Ka mbërritur në Durrës “Mircea”, veliera shkollë e Marinës rumune. Autoriteti Portual i Durrësit ka publikuar disa pamje nga mbërritja e velierës në port.
Anija është ndërtuar në vitin 1938, dhe prej 87 vitesh është simbol i traditës dhe formimit detar në Rumani. “Mircea” është një velierë elegante me tre direkë. Emrin e ka marrë nga princi i njohur i Vllahisë, Mircea cel Bătrân, dhe që prej vitit 1939 ka shërbyer si anije shkollë për kadetët e Akademisë Detare Rumune, duke trashëguar rolin e anijes së parë stërvitore të vendit.
Përgjatë dekadave, “Mircea” ka përshkuar shumë dete, duke përfaqësuar Rumaninë në misione stërvitore dhe evente ndërkombëtare. Ndër më të spikaturat është pjesëmarrja në festivalin “OPSAIL 1976”, me rastin e 200-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së. Veliera ka “motra” të tjera të famshme në SHBA, Gjermani, Ukrainë dhe Portugali, të ndërtuara sipas të njëjtit model, ndërsa vetë “Mircea” mbetet një ndër më të dashurat për brezat e marinarëve rumunë.
Me një gjatësi prej mbi 82 metrash dhe direkë që ngrihen deri në 44 metra lartësi, ajo mirëpret në bord 135 kadetë dhe një ekuipazh prej 89 profesionistësh. Pas rikonstruksionit të vitit 2002, “Mircea” ruan hijeshinë e saj klasike, por është pajisur edhe me teknologji moderne, duke u renditur sot mes anijeve më të mira të klasit të saj në botë.
Komente
