VENECIA - Me buzëqeshje dhe përqafime për vendasit që i pritën në skelë, Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez kanë dhënë zyrtarisht startin e festimeve të dasmës së tyre me një mbrëmje glamuroze në një nga vendet më romantike të qytetit lagunor.
Çifti mbërriti me një motoskaf luksoz nga hoteli Aman dhe u drejtua për në kopshtin e mbyllur pranë Kishës së Madonna dell’Orto, ku u organizua festa e parë e dasmës. Bezos kishte veshur një kostum të errët me një këmishë blu të hapur pa kravatë, ndërsa Lauren Sánchez shkëlqeu me një fustan të artë të ngushtë në bel dhe me dekolte të thellë.
Të ftuarit filluan të mbërrijnë që në orët e para të ditës. Kim Kardashian, veshur me elegancë, u pa duke zbritur nga një taksi lundruese për t’u bashkuar me festën. Orlando Bloom, aktori hollivudian, u fotografua teksa hipte në një tjetër taksi uji bashkë me një mik, në dalje nga hoteli luksoz Gritti Palace.
Edhe këngëtari i njohur amerikan Usher Raymond IV është parë duke hyrë në hotelin Gritti, ku po qëndrojnë shumë nga të ftuarit VIP të dasmës. Nga ballkonet e suitave me pamje nga Kanali i Madh, disa të ftuar si aktorja Lydia Kives pozuan për selfie dhe përgatitje për mbrëmjen festive.
Gjatë një takimi privat me të ftuarit, Jeff Bezos ka shprehur emocionet për këtë moment të veçantë. “Venecia nuk është thjesht sfondi i festës sonë,” – u shpreh ai. “Është pjesë e historisë sonë. Është një privilegj i madh të jemi këtu dhe të kontribuojmë, qoftë edhe në mënyrë simbolike, për të ruajtur bukurinë e saj për brezat e ardhshëm.”
Të tjerë personalitete që janë parë duke mbërritur në qytet janë ish-lojtari legjendar i futbollit amerikan Tom Brady, producenti i njohur i Hollywood-it Brian Grazer dhe bashkëshortja e tij Veronica Smiley Grazer. Pranë Bloom janë parë gjithashtu Kim dhe Khloé Kardashian, bashkë me nënën e tyre Kris Jenner, të gjitha të ftuara në dasmën që pritet të zgjasë tri ditë.
Komente
