krijimin piktorik si shëmbëlltyrë antropike e realitetit, më tutje me elementin e të pavetëdishmes, me imazhin mnemonik (kujtesë e ndrydhur në bulbet e psikikës dhe strukturat nervore). Shenjat piktorike të Ramës kanë një gravitet të thukët ndjesor e shqisor, sikur dalin nga kozmosi i pavetëdijes përmes formash mistike, të pakapshme, të rrumbullta, si gjasa qeniesh, metabolizmash, mikroorganizmash e gjallesash të papërfytyrueshme, sikur të shihje në mikroskop a teleskop pamje e struktura të ndërlikuara, krijesëza a trupa qiellorë të panjohur, kode të padeshifrueshme të përfytyrimit.
Duke ndjekur analizën cilësore që O. Gripshi i bën mënyrës së të menduarit dhe të krijuarit të Edi Ramës, duke shëtitur nëpër korridoret e ngushta dhe mistike të psikës ku bulëzon vepra e pritshme e artit, unë nxitem edhe nga vetvetja me ndjeshmërinë që përcjell ky piktor. Sipas meje ai ndjek modelin postmodernist, ku fuqia abstraguese, format e zhbëra, shpesh me sajesa të tipit mitologjik, mbivendosjet paradoksale, shfaqen si parapëlqime në pjesën më të madhe të pikturimeve të tij. Kësaj hullie i prin edhe aftësia për të bërë sendërgjime të habitshme mbi një realiteti virtual, të përtejmë, pa kohë, pa trajtë fizike, në formën e një fiksioni të pastër e të shpenguar. Ky trill i mendjes filtrohet më së shumti përmes nebulozash eskatologjike, fantazmagorive, qasjeve onirike, ku ndryhen dhe fshihen ankthe, mani, shaka me vetveten, loja e shpenguar e mendjes…
Edi Rama koleksionet e pikturave të tij i ka shetitur brenda e jashtë vendit në disa ekspozita, prej të cilave: Ekspozita personale në Galerinë e Janos në New York City (1993); Place de Médiathèque në Francë (1995), Cite Internationale des Arts-Paris (1996), Tour de Pourgnon-Die (1996); Palais Jalta në Frankfurt (1997); Acud në Berlin (1993); Sao Paulo në Brazil (1994); ekspozita në Izrael (1995); ajo në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, Shqipëri (1992); dhe Pedicure Galeria XXI në Shqipëri (1999). Në vitin 2014 dhe 2017 si piktor ai u vlerësua nga emra të njohur të mendimit kritik në Bienalen e mirënjohur të Venedikut, sikundër ngjau po njësoj edhe në një koleksion të veprave të tij në galerinë tjetër me emër, Marion Goodman në Nju Jork (2016). Këto ekspozita, të hapura kur ai ka qenë kryeministër, kuptohet se janë edhe begenisje të të tjerëve për një shtetar. Por po e anashkalojmë këtë!
Unë nuk jam piktor, por i besoj analizës së Oltsen Gripshit mbi natyrën dhe poetikën estetike të pikturës së Ramës. Nga një këqyrje tërësore e pikturave, s’është e vështirë të dallosh një stil vetanak, i pangjashëm ndër kolegët e tij të artit, le ta quajmë konceptualist dhe surrealist, siç e kategorizon Oltseni, me një stampë të fortë të vetëshprehjes. Kompozimet piktorike mbushen e popullohen nga imazhe surreale e të mitologjizuara, me semantika herë të dekodueshme e herë të parrokshme, hermetike, jo të lehta, thuajse të çliruara nga çdo ngarkesë e drejtpërdrejtë rrëfimore, natyrore a mesazhore. Sqepa shqiponjash dhe brirë dhie, që dalin, ngjizen a qenësohen në trupa gjallesash pa fizionomi; gjësende të sendërgjuara, forma eshtrash nga qenie të shpërfytyruara a të bigëzuara si risemantizime figurinash parake primitiviste. Këto pasohen nga larushi ngjyrash në një koreografi kromatike joshëse e përplot dritë; truptha, vijëzime e njolla koloristike diverguese, më tej ngjasime humanoide me trajta e fragmente imazhesh të befta e të llojllojta; diku gjetkë forma naiviste si përfytyrime fëmijërore, fytyra të mbushura me vijëzime, figura gjeometrike të çrregullta, imazhe fito-zomorfe herë të buta e herë si qenie antropofage, shpirtra të zjarrtë dragonjsh të brendësuar në qenie njerëzish apo bukuri vizuale kurmesh biseksuale. Përtej figurës, sado e turbullt apo e zhbërë qoftë ajo, duket se gjithkund formësohen