Junta ushtarake në Niger i heq imunitetin diplomatik ambasadorit të Francës, urdhëron policinë ta dëbojnë nga vendi

31 Gusht 2023, 18:57| Përditesimi: 31 Gusht 2023, 18:58

  • Share

Junta ushtarake e Nigerit ka hequr imunitetin diplomatik të ambasadorit të Francës, Sylvain Itte dhe ka urdhëruar policinë që ta dëbojë atë nga vendi i Afrikës Perëndimore, sipas një deklarate nga regjimi ushtarak.

Ushtarët kryengritës që rrëzuan presidentin e Nigerit më shumë se një muaj më parë i dhanë ambasadorit francez 48 orë për t'u larguar nga vendi javën e kaluar. 

Qeveria franceze deklaroi se nuk i njeh puçistët si liderë legjitimë të vendit, raportojnë mediat e huaja.

Në fillim të kësaj jave Ministria e Punëve të Jashtme të Nigerit në fillim të kësaj jave tha se ambasadori francez "nuk gëzon më privilegjet dhe imunitetet e lidhura me statusin e tij si anëtar i stafit diplomatik të ambasadës".

Në dokument thuhet gjithashtu se kartat diplomatike dhe vizat e familjeve të ambasadorit janë anuluar. Qeveria e Francës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment të enjten.

Ambasadorit i’u tha të largohej nga Nigeri, por ka reaguar edhe presidenti francez Emmanuel Macron për këtë çështje i cili tha se i dërguari do të qëndronte në postin e tij. Macron foli me vendosmëri kundër udhëheqësve të grushtit të shtetit, ndërsa këmbënguli se Franca, sundimi i dikurshëm kolonial i Nigerit, nuk është armiku i vendit.

Që prej përmbysjes së presidentit të vjetër të vendit Mohamed Bazoum, junta ka shfrytëzuar ndjesinë anti-franceze në vend për të shtuar mbështetjen e saj.

Pas njoftimit të grushtit njerëzit shiheshin duke brohoritur në bulevardet e kryeqytetit “Poshtë Franca” si dhe para bazës ushtarake franceze të qytetit.

Franca ka rreth 1,500 personel ushtarak në Niger, të cilët trajnuan dhe kryen operacione të përbashkëta me forcat nigeriane të sigurisë për të mposhtur një kryengritje xhihadiste në rritje të lidhur me al-Kaidën dhe grupin Shteti Islamik. Operacionet kanë pushuar që nga grushti i shtetit dhe sulmet xhihadiste po shtohen.

Junta ka emëruar një qeveri të re dhe tha se do ta kthejë Nigerin në sistemin e qeverisjes të përcaktuar nga kushtetuta brenda tre viteve, një afat kohor që ECOWAS e hodhi poshtë. 

Dëbimi i ambasadorit francez dhe heqja e imunitetit të tij diplomatik e vendosi Francën në një pozitë sfiduese. Franca ka thënë se do të mbështesë ECOWAS në rivendosjen e një qeverie të përshtatshme në Niger, por gjithashtu duhet të mbrojë stafin e saj diplomatik.

Mucahid Durmaz, një analist i lartë në konsulencën globale të rrezikut Verisk Maplecroft tha se nuk ka mundësi që Franca të përdorë lëvizjet e juntës kundër ambasadorit si një arsye për të nisur një ndërhyrje ushtarake të mbështetur nga trupat e ECOWAS.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?