Kultura

Jutta Benzenberg rikthen në jetë e zbulon negativët e djegur! Fotografja: Është historia ime personale dhe e Shqipërisë!

22 Shtator, 10:19| Përditesimi: 22 Shtator, 15:22

  • Share

Në fillim të viteve ’90, teksa shumë shqiptarë largoheshin, Jutta Benzenberg mbërriti në Shqipëri me një aparat fotografik në dorë. Me sy të vëmendshëm, ajo ndërtoi një arkiv që ishte po aq personal sa edhe historik, duke kapur ngjyrat e jetës së përditshme në një vend që po rindërtonte veten. Në vitin 2006, si pasojë e një zjarri në shtëpinë e saj, fotot e shkrepura në vitet 1990 u bënë hi, ndërkohë që pas rreth 2 dekadash një pjesë e këtyre fotove janë restauruar.

Së bashku me Olsi Hoxhën, Jutta iu rikthye dhe nisi punën me negativët e djegur. Rezultati i këtij procesi janë imazhe që qëndrojnë mes fotografisë dhe artit, historisë dhe kujtesës, dëshmisë dhe ëndrrës.

Këto imazhe prezantohen në librin “Don’t Look Back at the Burning House” të Benzenberg dhe në ekspozitën me po të njëjtin titull të saj, të çelur në hapësirën kulturore HBS (Heinrich Boll Stiftung) në sheshin “Skënderbej”, një hapësirë publike e shfrytëzuar si galeri nga “Heinrich Boll Stiftung” e ku libri është në shitje për 49 euro.

Benzenberg tregon se fillimisht skanoi 80 prej negativëve. Gjithçka ishte si një terapi, ndërkohë që shikonte fotografitë e bashkëshortit të ndjerë, Ardian Klosi dhe të shtëpisë së tyre.

“Unë tregova historinë dhe pastaj gjithnjë e më shumë skanova dhe pashë fotografitë e burrit tim. Pashë fotografitë e shtëpisë, që filluan të më sillnin pak paqe, sepse kështu është: kur e pranon dhimbjen, dhimbja do të kalojë. Është si kur merr një letër nga postieri dhe ai të sjell një letër dhe ti thua jo, nuk dua ta marr letrën dhe ai do të vazhdojë të vijë derisa ti e pranon letrën. Dhe unë e bëra. E pranova. Duhet të them se kjo ekspozitë ka të bëjë me rezistencën, ka të bëjë me emocionet dhe anën e pavetëdijshme dhe nuk është vetëm për mua, për Shqipërinë, është historia ime, historia ime e familjes, historia ime personale. Nuk munda të flija me javë të tëra, duke pritur se si do të ishte reagimi kur të shihnit këta negativë të shkatërruar… Ajo që dua të them është se shtëpia ime u dogj, por e rindërtova. Nuk e lashë të ndodhte kështu. E rindërtova në 6 muaj. Rindërtova edhe diçka këtu, në formën e kolazheve.”, - thotë fotografja Jutta Benzenberg.

Në hapjen e ekspozitës, e cila do të presë vizitorë deri në 16 nëntor, i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimit Eurpoian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Duke shprehur mbështetje për projektin, mesazhi i tij ishte se vetëm duke u përballur me të shkuarën mund të ecim përpara. 

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?