Jusuf Vrioni dhe motra e tij Nihal (Nica) Vrioni ne Rome ne 1983 (foto e kusheririt Boris Dino)

Periferi

Jusuf Vrioni nuk donte të zgjonte… përbindëshin

26 Dhjetor 2020, 18:45| Përditesimi: 26 Dhjetor 2020, 20:33

  • Share

Imagjinoni një grua jo aq të moshuar, por as edhe të re. E veshur tërësisht me të zeza dhe me një elegancë të jashtëzakonshme, përshkon në këmbë rrugën plot pluhur dhe të pashtruar nga Katërrugët e Shijakut, për në Shijak qytet. Dukej si një “jashtëtokësore”, një pariziene, as si tiranase, as, aq më pak, si shijakase. Ajo ecte e vetme, trupin drejt, me cantën në krah për të bërë vizitë te kushëriri i saj, Hasan Dino, që jetonte bashkë me fëmijët e tij dhe gruan në bodrumet e një shtëpie në lagjen “Erzen” në Shijak. Ishte Xhemile Dino bashkëshorjtja e Iljaz Bej Vrionit, nëna e Jusuf Vrionit.

Mjaftoi që kryeministri Edi Rama të përmendte në një intervistë të këtyre ditëve në televizion Jusuf Vrionin, si njeriun që e kishte frymëzuar në jetë, për të bërë që libraritë e Tiranës të pësonin një “sulm” të paparë në kërkim të librit të tij “Kujtimet e një europiani”. Një mikeshë, që ka një librari në kryeqytet nuk po u besonte veshëve dhe syve. Nuk e kishte ndjekur intervistën dhe, edhe në këtë moment ende nuk e di se cfare e shkaktoi dyndjen e kërkesave për librin e Vrionit. “Kam pyetur të gjithë libraritë e Tiranës. Nuk ka asnjë kopje asgjëkundi!” Në fakt “Kujtimet e një europiani” është botuar nga një shtëpi e botuese e Kosovës. Ndonjë në Tiranë me siguri po ndjen në këto momente aromën e një biznesi për ta ribotuar. Mirë do të bënte!

Kur Xhemile Dino përshkonte rrugën plot pluhur në verë, dhe baltë në dimër, djali i saj Jusufi ndodhej në burgun e komunistëve drejt fundit të viteve ’50, ku kërkonin herë ta shpallnin spiun të amerikanëve, herë të anglezëve e më pas të francezëve. Jusufi ishte më i vogli mes tre fëmijëve, vajza Nica, djali më i madh Aliu ndodheshin në Itali. Në gati 13 vite burg që do të kalonte në një presion të tmerrshëm të komunistëve, Xhemile Dino do të jetonte si e internuar në Fier, Lushnjë e më në fund në Shijak, ku për “fat” mund të frekuentonte, të mbështetej e të ndihmohej nga kushëriri i saj Hasan Dino. Gjyshi im, një cam i urtë dhe fisnik. Dy vazjat e tij Nebileja dhe Adileja shpesh shkonin për t’i bërë shoqëri e për ta ndihmuar Xhemilenë, këtë aristokrate të detyruar të jetonte në vetëm një dhomë, në shtëpinë e disa mikpritësve në Katërrrugët e Shijakut.

Mendoni ato vite kur regjimi komunist i vëzhgonte e i shihte camët pa besim. Jetonin nëpër bodrume apo katet e para plot lagështirë të pallateve të ndërtuara me punë vullnetare. Regjimi i trembej kulturës, qytetarisë, dhe sidomos të shkuarës së tyre. Dinejtëe e Camërisë, Vrionasit e Beratit dhe Vërlacët e Elbasanit, ishin lidhur bashkë si familje duke krijuar një pushtet ekonomik dhe politik që u shpartallua pas clirimit me shumë përkushtim. Jusuf Vrioni ishte më tipiku individ nga i cili, në mënyrë instiktive, duhet të ruhej Diktatura e proletariatit, ose më saktë, disa nga njerëzit e asaj kohe që po shijonin pushtetin absolut pas Clirimit. Jusuf Vrioni ishte djali i mirëshkolluar i Iljaz Bej Vrionit (ish-kryeministër para Clirimit) dhe i Xhemile Dinos, nga Dinejtë e Camërisë, patriotë që kishin firmosur për Pavarësinë e Shqipërisë, kishin punuar për Kongresin e Manastirit, e më pas të shpërndarë në Stamboll, Romë e Paris kontriubuonin në art, kulturë e diplomaci. Fizikisht, më shumë se Vrionas, kishte portretin e një Dino, me hundën e gjatë e me kurriz, mjekrën e mprehtë dhe sytë e shkathët e të vegjël. Ngjan shumë me Dinej të tjerë që jetojnë në Shqipëri, jetuan në Romë, Stamboll e Paris. Më fatkeqët ishin ata që menduan e besuan se do të ishin më mirë në atdhe.