ndijime që vijnë nga një ndërdije e shqetësuar, ndonjëherë ironike, sarkastike, ku e shëmtuara estetizohet. Indekset vizuale, shenjat dhe dendësia e formës ka sjellë në shumë krijime të tjera një fantazi ravijëzimesh, ngjyrash dhe imazhesh derdhur mbi letra shkrimi a shkresa rutinore të punës si kryeministër, nën mërzitë dhe ftohtësitë burokratike; ose trajta amalgamash mes reales dhe surreales. Në këtë tollovi, ja ku shfaqen vegime humane që shëmbëllejnë me vegla muzikore; trajta femërore të kredhura në eros, kurme të kërrusura nga stërpeshat pa formë e tregues, mbuluar nga anarki gjestesh përplotësuese, figurina skeletike në pozicione kontrapunktuale, kontinente të mbushura me ngjyra, njolla, sendërgjime të habitshme në një epsh (mbase!) ekologjik. Të gjitha këto duket se kanë jo thjesht energji përbrenda, por, sipas meje, dhe një mëri, nganjëherë përbuzje, neveri, pse jo dhe keqardhje diku-diku për pozitën dhe gjendjen e njeriut në një bosh çorientues a gjendje hutie, braktisjeje e vetmije. Pikturat e Edi Ramës, ani pse jo vizualisht të qashtra si identitete narrative, vijnë si bashkësi ngjyrash e formash që rreken drejt imazheve humane, veçse gjithëherë të deformuara, të shpërndërruara e me vëllime të shformuara. Përtej kësi mbivendosjesh të habitshme dhe raporteve me hapësirën, gjësendet ngjajnë si diç e pa shkak, e pa trajtë, pa rend, të mugëta. Megjithatë ato mund të perceptohen brenda domethënies së një kaosi dhe amalgame të mirëpërcaktuar, që vetë qenia, dialektika e lëvizjes dhe mendimi artistik i piktorit, e kanë përbenda.
Leximi i vëmendshëm i librit të Oltsen Gripshit më bëri të kuptoj ca më mirë format konceptualiste të modelimit piktorik që ndjek Edi Rama. Vlerësoj posaçërisht ligjërimin e lartësuar të autorit, filozofik madje, që dëshmon për mua sa kulturë, dije, ndërgjegje estetike, aq dhe një dritësim mbi konturet e lëbyrta të pikturave. Vetë Oltseni ka një koncept të ri kundruall proceseve të zhvillimit të artit shqiptar në hullitë e postmodernizmit. Pikërisht postmodernizmi i artit të E. Ramës i flak tej shëmbëllimet e thjeshta, ndërsa në syrin e tij “piktorik” buisnin lloje të tjera imazhesh: shpikje të mendjes, vegime ëndrrore, makthe, virulenca psikike, përfytyrime të citura prej narrativave fluturake e mitologjike. Nisur nga dritarja estetike e perceptimit tim, unë jam i një mendjeje me Gripshin se Artisti Edi Rama i ikën kolltukut të ngrohtë dhe autoritar të zyrës kryeministrore dhe futet në kasollen e tij, në atë strehëz të ngrohtë prej artisti, ku është krejt i vetëm. Vetvetja. I vetëmjaftueshëm. Dhe bash aty tek ajo “kasolle” ai kërkon të na shpjegojë ndoca mistere të shpirtit të tij të brishtë si artist, ardhur nga loja e imazheve onirike, të cilat teksa i shohim e i prekim, na mërgojnë në të tjera domethënie. Kjo ecejake nga e thjeshta në dukje të parë drejt asaj që tashmë qenka më e thellë e më shumështresore, kumtohet si përftesë mesazhore e librit të Oltsenit. Ai më bëri dykahësh në vlerësimin tim: të rishijoja artin e Edi Ramës, sa dhe dika të thoja mbi piktorin dhe studiuesin Oltsen Gripshi. Një grimë here, duke i parë me kujdes dhe gjatë pikturat e piktorit-kryeministër, sikur u gjenda mbi një “theqafje”. Përballë kësaj pikture konceptualiste, që ngre mbi kështjellat e vjetra e të rënda figurative, të tjera “kështjella”, duke i ikur si në arrati pikturës tradicionaliste mbushur me realitete gri ose farfuri, nga përvoja ime si kritik pata një ndjesi të çuditshme. Në atë kozmos piktorik sikur shqova siluetin e një shpirti në ankth, agnostik dhe bredharak, kredhur mes imazhesh shpesh të ajërta dhe strukturash mentale paradoksale - një surealitet drithërues ky, i habitshëm, grotesk dhe rëndom i frikshëm. Ishte shpirti i shqetësuar i piktorit Edi Rama…
Komente

Thuaj Saliut se ne e dime
Përgjigju