Juristi: SPAK mund të ngrihet me më pak se 10 prokurorë! Kushtetuesja do të paktën 6 gjyqtarë

18 Shtator 2019, 13:30| Përditesimi: 18 Shtator 2019, 14:02

  • Share

TIRANË  - Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njohur si SPAK, mund të ngrihet edhe me më pak se 10 prokurorë.

Në një intervistë për ReportTv avokati dhe juristi Ferdinand Doja shprehet se kjo strukturë duhet të nisë nga puna dhe plotësohet pasi prokurorët të certifikohen nga vetting.

"Nuk ka pengesë ligjore, kuorumi i tij mund të jetë 10 15, por emërimet do bëhen hap pas hapi, në momentin e parë mund të emërohen 6-7 sa janë bërë gati për atë detyrë, pastaj të tjerët. Kushtetuta nuk e ka në prizmin që fillimi duhet të jetë me 10. Kushtetuta thotë që nuk duhet të ketë më pak se 10, mund të jenë edhe 15, por këtë do ta vendosë KLP", tha ai.

Ndalur tek Gjykata Kushtetuese për të cilën pritet që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të miratojë renditjen përfundimtare të kandidatëve, Doja thotë se ajo nuk mund të marrë vendime në seancë gjyqësore por mundet të vendosë cila padi është për gjyq e cila duhet refuzuar.

"Me 5 gjyqtarë vendime nuk merr por kjo tregon që do të fillojë të funksionojë Gjykata Kushtetuese, do ketë gjyqtarë që do të kalojnë në dhomë të këshillimit kërkesa të ndryshme. E vërteta është që emërimi i 4-5 vetave do ta shfryjë dëngun e dosjeve që është bërë aty, se me siguri një pjesë e tyre do kalojë me mospranim", u shpreh juristi.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte kreu i saj Genti Ibrahimi që tha se shpejt KLP do të marrë një vendim për të ndezur motorët e SPAK me më pak se 10 prokurorë.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?