Të gjithë, bashkëpunëtorë, miq e të njohur të Jusuf Vrionit i njihnin karakterin e tij të butë, elegancën e fjalës, të sjelljes dhe të veprimit. Kushdo i qëndroi afër apo foli me të, nuk vuri re urrejtjen, inatin e persekutimit, të viteve të burgut, të punës në hije e kokëulur, apo të të gjitha padrejtësive që iu bënë. 13 vite nuk ishin pak. Internimi nuk ishte pak. Kontrollet dhe frika e mëpasme e ndoqën hap pas hapi. “Kur dola për herë të parë jashte shtetit, pas gati 35 viteve, nuk guxova të merrja as motrën time në telefon. Mendova të arratisem, por mendova persekutimin që do të rëndonte sërish në familjen time”. Poligloti, përkthyesi i talentuar i veprave të Kadaresë në frëngjisht, mbajtës i disa titujve të nderit të Francës, Ambasadori ynë në Unesco, lëvizte si mbi “vezë” në Shqipëri. Jusuf Vrioni nuk donte të thyente e të rindizte urrejtjen, zilinë, e më pas hakmarrjen e intrigën që e kishte provuar në kurriz. Si ai, edhe të tjerë kishin parë në sy përbindëshin që shfaqej në situata të ndryshme: “Kur Enver Hoxha më solli në ndërmarrje një letër me lavdërime për përkthimin e veprave të tij, disave nuk u erdhi mirë…” do të tregonte. “Në kohën e Zogut kishte një marrëdhënie më elastike mes opozitës dhe pushtetit, elasticitet që nuk do të konceptohej dot tani…”, e thotë në intervistën e vetme të dhënë në vitin 2000 për Blendi Fevziun. Nuk dha më pas e më parë intervista të tjera. Iu druhej reagimeve. Sic reaguan, me një shëmbull të thjeshtë të tij e paralelizëm të materialit të ndërtimit të vilës së Edda Mussolini Ciano-s dhe të Teatrit Kombëtar.

Dhe nuk ishte i vetmi që e mendonte kështu: Nuk flasin më Ismail Kadare. Flet fare pak Helena. Të tjerë qëndrojnë të heshtur pasi ashtu si Jusuf Vrioni, i druhen “përbindëshit” persekutues, lincues që del papritur tek ne e shpërthen si më i tmerrshmi gjykues dhe hakmarrës, sot i shumëfishuar përmes rrjeteve sociale, dikur, shënjues fatesh fatale.  

Në Paris vdiq vitin që shkoi Boris Dino, kushëriri i parë i Jusuf Vrionit, (mamaja e Jusufit Xhemile Dino dhe babai i Borisit, Xhemil Dino ishin motër e vëlla). Vitet e fundit erdhi në Shqipëri sepse donte të ndërtonte medoemos Pemën Gjenealogjike të Dinejve. Borisi ishte nga Familjet e mëdha shqiptare, djali i Behije Vërlacit (vajza e Shefqet Vërlacit) dhe Xhemil Dinos. E pyeta: Boris përse nuk jep një intervistë të gjatë për gjithë historinë e dy familjeve të tua. Ke kaq shumë për të treguar!”. Nuk pranoi. Iku pa dhënë atë intervistë, por duke më shkruar: “Të gjitha “Familjet e Mëdha” të botës u bënë të tilla me bëmat e një banditi më të fortë se të tjerët”. Dhë në të vërtetë, djemtë e këtyre "Familjeve të Mëdha" shqiptare, mbetën deri në fund modestë në sjellje, e të painteresuar për pasuritë e jashtëzakonshme të tyre. Me disa përjashtime.

xy/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Myzeqari i njejte: 27/12/2020 12:18

    Pasurimi i ca familjeve ne renie te Turqise,i ca familjeve ne renie te monarkise,i ca familjeve ne renie te komunizmit eshte rezultat i hajnise dhe grabitjeve te te ashtuquajtures Shqiperi.Jusufi perfitoi nga pasuria e grabitur per tu shkolluar apo per te bere qef ne Evrope.Hakmarrja?Kjo pergjigje vjen nga natyra,perendia apo edhe shoqeria.

    Përgjigju
  • Leshtori: 27/12/2020 01:10

    Per "Myzeqarin pa Oxhak" ty nuk te mungoka vetem oxhaku, por edhe truri. Gjyshja ime ndjeste paste thoshte: "Jo te gjitha bletet bejne mjalte, shumica bejne m.....t". Keshtu edhe puna jote.

    Përgjigju
  • Myzeqari pa oxhak: 26/12/2020 20:08

    Ndoshta keni ndonje informacion se sa bujkerober punonin per Vrionasit dhe Verlacet. A ishin shfrytezues te popullit keto familjet e famshme...?

    Përgjigju
    • Miti: 26/12/2020 23:06

      E ka dhene pergjigjen Boris Dino, po e citoj: “Të gjitha “Familjet e Mëdha” të botës u bënë të tilla me bëmat e një banditi më të fortë se të tjerët”. Ne nje fare menyre eshte nje autorkitike e nje pinjolli te ketyre familjeve.

    • Vlora: 26/12/2020 22:02

      Myzeqar, a ishte faji i ketyre familjeve te medha pse ishin te pasura? A nuk eshte qellimi i gjithkujt qe shkon ne pune cdo dite, krijimi i pasurise dhe mireqenies financiare? A nuk do ishte me mire qe keto familje te shiheshin si punedhenes ( sic ne te vertete kane qene ) sesa si shfrytezues?

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?