Albana Vokshi, Sali Berisha dhe Flamur Noka

Opinion

Josif Papagjoni: Të njohësh humbjen është reflektim për ndryshim, shans i pritshëm nesër

17 Maj, 07:07| Përditesimi: 17 Maj, 07:10

  • Share

...Kisha bindje, edhe pse për të katërtën herë, se Partia Socialiste nën vullnetin dhe vizionin e Edi Ramës do të fitonte. Por jo kaq thellë. Jo! Në brendësi të vetes, jo thjesht për të qenë në shinat teorike të demokracisë si këmbime elitash politike e pushtetesh, do doja pra që të kishte një rrotacion. Rrotacioni është freski, ndryshim uji pa e lënë të bëhet kënetë, energji e re; është demokraci, qasje politike përtëritëse. Por kjo dëshirë m’u venit kur doli rishtazi po ajo fytyrë në krye të PD, po ai fjalor, po ajo tërcëllimë, po ato kërcënime pa fund, po ajo mendësi me “revolucione”. Dhe veshi stërmundohej me po ato superlativa tejet të konsumura, që më kujtonin prozën e Qamil Buxhelit, kur quhej “historike” edhe inagurimi i një haleje publike. E kush e çfarë nuk mbeti pa u quajtur “historike” nga Berisha?! Populizmi i tij është i jashtëzakonshëm.

Afërmendsh se jemi lodhur me të njëjtat fytyra. Enveri vajti 40 vjet, Saliu 5 vjet më pak, i kudogjendur në politikën prijëse dhe ekrane. Do të më thonë, ja edhe Edi Rama ka 25 vjet në pushtet, pse nuk e shpotit e demaskon dhe atë njësoj si Saliun? A s’është dhe ai një populist, por i një kahu më të moderuar? Po, edhe Rama ka tepri, përdor fjalë me nuanca përtallëse, të një shqipeje të nivelit të rëndomtë, shpesh vulgar, arkaik madje, për t’i bërë ato pjesë të një semantike politike të kahut populist, si bie fjala “Noc rroku”, “bufi i kënetës”, “çyryk”, që u bënë tejet virale në këtë fushatë. Ky fjalor e thyen formatin e një komunikimi politik të sprovuar historikisht, le ta quajmë “retorikë klasike”, çka e përdori jo pak edhe Donald Trump në fushatën e tij. Gjithsesi, është e njohur cilësia e fjalimeve të Ramës që, përveç shqipes së krehur, kanë edhe një sqimë letrare, po ashtu dije të përpunuara politike. Unë do doja që t’i thosha edhe Ramës: “Hapi rrugën një tjetri, krijo kushtet brenda partisë socialiste për qarkullim elitash, drejtuesish të rinj, alternativash. Nuk është turp që edhe në fitore e pushtet të dorëzosh një post, duke mbetur pjesë e të “ndriturve” të partisë, senator nderi i saj, siç bënë, bie fjala, Gjergj Uashingtoni, Kromuelli, Garibaldi etj. Por kur përballë tij më vihet portreti i stërkonsumuar dhe i stërvjetëruar i Berishës, që ende kërkon pushtet pas dështimesh të njëpasnjëshme, epo s’kam për kë votoj tjetër, mendova dhe vendosa. Unë e di se ndjeshmëritë e njerëzve formohen herët dhe vështirë të ndryshojnë. Ato ndryshojnë kur ka “frymë”, kur ka një shpresë të madhe, një bindje gati religjioze. A ma jep Berisha këtë? Bah!

Edhe pse mori si këshilltar një amerikan, me të cilin u mburrën aq shumë dhe kopjuan në mënyrë groteske sloganin e Trampit për Amerikën, kësaj here për “Shqipërinë madhështore!!!” (sa naiv, sa qesharak, madje idiot slogani!) – edhe në këtë fushatë ishte dhe mbeti po ai stil haxhiqamilist me anatema, kërcënime, shkrirjen e Spakut, po ato klithma damar-fryrë për rebelime, kryengritje, “rrëmbim armësh”, po ai avaz i Mukës se votat janë vjedhur, se është deformuar vullneti i zgjedhëseve edhe kur budallai i lagjes e di se nuk bëhet fjalë për dhjetë, njëqind dhe as njëmijë vota, kinse të “vjedhura”, por për dhjetëra mijëra vota, që krijuan një diferenncë të frikshme. A s’na bën të gjithëve ca si shume budallenj kjo logjikë, a s’na fyen inteligjencën?

