Drejtuesja politike për diasporën e PD, Jozefina Topalli ka zhvilluar takime të shumta me shqiptarët në Nju Jork.
‘Kontributet tuaja ekonomike, sociale, dhe kulturore janë të pallogaritshme. Jeni mundësia kyçe, që Shqipëria ka, për të mos rrëshqitur drejt zbrazjes të parikuperueshme të vendit’, është shprehur Jozefina Topalli gjatë takimeve me diasporën në SHBA .
Postimi i Jozefina Topallit:
Të dashur miq dhe bashkëkombës,
Është një emocion i papërshkrueshëm të jem këtu, përballë jush, mes jush-njerëz të cilët, pavarësisht largësisë fizike, mbajnë gjithmonë Shqipërinë në zemër. Ju që keni lënë pas tokën e lindjes për të ndjekur ëndrrën amerikane, por që kurrë nuk e keni harruar atdheun.
Kontributet tuaja ekonomike, sociale, dhe kulturore janë të pallogaritshme. Çdo ndihmë që dërgoni për familjen, çdo projekt investimi, çdo partneritet që krijoni, çdo promovim të kulturës shqiptare – të gjitha këto janë hapa që na ndihmojnë të ecim përpara.
Në zgjedhjet e ardhshme, për herë të parë diaspora do të ketë mundësinë të votojë nga jashtë.
Mbase jeni mundësia kyçe, që Shqipëria ka, për të mos rrëshqitur drejt zbrazjes të parikuperueshme të vendit.
Votoni për Shqipërinë.
Votoni për një vend me shpresë!