TIRANË- Analisti dhe gazetari Fatmir Mneri thotë se ka vënë re shumë elementë negative në kombëtaren kuqezi, që humbi 1-2 kundër Izrealit në Ligën e Kombeve, në një kohë kur pritej fitorja dhe vendi i parë. Mneri për ‘Report TV’, thotë se duke iu bazuar eksperiencës ka ardhur koha që dikush tjetër të frymëzojë kombëtaren nga stoli dhe jo Edy Reja.
“Përkundër atmosferës së shkëlqyer të tifozëve, që përkrahi për 90 minuta futbollistët, te skuadra pashë që ka rënë entuziazmi. Ndoshta është cënuar besimi, në arritjet, te fitoret. Diçka është krisur dhe mungon harmonia. Këto më duken si ditët e fundit të drejtimit të kombëtares nga një trajner. Duhet marrë parasysh që është edhe përfundim sezoni, por nuk është vetëm punë gjallërie, por punë zemra. Për ekipin tonë fryma e grupit ka të bëjë shumë. Të gjithë këto shenja, nga eksperienca, më japin ndjesinë se ka ardhur fundi i drejtimit të stolit,”-u shpreh ai.
Mneri më pas nuk preferoi të drejtonte gishtin tek dikush veçanërisht: “Nuk kapem thjeshtë te emrat sepse dje luajtën Asllani dhe Bajrami, për të cilët mediat dhe opinion i do në fushë. Ne presnim dhe Brojën dhe Uzunin. Ka të bëjë me mos ndryshimin. Ne kemi një grup të sukseshëm futbollistësh. E kam ndjekur prej kohësh kombëtaren, por rrallë të qëllon ky ekip. Më bën përshtypje se vazhdon me të njëjtin modul loje. Media, opnioni, tifozët kanë kërkuar që trajneri të jetë më fleksibël.”
Debati më i madh i momentit është skema 3-5-2 që përdor trajneri, por edhe pas humbjes Reja mbrojti me forcë bindjen e tij.
“Ka të bëjë shumë me pozicionin e skuadrës në fushë, me këmbënguljen e vazhdueshme për skemën 3-5-2. Kërkon që të keshë elementin e duhur. Kur futbollisti luan një rol të caktuar nuk e ka të lehtë të përshtatet me këtë skemë. Edhe Gjimshiti që dje ishte në qendër. Kur merrte pjesë në sulm linte boshllëk, pasi te Atalanta nuk luan kurrë në qendër. Nuk pashë asnjë iniciativë të Asllanit dhe Bajramit që kërkohen me ngulm në treg,”-deklaroi ai.
Mneri në fund thekson se pikë kyçe është edhe mungesa e një lideri në skuadër.
“Kjo përfaqësuese nuk ka një lider, një të karakterit të Canës. Lideri nuk është futbollisti më cilësor, por ai që merr skuadrën para. Ndoshta kjo është e shpërndarë, por nuk është një grup që ka zemrën para,”-tha ai.
Ndryshe nga opionini Reja kishte këtë mendim për autorin e golit Armando Broja: “Pavarësisht brohoritjeve, duke i thurur këngë nga tifozët unë jam i pakënaqur nga loja e tij. Sidomos në aspektin e të futurit në fushën e lojës me synim, me forcë për të dhënë kurajo, ndërsa nga ana tjetër nuk dha as kurajo.”
Shqipëria humbi 1-2 përballë Izraelit në ndeshjen e luajtur ditën e djeshme. Me këtë humbje Shqipëria renditet e treta nga tre skuadra në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë vetëm 1 pikë pas dy ndeshjeve, me Islandën në vendin e dytë me po kaq pikë, ndërsa Izreali kryesues ka katër pikë. Për kombëtaren ndeshja e radhës është me datë 13 qershor kundër Estonisë po në ‘Air Albania’, por këtë herë jo për Ligën e Kombeve por miqësore.