Sali Berishës i ka munguar hijeshia dhe sjellja qytetare. Në thelb, ai ka mbetur një inatçor i pandreqshëm. Është fatlume ose fatkeqe kahja dhe brendia e karakterit të njeriut. Kur njeriu është i mirë, është i mirë. Por kur është i keq, bëhet dhe më për dreq. Nuk dua të listoj zullumet e tij të njohura, disa prej të cilave shoqërohen dhe me padi e procese gjyqësore ndaj tij. Le të merren politikanët dhe analistët me ato. Mua asnjë çast nuk më ka pëlqyer vrazhdësia e tij, një tension dhe nervozizëm që nuk resht e nuk resht. Ngjan më shumë si një ushtarak, një biçim “gjenerali”, sesa një pushtetar vizionar, një “mbret i ndritur” sipas Platonit. Sentenca “shpif, shpif, se diçka do të mbetet” e ka shoqëruar si metoda më e parapëlqyer e kritikës së tij politike dhe ballafaqimit me kundërshtarin. Nuk e kam honepsur dot, që për hesape politike e pushteti, të fuste hundët në familjet e të tjerëve, duke u përmendur gruan, nënën, babain, mortat, vëllezërit, hallat, tezet, krushqit. Më është dukur e neveritshme, e padenjë, mepatjetër një trashëgimi dhe inerci e antropologjive provinciale prej katundesh të thella apo, pse jo, edhe recidive të “biografive” të kohës së komunizmit. Me miq shpesh kemi thënë: “Zot, ku e ka gjithë këtë energji ky njeri?! Zot, sikur ta kishte këtë me natyrë ndërtuese dhe jo shkatërruese; të ishte më shumë i butë, pranues, konsensual, modern, sesa përherë i egër, përherë me gishtin tregues si “akuzator” a “prokuror”. Në mendjen e tij socialistët kanë qenë përherë “kriminelë”, “komunistë”, “trafikantë droge” e plot broçkulla të tilla. Edhe këtë fushatë i dha qeverisë socialiste titullin “narkoshtet”. Por ja që votuesit nuk e dëgjuan dhe e refuzuan. Më tutje, Sali Berisha ka sipas meje një humbje të sensit për të kuptuar se, më në fund, vjen një moshë që trupi lodhet, mendja shushatet, se ka plakje, se edhe tuhafepset i gjori njeri. Ja që ka një cak fiziologjik kur duhet të largohesh, o zotëri, kur duhet të pushosh paksa e të pish një kafe në lokalin e lagjes me kolegë pensionistë të tjerë. Të bësh dhe ndonjë psoni në pazar. Të gëzosh pleqërinë...

Ah sikur ky njeri, kam menduar shpesh, gjithë atë epsh politik të panginjur dhe gjithë atë energji, sfiduese për moshatarët e tij, ta kishte si një tharm ngjizës, më së pari për bashkësinë e tij politike, domethënë qenësinë dhe forcimin e PD, më tutje për popullin, dhe më tutje akoma për kombin. Sikur të qe kështu do të ishte një personazh që do t’i mbetej historisë. Por kokëfortësia e tij po e çon gjithnjë e më shumë drejt hendekut. Nesër, edhe ai “regjiment” besnikësh që i kanë mbetur, do ta braktisin. Kjo ka ndodhur me shumëkë në histori. Sepse edhe ata do të mërziten më në fund me dështimet e njëpasnjëshme, me vrasjen e shpresës së demokratëve, me premtimet dhe gënjeshtrat e pafund të “fitoreve” që s’vijnë kurrë, me pritjen e një karriere të synuar dikujt, e një posti një militanti, e një pune shumë të tjerëve. Prandaj dhe them se energjia e tij është kthyer në fakt në energji destruktive. Nuk fitohet me detashmentet vetëm të militantëve.

