Mario Mitaj është e ardhmja e mbrojtjes së Kombëtares. Prej largimit të Ansi Agollit nga ai rol, trajnerë të ndryshëm provuan më shumë se tetë emra për atë rol, por prapavija e ekipit po i besohet 20-vjeçarit Mitaj.
Djaloshi i Lokomotivës së Moskës është futbollisti i momentit në ekip, me Juventusin që veçse shfaqi interes për të, e ndoqi edhe në stadium në Shqipëri 0-3 Kili, ku Mitaj ishte më i miri në fushë.
Tanimë Tuttosport në Itali bën me dije se rusët kërkojnë 8-10 milionë euro për të. Verën e 2022 ata e morën djaloshin për 3 milionë euro nga AEK-u i Athinës dhe në dritaren e transferimit të dimrit 2024 refuzuan 4 milionë euro nga Dinamo e Zagrebit për të.
Tanimë në Rusi nuk kërkojnë më pak se 8 milionë euro për shërbimet e tij dhe vera duket se do jetë e nxehtë për djaloshin e linjës së majtë. Juventus e dëshiron Mitaj këtë verë, teksa gjigandët e Italisë e shohin si lojtarin e së ardhmes.