Juliana Pasha dhe Lulzim Basha

Opinion

Juliana Pasha dhe Lulzim Basha

20 Qershor 2021, 12:33| Përditesimi: 20 Qershor 2021, 12:48

  • Share

Mund të mos kenë lidhje personazhet, sikurse problemet mund të jenë vogla, të mëdha, serioze, qesharake. Nënë Tereza ka thënë se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Këngëtares së mirënjohur, Juliana Pasha, i ngordhi qeni pak kohë më parë. Ajo, ashtu si edhe shumë të tjerë kishte krijuar një lidhje aq të fortë me qenin, saqë e bëri lajmin publik në një formë krejt të pazakontë.

Juliana doli xhiro me qenin e saj në Berat. Në një nga trotuaret e qyterit qeni i kishte ngrënë një salçiçe dhe ishte helmuar. Nuk dihet me siguri, por ekspertiza “mjeko-ligjore” e veterinerit do të kishte dalë në përfundimin se qeni i saj kishte ‘ndërruar jetë’ për këtë shkak.

Juliana e përjetoi aq keq humbjen e qenit saqë i bëri thirrje publike Bashkisë së Beratit, policisë dhe ministrisë së Mjedisit, për të identifikuar autorin që kishte hedhur salçiçen, me qëllim ndëshkimin e tij, që të tilla ngjarje të mos përsëriteshin në të ardhmen dhe kështu nuk do të rrezikohej jeta e kafshëve të tjera.

Aq e lidhur ishte Juliana me qenin saqë tha se ai “vdiq” nga salçiçja që kishin hedhur në rrugë njerëz të papërgjegjshëm. Por si një artiste, ndoshta edhe nga reagimi emocional, ajo nuk mori në konsideratë disa anë të tjera të medaljes. E para, gatishmëria e institucioneve për të marrë seriozisht, hetuar dhe ndërshkuar vrasësin e mundshëm të qenit, pavarësisht se krimi i pretenduar mund të ishte pa paramendim. Dhe e dyta, kultura: sa e përgatitur ishte shoqëria jonë, për t’u solidarizuar me këngëtaren, që të paktën të pajtohej me faktin e salçiçes së hedhur dhe qytetarët të kërkonin një mjedis sa më të pastër.

Çfarë ndodhi? Juliana si të mos mjaftonte dhimbja që i shkaktoi humbja e qenit u përball me tallje dhe ironi të shumta në rrjetet sociale.
– “I bëjmë thirrje SPAK të hetojë këtë krim të rëndë dhe të ndëshkohet krimineli,” – thoshte një qytetar. – “T’i rrojnë qenit çfarë ka lënë, motra, vëllezër, nipër dhe mbesa,” – shkruante një tjetër. “Të mblidhet Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme” apo “Të reagojë menjëherë Kryministri, Presidenti dhe të shkarkohet kryetari i Bashkisë” ose “Jo më larg se dje kanë ndodhur vrasje dhe aksidente ku kanë humbur jetë njerëzish, fajtorët nuk janë gjetur, por ky krim duhet zbardhur urgjent.”

Ndërsa publiku francez do të solidarizohej, ai shqiptar vendosi të tallej me fatkeqësinë e qenit të Julianës. Nëse institucionet franceze apo ato të vendeve të zhvilluara në BE i marrin seriozisht jo vetëm thirrjet e artistëve, nuk dihet se si shkoi puna me insitucionet tona.

Çdo qytetar shqiptar ka përjetuar në një formë apo tjetër padrejtësi të shumta në tërë këto vite. Për shkak të gjendjes ku janë katandisur institucionet arsimore, kulturore dhe ato ligjzbatuese, si garantuese të funksionimit dhe zhvillimit normal të shtetit të së drejtës.

Prandaj, edhe krimet zgjedhore të pretenduara nga opozita, nëse supozojmë se ato qëndrojnë, a marrin dot zgjidhje në mungesë të institucioneve të lartpërmendura? Cili është edukimi dhe kultura që kanë fituar qytetarët shqiptarët përmes institucioneve të pavarura, që ata të shqetësohen, për të mos thënë se mund të tallen mbi të njëjtat pretendime, për fatin e demokracisë në vendin e tyre?

Se çfarë ka bërë opozita kur kishte pushtetin dhe më pas, që të kishim sot një shoqëri sa më të edukuar dhe të emancipuar për të reaguar ndaj çdo shkeljeje dhe parimi që cënon demokracinë dhe se çfarë ka bërë ajo që të kemi sot institucione drejtësie sa më të pavarura dhe të besueshme për të ndëshkuar çdo krim, kjo mbetet e diskutueshme.

E padiskutueshme është se ndaj çdo padrejtësie me interes publik, sidoemos kur çështja merr edhe karakter politik, shoqëria shqiptare reagon njësoj, ndoshta edhe më keq, si me qenin e Juliana Pashës. Institucionet e pavarura pse nuk i ngritëm sa më parë!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?