‘Jul Çezar’ në agoret e dy teatrove, aktorët: Do të ketë më shumë impakt se 10 protestat e opozitës

11 Korrik 2019, 15:08| Përditesimi: 11 Korrik 2019, 16:00

  • Share

Si rrallëherë në agoret e dy teatrove Kombëtar edhe Eksperimental do të inskenohet shfaqja “Jul Cezar” e Ulljam Shekspirit. Regjisori kroat Ivica Buljan sjell para publikut veprën e shkruar në vitet 1599. Në qendër të shfaqjes janë republikanët, të cilët të udhëhequr prej Brutit dhe Kasit, vrasin Jul Cezarin, diktatorin e Romës, që kishte mbledhur rreth vetes aq pushtet, sa rrezikonte që vendin ta kthente në monarki, edhe restaurojnë republikën. Regjisori kroat, Ivica Buljan i cilësuar nga “Nju Jork Times”, si një ndër dhjetë regjisorët më të mirë të momentit, rrëfen përse zgjodhi për të sjell Jul Cezarin në teatrin shqiptar. 

“Pse Jul Cezadin? Sepse është një nga të preferuarit e mi, mes teksteve të shumta të Shekspirit. Ndoshta është një nga thrilleret e parë të ndonjë politikani. Unë kam qenë admirues i trilleve në literaturë, në kinema dhe në teatër. Për mua kjo është zgjedhja perfekte midis poezisë së Shekspirit, teatrit politik edhe thrilleri si zhanër”, shprehet regjisori Ivica Buljan.

 “Jul Cezari” vjen para publikut në një moment, që situata politike është e trazuar, prandaj regjisori na tregon se si e ka aktualizuar veprën me realitetin shqiptar.

“Në përgjithësi në teatrin bashkëkohor në Europë ose në botë ka dy mënyra për të përshtatur një teatër politik. E para, e cila është e përhapur këto kohë, është teatri dokumentar, kur  regjisori dhe aktorët i referohen direkt situatës politike. Ka shumë performanca të tilla. Kur aktorët dhe regjisori tregojnë direkt se kush është Jul Cezari, se kush është Bruti. Unë jam nga ana tjetër e lumit. Mua më pëlqen shumë ideja  që e regjisorëve të viteve ‘60 krijuan për politikën, kur në teatrin avangardë amerikan, apo në artin e teatrit evropian. Si për shembull Antoine Vitez, regjisori francez  thotë që “nuk është e nevojshme e të tregosh drejtpërdrejtë se kush është Jul Cezari, audienca është shumë inteligjente dhe mund të kuptojë se kush mund të jetë dhe kush nuk është”, vijon më tej Buljan.

Ndonëse aktorët shqiptarë e përjetojnë për herë të parë këtë eksperiencë, por fakti që i flet aktualitetit shqiptar i bën ata edhe më entuziastë në këtë dalje para publikut
“Ne që jemi pjesë e këtij vendi edhe e dinamikave politike të këtij vendi e ndjejmë akoma më mirë edhe jemi shumë më të ndjeshëm ndaj këtyre gjërave. Them që për të gjithë ne, unë do ta thosha që shfaqja jonë e datës 13 do të jetë shumë më e mirë, se dhjetë protestat e opozitës, apo 35 të tjerat që mund të bëj. Në sensin qytetar”, shprehet aktori Alfred Trebicka.

Edhe për Romir Zallën (Jul Cezari) vepra është një provokim jo vetëm për hir të fabulës, që është e vjetër sa vet bota, sepse lufta për pushtet është e vjetër sa vet bota. “Më shumë se politikës i flet popullit, njerëzve, sepse janë ata që lejojnë apo jo situata të tilla ekstreme”, thotë Zalla.

Ndërsa, edhe aktori Ervin Bejleri shprehet se : “Ajo që unë do të theksoja është, përse njerëzit duhet që të vijnë ta shikojnë? Alfredi e tha bukur, që është një shfaqje që përsa i përket impaktit që do të ketë në publik, do të jetë edhe më i madh sesa dhjetë protesta nuk ka rëndësi të opozitës apo pozitës”.

Më tej Gent Zeneli mendon se përtej vrasjes së Jul Cezarit, moment i rëndësishëm është sidomos vrasja që i bëhet Republikës.  

“Për mendimin tim në vepër ndodhin dy vrasje. Kemi vrasjen fizike të Cezarin edhe vrasjen e Republikës, që për mua është shumë e rëndësishme. Njerëzit duhet që të vijnë të shikojnë këto dy vrasje edhe mesazhin, që populli e vret këtë lider edhe vendos se kush do ta udhëheq. Ky katarsis që pëson turma e manipuluar nga Marc Anton është një shfaqje që çon mesazhe shumë të forta”, thotë Zeneli.

Premiera e shfaqjes “Jul Cezar” ngjitet në datë 13 korrik nën lojën e aktorëve: Romir Zalla, Alfred Trebicka, Vin Bejleri, Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Ermira Hysaj, Ilirda Bejleri, Adriana Tolka, Klejdi Metaj, Mateo Dervishaj, Endri Çela, Engjëll Hoxha, Enea Nika, Paolo Kadillari, Anxhelo Shkreli.Kostumografe: Sofi Kara. Skenograf: Beqo Nanaj; Regji ndriçimi: Sonda Trinajst; As/regjisor: Mateo Dervishaj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?