Mua nuk më hiqen nga mendja disa ngjarje të përçudshme, bie fjala, marrja e selisë së PD me një dhunë të pashembullt, me qysqi e vare, si në betejat mesjetare me sulmet ndaj kështjellave; ose djegia e karrigeve brenda parlamentit, grushtet, populizmin e fushatës me premtimet në hava, që fyejn inteligjencën e çdo ekonomisti. Modeli i tij ka degraduar në rrjedhën e kohës, dhe nëse dje diku edhe motivohej si mëri ndaj komunizmit, ku vetë ishte nga më idhtarët e tij dhe servilët e Ramiz Alisë, sot patosi i tij politik është konvertuar thjesht në inat e mëri plaku, që ose do bëhet siç them e siç dua unë ose s’ka dhe “puf” t’ia bëni që të gjithë... Apo, siç thonë analistët e shumtë, ai ka hallin e familjes së tij, gravitetin e akuzave në gjyqet e hapura për vjedhje e vrasje që i rrinë përsipër si shpata e Damokleut. Prandaj dhe i duhet një grusht besnikësh, modeli i Flamur Nokës me shpuzën e zjarrit Raishtagut si personazhet e Brehtit apo Edi Paloka që vë këmbët serbes-serbes mbi tavolinën e shenjtë të kuvendit (çfarë turpi!). Sepse këta besnikë më duken si ata personazhet e Dostojevskit te “Djajtë”; ata i pështillen Mere Fizit që tespiqet mos t’i bien, të ruhet po ajo statuskuo, po ajo vjetërsirë, për të mbrojtur në parlament vetveten përmes sentencës romake “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Bravo Jorida Tabaku, një nga personazhet më të zot, më të kualifikuar të kësaj partie, që e fitoi jo me britma mandatin e deputetit, por me diturinë e saj prej ekonomisteje, me mençurinë e saj, me urtësinë e saj, me sjelljen qytetare. Bravo njësoj edhe mjeku Ilir Alimehmeti, që shquan për argumentin dhe logjikën, qetësinë dhe sensin qytetar. Kjo paradigmë politike është e nevojshme sot në PD, jo skorjet e vjetra që “uzina politike” e kohës i ka qitur me kohë jashtë, “paçavrat që zunë myk nd atyre qe poeti u thoshte r tempuj” siç thoshte poeti...

Sa shumë u zgjata me të! Për mua, opozita ka shansin e ndryshimit nëse i thotë sy për sy Berishës: dil në pension zotëri, hape rrugën për ne të rinjtë. Ti je tashmë një personazh ahistorik. A ia vlen më tej? Ne u plakëm me të. Thënë me shaka, na plaku! Por po plak dhe të rinjtë. Ai s’e njeh humbjen, dorëheqjen, veç sajon e provokon. Pa shiheni, dje dhe sot u zhvillua samiti i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Diçka e bukur për ne, një prani që e presim jo pa gëzim tek shohim të marrin formë shpresat drejt rrugës së integrimit në Evropë. Dhe pikërisht në këtë ditë ai kërkon “casus modi” për dështimin e vet, kërkon një situatë turbullire, dyshimi, pasigurie. Po ç’dreqin do bëjë xhanëm? Asgjë. Erdhi i lodhur nga Brukseli, tha po ato fjalë që i ka thënë mijëra herë, kërkoi “arsyen e mosarsyes” për të justifikuar dështimin katastrofik dhe zvogëlimin e shanseve të PD. Nuk la veçse shijen e hidhur te kjo ditë e bukur për shqiptarët dhe Shqipërinë! Dhe s’di pse më vjen nga brenda shpirtit: “Po lëri, o njeri, që shqiptarët të shijojnë një ditë “ndryshe”. Ka ditë të tjera. Duro! Pse krijon më kot ankth, tension?! Pse i lodh më tej njerëzit! Eh, ç’të merresh më kot me ata që nuk mbushin, që nuk e njohin humbjen për njohjen e gabimit dhe mundësi reflektimi, sepse janë mësuar përherë majë kalit...

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?